
VanHorn: SHBA mbështet bazën detare në Porto Romano, forcon krahun lindor të NATO-s
Për herë të parë në Porto Romano ka mbërritur një anije luftarake amerikane, anija “USS Mount Whitney”.

Për herë të parë në Porto Romano ka mbërritur një anije luftarake amerikane, anija “USS Mount Whitney”.
Ankorimi i anijes së Flotës Ushtarake Amerikane, është një tjetër tregues i faktit se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partnerë strategjikë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Për të festuar këtë marrëdhënie, pasditen e sotme u zhvillua një ceremoni e posaçme në bordin e anijes ushtarake të ankoruar në ujërat shqiptare.
Në ceremoninë që u mbajt në Durrës, morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, mes të cilëve Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, VanHorn në fjalën e saj i shprehu mirënjohjen Presidentit Bajram Begaj, për partneritetin e ngushtë.
“Vendet tona janë më të forta dhe më të sigurta për shkak të lidhjes sonë historike dhe miqësisë së fortë”, tha ajo.
VanHorn solli edhe shembullin e komandantit shqiptaro-amerikan Alban Dervishi, i cili së fundmi mori komandën e anijes së Shteteve të Bashkuara “Pearl Harbor”.
“Edhe ai ka shërbyer në anijen e SHBA-së “Mount Whitney”, si një oficer i operacioneve, ndërsa ngjitej në gradat e marinës amerikane. Sot, ai shërben në vijën e parë, në ruajtje të sigurisë në rajonin e Indo-Paqësorit”, tha ajo.
VanHorn theksoi se, “siguria është ajo që na ka bërë sot bashkë. Jemi këtu për shkak të angazhimit tonë të përbashkët për mbrojtjen kolektive dhe ruajtjen e popujve tanë”.
“Anija e SHBA “Mount Whitney” – anija e Komandës së Flotës së 6-të – që ankorohet këtu në Porto Romano simbolizon fazën tjetër të modernizimit ushtarak të Shqipërisë”, tha ajo.
VanHorn nënvizoi se, Shtetet e Bashkuara mirëpresin plotësisht dhe nxisin zhvillimin e një baze detare në Shqipëri, me kapacitet portual mallrash në ujëra të thella pikërisht këtu në Porto Romano.
“Investimi i Shqipërisë në përforcimin e Porto Romanos do t’i tregojë rajonit – dhe të gjithë Europës – aftësinë e Shqipërisë për të qenë një drejtuese e vërtetë në Aleancën e NATO-s”, tha ajo.
Tashmë, shtoi VanHorn, “Shqipëria është një aset jetik për NATO-n për shkak të vendndodhjes së saj strategjike. Por, duke përforcuar Porto Romanon dhe duke e lidhur atë me rrugë dhe hekurudha, Shqipëria do të bëhet një rrugë thelbësore për një operacion të mundshëm të ardhshëm në krahun lindor të NATO-s”.
“Përforcimi i Porto Romanos do të ndihmojë në sigurimin e linjave të komunikimit detar dhe në stabilizimin e transportit të materialeve ushtarake përmes kufijve. Gjithashtu, do të dërgojë një sinjal të qartë për të gjithë ata që kërkojnë të destabilizojnë sigurinë transatlantike: Ne jemi të aftë, ne jemi të bashkuar dhe ne jemi të angazhuar ndaj mbrojtjes kolektive në tokë, në ajër dhe në det”, u shpreh E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë.
VanHorn theksoi se, përtej përfitimeve të sigurisë, përforcimi i Porto Romanos do të kontribuojë për begatinë më të gjerë ekonomike të Shqipërisë – që nga rritja e tregtisë dhe deri te nxitja e projekteve të reja infrastrukturore që krijojnë vende pune.
Aktualisht, theksoi ajo, “portet në ujëra të thella që u duhen anijeve të marinës së aleatëve, si anija e SHBA “Mount Whitney” për t’u rifurnizuar ose për t’iu siguruar ekuipazheve të tyre pushim dhe çlodhje, janë të paktë në numër në Adriatik”.
“Përforcimi i Porto Romanos është një aspiratë e madhe – por realiste – aspiratë që kërkon një angazhim të fortë, veçanërisht një investim domethënës të fondeve kombëtare. Në Samitin e NATO-s në Hagë këtë verë, aleatët u zotuan të shpenzonin 5 për qind të PBB-së për mbrojtjen. Angazhimi i fondeve kombëtare për Porto Romanon do ta sjellë Shqipërinë më pranë këtij angazhimi dhe do të hapë derën edhe për investime shumëkombëshe në Porto Romano, gjithashtu”, tha VanHorn.
“Presidenti Trump ka theksuar se të gjithë Aleatët duhet të përmbushin angazhimet e tyre dhe të rrisin shpenzimet për mbrojtje për t’u përballur me sfidat e sotme dhe rreziqet e së nesërmes. Zhvillimi i një objekti portual të ujërave të thella në Porto Romano me kalata të sigurta, me mjedise për trajtimin e ngarkesave dhe me lidhje me hekurudhat e rrugët, ndihmon për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje. Kjo do të përmirësojë sigurinë rajonale, do të forcojë krahun lindor të NATO-s dhe do të nxisë rritjen ekonomike”, shtoi ajo më tej.
VanHorn gjithashtu ndau një histori nga një prej të ftuarve.
“Më kontaktoi pasi mori ftesën. Ai më shkroi: “U rrita duke pritur që Flota e Gjashtë të na ‘pushtonte’. Ne i dëgjonim lajmet e Zërit të Amerikës në fshehtësi me shpresën se do të shpallnin një ngjarje kaq të rëndësishme. Kështu që në emër të të gjithë anëtarëve të familjes sime që nuk janë më me ne, dhe absolutisht të familjes sime të ngushtë, do të doja t’ju falënderoja që më bëtë dëshmitar të historisë”. Historia e tij tregon se sa shpejt dhe sa thellësisht mund të ndryshojë bota. Tani si aleatë të NATO-s, duhet të jemi gati t’i përballojmë ato ndryshime së bashku”, tha VanHorn.
“Së bashku, do të vazhdojmë të forcojmë partneritetin historik të mbrojtjes dhe sigurisë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, të mbrojmë territoret tona dhe të ruajmë popujt tanë”, përfundoi fjalën e saj E Ngarkuara me Punë e ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn.
Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ndau një foto në bordin e anijes “USS Mount Whitney”.
Spiropali theksoi se, kjo ndalesë simbolizon leancën e pathyeshme Shqipëri-SHBA si faktor i sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë.
“Në bordin e “Mount Whitney”, anija e parë luftarake që ankorohet në Porto Romano, me kapitenin Colin Price që drejton ekuipazhin e marinës amerikane në këtë ndalesë e cila simbolizon aleancën e pathyeshme Shqipëri-SHBA si faktor i sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.