
Spiropali në Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë: Mbështetje nga Kuvendi për arsimin special
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vizitoi sot, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë, ku u prit nga drejtori i shkollës, Emiliano Lule.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vizitoi sot, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë, ku u prit nga drejtori i shkollës, Emiliano Lule.
Instituti, i vetmi në Shqipëri për arsimin special dhe integrimin e fëmijëve që nuk shikojnë dhe atyre me vështirësi shikimi, ndjek ciklin 9-vjeçar për rreth 70 fëmijë dhe ofron kujdes dhe edukim 24-orësh.
Spiropali uroi të gjithë fëmijët që sot fillojnë shkollën.
Spiropali gjithashtu përgëzoi mësuesit dhe drejtuesit për nismën “Zëri Mund të Shkojë Aty Ku Shikimi Nuk Mundet!”, ku lexues vullnetarë dhurojnë zërin e tyre për fëmijët, duke krijuar një bibliotekë zanore që mundëson të mësojnë përmes dëgjimit.
“Përgëzoj edukatorët, mësuesit, ata që iu qëndrojnë pranë fëmijëve se kanë një mision të jashtëzakonshëm jo vetëm të dijes por edhe të edukimit, ndërgjegjësimit, të qëndrimit pranë ndaj fëmijëve që shkollën besoj unë si të gjithë ata që përpara tyre kanë kaluar në këtë vështirësi sidomos në këtë institut të fëmijëve që nuk shikojnë, nga ku ne kemi ardhur sot për të uruar të gjithë, këtë vështirësi që duhet ta kalojnë përmes investimeve më të mira, përmes punës, përmes programeve të reja dhe gjej rastin që nga ky institut i fëmijëve që nuk shikojnë, të uroj të gjithë dhe mbi të gjitha këta fëmijë që përballen në këtë fazë të parë të jetës me vështirësi të shtuara dhe pamundësi”, tha Spiropali.
“Më erdhi shumë mirë që shoh që në këtë institute ka patur investime të reja, ka patur përkujdes dhe pata rastin të shoh edhe programin e regjistrimit të zërit në studion e institutit ku fëmijë të gjimnazeve, apo edhe njerëz të kulturës dhe artit të japin zërin e tyre duke lexuar libra që fëmijët të kenë mundësi të dëgjojnë dhe mësojnë përmes dëgjimit, pasi zëri shkon aty ku syri nuk mundet siç e thoni ju”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Ajo theksoi mbështetjen e Kuvendit për arsimin special, përmes ligjit që mundëson shndërrimin e instituteve dhe shkollave speciale në qendra burimore, prodhimin e librave në Kodin Braille dhe mbështetjen e mësuesve ndihmës.
“Pata rastin të shikoj investimet që janë bërë për Kodin Braille që është kodi zyrtar i mënyrës si fëmijët që nuk shohin, lexojnë. I takova fëmijët dhe shoh që këtu përkujdesja edhe gjatë ditës dhe jo vetëm në orët e mësimit sepse ky është një institute që funksionon 24 orë, ku fëmijë nga gjithë Shqipëria edhe jetojnë së bashku. Përgëzoj stafin dhe i nxis që përkujdesja dhe ndjeshmëria të jetë e shtuar. Theksoj se pavarësia është parësore në këtë institucion për këta fëmijë dhe investimi në teknologji, në celularë, kompjuterë, në mënyrën si institucionet veprojnë, të gjitha programet në institucionet tona duhet të jenë kompatibël edhe për personat që nuk shikojnë”, u shpreh Spiropali.
Gjithashtu, Kuvendi mbështet grupet vullnetare “Miqtë e Fëmijëve” dhe “Miqtë e Personave me Aftësi të Kufizuara” për të qëndruar pranë fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Unë marr angazhimin që Kuvendi i Shqipërisë së pari të investojë në një program të tillë IT. Pashë që fëmijët ishin të vëmendshëm, mësonin gjuhë të huaja dhe teknologji. Uroj shumë që të jemi në lartësinë e kësaj detyre”, tha Spiropali.
“Vitin e kaluar Kuvendi i Shqipërisë kaloi një ligj që i kthen institute të tilla në qendra burimore. Me rëndësi që të miratojmë ligje të tjera, të nxisim nisma ligjore për programe arsimore dhe për investim në teknologji që të zbatojmë standardet më të mira të kujdesit për fëmijët me nevojat e veçanta”, tha ajo.
Po ashtu, shtoi Spiropali, “Grupi Miqtë e Fëmijëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe grupi Miqtë e Personave me Aftësi të Kufizuara do bëjnë maksimumin që ne të qëndrojmë pranë dhe të propozojmë dhe të nxisim nisma ligjore në të mirë të këtyre fëmijëve”.
Ky vit i ri shkollor sjell tekste falas për 236 mijë nxënës të arsimit bazë, shkolla të reja, laboratorë inteligjentë dhe programe të reja mësimore, duke vendosur fokus te cilësia, siguria dhe mbështetja për të gjithë fëmijët.
Burimi ATSH