
Rama zyrtarizon emrat e kabinetit të ri qeveritar
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama shpalli sot përbërjen e qeverisë së re, pas fitores së mandatit të katërt në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama shpalli sot përbërjen e qeverisë së re, pas fitores së mandatit të katërt në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Albana Koçiu caktohet në postin e ministres së Punëve të Brendshme duke lënë pozicionin e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Elisa Spiropali do të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke lënë drejtimin e Kuvendit.
Petrit Malaj rikonfirmohet si ministër i Financave.
Blendi Gonxhja shkon në krye të Ministrisë së Turizmit.
Ministre e Arsimit do të jetë Mirela Kumbaro.
Ministër i Mjedisit do të jetë Sofian Jaupaj.
Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të jetë Evis Sala.
Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit do të jetë Delina Ibrahimaj.
Ministër i Drejtësisë do të jetë Besfort Lamallari ndërsa ministër i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë Andis Salla.
Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor është Ervin Demo.
Ministër shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu.
Kryenegociatore e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka.
Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.
Rama cilësoi se Albana Koçiu ka një karrierë tanimë të gjatë në administratë ka filluar nga shkalla më e ulët, e njeh si pak kush në këtë vend Administratën Publike. “Ka qenë 10 vjet drejtore e Administratës Publike dhe në drejtimin e MSHMS-së më ka krijuar bindjen jo vetëm ka ambicien dhe këmbënguljen, por ka një kapacitetet të veçantë, motivuese të njerëzve”, shtoi ai.
“Ervin Hoxha ashtu edhe si Igli Hasani, të cilit do t’i besojmë Komision e ri parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme, e kanë bërë të dy punën e tyre me seriozitet dhe për kohën që patën në dispozicion kanë vazhduar të mbajnë timonin drejt”.
CV e ministrave të kabinetit Rama
Elisa Spiropali, ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
Nga korriku 2024 Spiropali ka mbajtur postin e Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë gjatë Legjislaturës X.
Prej janarit 2019 deri në korrik 2024, ka shërbyer si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke u riemëruar në mandatin e tretë qeverisës të Partisë Socialiste, në shtator 2021.
Para emërimit në detyrë si Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Spiropali ka mbajtur funksionin e nënkryetares së Grupit Parlamentar Socialist dhe të nënkryetares së Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, prej vitit 2017 deri në vitin 2019.
Petrit Malaj, ministër i Financave
Petrit Malaj është lindur në Tiranë më 13 Tetor 1978. Prej muajit korrik 2024, z. Malaj ka mbajtur detyrën e Ministrit të Financave. Përpara kësaj detyre, nga muaji janar 2024, Z. Petrit Malaj shërbeu si Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Nga viti 2010 z. Malaj mbajti detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të BDO Albania, pjesë e BDO Group, Grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave. Në vitin 2004 z. Malaj ishte pjesë e Programit të Qeverisë Gjermane, me fokus në tregjet e kapitalit duke u kualifikuar në Bursën e Frankfurtit dhe Bursën Berlin- Bremen.
Mirela Kumbaro, ministre e Arsimit
Mirela Kumbaro Furxhi është lindur në Tiranë, në vitin 1966. Që prej shtatorit 2021 ajo ka shërbyer si Ministre e Turizmit dhe Mjedisit. Në vitin 2013, emërohet Ministre e Kulturës, post që e mbajti për më shumë se 5 vjet, duke u emëruar sërish ministre e Kulturës në vitin 2017 në mandatin e dytë të qeverisë Rama.
Në vitin 2017 është nderuar me Urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez.
Pirro Vengu, ministër i Mbrojtjes
Pirro Vengu është lindur më 24 Prill 1986, në Elbasan. Prej korrikut 2024 ai ka mbajtur postin e Ministrit të Mbrojtjes.
Nga viti 2019 e në vijim (2024), z.Vengu ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës. Në periudhën 2017 deri në 2019, ai ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Antikorrupsionit, në Kryeministri.
Ndërsa nga viti 2013 deri në 2017, ka qenë shefi i kabinetit në Ministrinë e Jashtme. Më herët, gjatë viteve 2010 – 2013, z. Vengu ka mbajtur rolin e Koordinatorit të Programeve Kërkimore, European Council on Foreign Relations (Paris, Francë).
Evis Sala, ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale
Evis Sala drejton Qendrën për Imazheri Diagnostike dhe Radioterapi Onkologjike në Poliklinikën “Gemelli” dhe është pedagoge në institucionet e arsimit të lartë, ku kontribuon me përvojën e saj akademike dhe kërkimore për formimin e brezit të ri të profesionistëve të shëndetit.
Prof. Sala ka një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore në Mbretërinë e Bashkuar, ku për shumë vite ka qenë pjesë e Universitetit të Kembrixhit dhe ka bashkëdrejtuar Programin e Avancuar të Imazhimit të Kancerit dhe Programin e Integruar të Mjekësisë së Kancerit në Qendrën e Kërkimit të Kancerit në Kembrixh.
Adea Pirdeni, ministre shteti Për administratën Publike dhe Antikorrupsionin
Adea Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983 dhe prej 16 janarit 2024 mban detyrën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Prej shtatorit 2020, ka shërbyer si Zëvendësministre e Drejtësisë dhe negociatore si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE për Kapitullin 23 “Gjyqësori & të Drejtat Themelore”. Në cilësinë e zëvendësministres, Pirdeni ka mbuluar çështje të kuadrit strategjik në fushën e drejtësisë dhe antikorrupsionit.
Andis Salla, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Andis Salla ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bashkisë Cërrik. Ai ka kryer studimet e larta për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
Është kualifikuar në vitin 2014 si avokat pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe ka një sërë eksperiencash pune si jurist dhe me vonë si Drejtor i IEVP në Elbasan.
Burimi ATSH