
Opozita një minutë heshtje në Kuvend për Abdi Baletën, Balla: Nderimi duhet bërë me solemnitetin e duhur
Abdi Baleta ka qenë ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike.

Deputetët e Partisë Demokratike mbajtën sot në Kuvend një minutë heshtje në nderim të ish-diplomatit dhe deputetit Abdi Baleta.
Kërkesën e paraqiti në seancë deputeti i PD-së, Besart Xhaferri, me argumentin se nuk mund të pritet për zbatimin e procedurës pasi Abdi Baleta është ndarë nga jeta 6 ditë më parë.
Menjëherë pas kësaj deputetët e opozitës mbajtën një minutë heshtje në Kuvend.
Duke sqaruar procedurën, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kujtoi se Kuvendi i Shqipërisë e ka standardizuar prej kohësh një procedurë të qartë mbi mënyrën se si kërkohet një minutë heshtjeje.
“E kemi bërë me konsensus këtë ndërhyrje, sepse një nderim i tillë duhet bërë siç duhet. Kërkesa depozitohet me shkrim nga në fillim të seancës dhe përcaktohet ora e saktë e mbajtjes së saj,” u shpreh Balla.
Ai kritikoi mënyrën se si ishte vepruar në një seancë të mëparshme, duke e cilësuar “një formë qesharake” të kërkesës së mbajtjes së minutës së heshtjes.
“Sa e keni respektuar ju Abdi Baletën, e di familja e tij dhe e dinë të gjithë shqiptarët,” tha kreu i grupit socialist.
Balla bëri të qartë se PS mbështet kërkesën për një minutë heshtje për ish-deputetin e ndjerë Abdi Baleta dhe tha se pas përfundimit të diskutimeve për rendin e ditës, minuta e heshtjes duhet të mbahet me respektin dhe solemnitetin e duhur.
Ish-diplomati dhe deputeti Abdi Baleta u nda nga jeta në 19 shtator, në moshën 84-vjeçare.
Abdi Baleta ka qenë ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike.
Burimi ATSH