
Peleshi: Shqipëria në BE deri në 2030-ën, ambicia jonë kombëtare
Në fjalën e tij të parë si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi nënvizoi nevojën për konsensus politik dhe shoqëror në procesin drejt objektivit madhor kombëtar të integrimit të Shqipërisë në BE.

Në fjalën e tij të parë si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi nënvizoi nevojën për konsensus politik dhe shoqëror në procesin drejt objektivit madhor kombëtar të integrimit të Shqipërisë në BE.
Ai e quajti zgjedhjen në krye të Kuvendit një nder dhe përgjegjësi të madhe, duke theksuar se do të punojë me përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve.
Ndërsa shprehu mirënjohje për punën e paraardhëses Elisa Spiropali, ai premtoi krijimin e një standardi të ri për respektimin e Kushtetutës, Rregullores dhe Kodit të Etikës në Kuvend.
“Ne, deputetët e kësaj legjislature, jemi bashkudhëtarë në segmentin final dhe të shumëpritur të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Është privilegj i rrallë dhe përgjegjësi e pamatë për këtë parlament që të ketë në dorë një detyrë kaq përcaktuese për të ardhmen e vendit”, u shpreh Peleshi.
Kryetari i Kuvendit theksoi se strategjia “Shqipëria në BE 2030” është objektivi madhor, duke synuar mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë brenda vitit 2030.
Peleshi përmendi forcimin e marrëdhënieve me Parlamentin Europian, Kongresin Amerikan dhe parlamentet e vendeve aleate, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Kosovën dhe shqiptarët në rajon. Në fokus të Kuvendit, tha ai, do të jetë edhe mbështetja e plotë për sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si dhe kontrolli i ekzekutivit.
“Një volum i madh pune, mbase më i madhi në 30 vitet e fundit, na pret përpara për ta bërë realitet ambicien e Shqipërisë europiane. Në fund të kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë duhet të funksionojë me të gjitha standardet e një parlamenti europian”, tha Peleshi.
Në fjalën e tij, ai u bëri thirrje deputetëve të rinj dhe të vjetër të punojnë së bashku, duke lënë mënjanë ndasitë politike: “Përpara sfidave të mëdha kombëtare nuk jemi shumicë apo opozitë, jemi bij e bija të së njëjtës Shqipëri, duke lundruar drejt të njëjtit destinacion”.
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi:
Besimi që më dhatë sot duke më zgjedhur Kryetar të Kuvendit të Shqipërisë është një nder dhe përgjegjësi e madhe, të cilën e pranoj me përulësi e përkushtim. Përvoja ime e punës në parlament dhe qeveri, dijet dhe energjitë e mia do të vihen të gjitha në shërbim të këtij Kuvendi, në shërbim të Shqipërisë dhe qytetarëve tanë.
Jam ftuar nga Kryeministri Edi Rama dhe mbështetur më pas nga Partia Socialiste për të kryer këtë detyrë shtetërore të rëndësishme në një moment historik për Shqipërinë. Një moment që do të mbahet mend gjatë, ndaj ndihem dyfish i vlerësuar dhe thellësisht mirënjohës për besimin e dhënë dhe angazhohem për ta kthyer këtë besim në një shtysë për të punuar me përkushtim çdo ditë.
Dëshiroj gjithashtu të falënderoj, Elisa Spiropalin, për kontributin e vyer, standardin e lartë të punës dhe dedikimin e saj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë gjatë vitit të fundit të legjislaturës së kaluar. Ndaj i uroj Elisës suksese të sinqerta në përgjegjësinë e re shtetërore që e pret.
Falënderoj gjithashtu të gjithë deputetët, pavarësisht votës pro apo kundër dhe i siguroj se do të bëj gjithçka mundem për të krijuar hapësirën e nevojshme dhe të sanksionuar nga ligji, të fjalës në parlament, statusin e ri dinjitoz të deputetit dhe Kuvendit, infrastrukturën e përshtatshme për lehtësimin e punës së deputetit në Kuvend apo në zonën e vet elektorale.
Nga ana tjetër do të doja të vendosim një standard të ri të respektimit të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Etikës, për të cilin natyrisht nuk mjafton vetëm vullneti im.
Zonja dhe zotërinj, ne deputetët e kësaj legjislature jemi bashkëudhëtarë dhe kontribuues në segmentin final dhe të shumëpritur të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke përmbushur ëndrrën e kahershme të qytetarëve tanë.
Është privilegj i rrallë dhe përgjegjësi e pamatë për një parlament të ketë në dorë një detyrë kaq përcaktuese për të ardhmen e vendit.
Ashtu si Parlamenti i parë pluralist në fillimin e viteve ’90 hodhi themelet e demokracisë, sot është radha jonë të hapim dyert e Shqipërisë për në familjen europiane, një vizion që buron nga ideatorët e shqiptarizmës dhe arkitektët e shtëpisë sonë të përbashkët, rilindasit tanë. Në këtë kryeproces të integrimit të Shqipërisë sonë në BE, do të ecim me transparencë, gjithëpërfshirje dhe legjitimitet demokratik në çdo hap.
Shqipëria është ndër popujt më pro europianë në kontinent dhe ky konsensus i gjerë popullor na frymëzon, por na detyron gjithashtu që mbështetjen e qytetarëve ta kthejmë në konsensus politik brenda kësaj salle.
Strategjia kombëtare “Shqipëria në BE 2030”, që synon mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë brenda vitit 2030, do të udhëheqë diplomacinë tonë parlamentare në vitet që vijnë.
Ky nuk është më thjesht një vegim, një ide, por është një angazhim që kërkon punë të pandërprerë dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Horizonti europian që sot është më afër se kurrë në histori, duhet të na frymëzojë për të shkelur në rrugë të pashkelura të politikës, në politikën e guximshme të pakteve kombëtare dhe konsensusit.
Në këtë rrugëtim drejt BE, Kuvendi është një institucion shumë i rëndësishëm.
Por nuk është i vetmi.
Krahas qeverisë dhe parlamentit, standardet e reja europiane duhet të rroken nga e gjithë shoqëria, nga të rinjtë, studentët, profesionistët apo sipërmarrësit. Duhet ndërtuar një mendësi e tërë europianiste.
Parlamenti është një nga kudhrat ku farkëtohen modelet dhe qasjet e reja. Gjuha e urrejtjes, dhuna verbale (ndonjëherë edhe fizike) nxisin përçarje dhe urrejtje edhe në shoqëri. Pra bëhen një model i keq dhe pengues për të ndërtuar mendësinë e re europiane.
E kundërta, pra konstruktiviteti, opozita e alternativave apo mazhoranca që ndërton konsensus me opozitën, modelojnë një shoqëri bashkëpunuese, të hapur dhe moderne.
Marrëdhëniet e shkëlqyera me Parlamentin Europian dhe institucionet e BE-së do të thellohen më tej, ndërsa ne do të intensifikojmë komunikimin me parlamentet e 27 vendeve anëtare, që secili prej tyre të na njohë nga afër, të ketë besim te demokracia shqiptare dhe ta shohë anëtarësimin tonë si një vlerë të shtuar për Bashkimin Europian.
Diplomacia jonë parlamentare shtrihet edhe përtej Europës. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet gur themeli i politikës sonë të jashtme, dhe si Kuvend do të thellojmë bashkëpunimin me Kongresin Amerikan dhe parlamentet e vendeve aleate e demokratike.
Siguria kombëtare dhe mbrojtja e paqes janë të pandashme nga rrugëtimi ynë europian. Në një botë gjithnjë e më të trazuar, Shqipëria do të qëndrojë krah për krah me aleatët e saj, duke mbrojtur e promovuar vlerat e demokracisë, lirisë dhe paqes.
Është detyra jonë parësore të mbajmë të gjallë dhe produktiv bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës, dhe të forcojmë lidhjet me deputetët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi e kudo në rajon. Ne do të punojmë së bashku për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë në rajon, si dhe për stabilitetin dhe mirëqenien e Ballkanit Perëndimor, pa të cilat as integrimi europian nuk do të ishte i plotë.
Zonja dhe zotërinj, gjatë kësaj legjislature Kuvendi i Shqipërisë do të jetë aleat i palëkundur i forcimit të shtetit ligjor dhe pavarësisë së institucioneve. Mbështetje e plotë do t’u jepet institucioneve të reja të drejtësisë, sepse tani është koha që qytetarët të ndjejnë frytet e reformës: një sistem të pavarur, të paanshëm e transparent, ku ligji sundon mbi të gjithë njësoj.
Kuvendi do të shtyjë përpara reformat transformuese që përmirësojnë jetën e qytetarëve, nga zhvillimi ekonomik dhe mbështetja e sipërmarrjes së ndershme e inovacionit, te forcimi i qeverisjes, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Do të jemi të vendosur të mbrojmë interesin publik, të drejtat e qytetarëve dhe vlerat kushtetuese, si nga deformimet e brendshme, ashtu edhe nga ndikimet jomiqësore të jashtme.
Në një kohë sfidash për demokracitë kudo, Shqipëria do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtjen e rendit demokratik, sigurisë kombëtare dhe paqes shoqërore.
Kontributi ynë në sigurinë kolektive, në kuadër të NATO-s dhe partneritetit me BE-në, do të jetë i qëndrueshëm dhe parimor.
Një tjetër detyrë themelore e këtij Kuvendi do të jetë forcimi i mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj ekzekutivit. Ne do ta ushtrojmë këtë rol me seriozitet e përgjegjësi, duke kërkuar llogari në mënyrë konstruktive dhe duke konsoliduar praktikën e kontrollit post-legjislativ, që ligjet të maten jo vetëm në miratim, por edhe në zbatimin dhe ndikimin e tyre real në jetën e qytetarëve.
Të dashur kolegë,
Një volum i madh pune, mbase më i madhi në 30 vitet e fundit, për të bërë realitet ambicien e Shqipërisë në BE brenda 2030, na pret përpara.
Forcën për ta përmbushur me sukses duhet ta gjejmë te transformimi që puna jonë këtu do sjellë në jetën e qytetarëve.
Në fund të kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë duhet të funksionojë me të gjitha standardet e një parlamenti europian. Kjo nënkupton se reformat e brendshme janë po aq të rëndësishme sa edhe reformat kombëtare për integrimin.
Deputetët, stafi dhe strukturat parlamentare kanë detyrën ta bëjnë Kuvendin më modern, më efikas dhe më të hapur, duke përfituar padyshim edhe nga mundësitë që ofron teknologjia.
Sot Shqipëria dallohet para shumë vendeve ku e ku më të zhvilluara ekonomikisht, për transformimin e shpejtë digjital të shërbimeve publike.
Ky transformim duhet të përqafohet me shpejtësi edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.
Një ligj i ri për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit, dhe një rregullore e rishikuar, me një strukturë të re të komisioneve parlamentare do të çlirojnë mundësi të reja për një organizim më të mirë të punës dhe efikasitet e efektivitet më të lartë.
Në këtë rrugëtim, falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë mbështetur modernizimin institucional, në veçanti Bashkimin Europian, por edhe qeveritë, parlamentet dhe organizatat partnere nga Austria, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Suedia, Vendet e Ulëta, SHBA, OSBE dhe shumë të tjerë. Trajnimet, investimet dhe ekspertiza e tyre kanë qenë të çmuara.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Kjo legjislaturë ka një përbërje të re: mbi gjysma e deputetëve vijnë për herë të parë këtu. Ky është një mesazh i qartë i qytetarëve, të cilët presin të shikojnë një kulturë të re parlamentare. Deputetët e rinj kanë barrën dhe privilegjin të sjellin frymën e re të politikës, duke ruajtur integritetin dhe duke kërkuar më të mirën edhe nga kolegët e tyre me më tepër përvojë.
Si Kryetar i Kuvendit, do të jem përkrah secilit prej jush, pavarësisht bindjeve politike.
Përpara sfidave të mëdha kombëtare nuk jemi shumicë apo opozitë, jemi bij e bija të së njëjtës Shqipëri, duke lundruar drejt të njëjtit destinacion.
Burimi ATSH