
Kumbaro: 9 milionë vizitorë të huaj deri në gusht, 500 mijë më shumë se vjet
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se “në periudhën janar– gusht 2025 Shqipëria ka mirëpritur gati 9 milionë vizitorë të huaj, rreth 500 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se “në periudhën janar– gusht 2025 Shqipëria ka mirëpritur gati 9 milionë vizitorë të huaj, rreth 500 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024”.
Në fjalën e saj në aktivitetin “Shqipëria Turistike 2030”, për të vendosur piketat e rrugëtimit të mëtejshëm drejt Shqipërisë kampione e turizmit në rajon, duke reflektuar mësimet e reja të këtij sezoni, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, zv/kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe, Kumbaro tha se “vetëm në muajin gusht, Shqipëria ka pritur 2,38 milionë vizitorë, ose 200 mijë më shumë
ose 10% më shumë se muaji gusht i vitit të kaluar”.
“Janë flukse që tregojnë konsolidim të tregjeve tradicionale, përfshirë edhe vizitorët nga Kosova, që përkundër debateve shterpë të verës, vijojnë të jenë besnikë gjithëvjetorë të turizmit shqiptar, edhe gushti tregoi një rritje të lehtë krahasuar edhe me vitin 2024 apo tregje të tjera si Italia, që është kthyer në tregun e dytë më të madh të vizitorëve në Shqipëri”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “teksa rritemi ndjeshëm në tregje të reja që s’kanë qenë tradicionale për turizmin shqiptar, siç janë Gjermania me një rritje gati 21%, Franca, me 44%, Holanda që vijon të rritet nga viti në vit, Anglia, Belgjika, Shtetet e Bashkuara e deri në tregjet aziatike, si Kina me 28% më shumë se viti i kaluar”.
Më tej ministrja tha se “për turistët ky sezon ka pasur një vështirësi dhe ajo ka qenë vështirësia e zgjedhjes mes qindra aktivitetesh për t’u ndjekur çdo ditë”.
“TEA – Kalendari i Eventeve Turistike – nuk mbeti thjesht një App i instaluar nëpër telefona, por një udhërrëfyes që çdo ditë përmirëson vetveten me shërbime dhe informacione të reja, ndërsa këtë vit pasqyroi më shumë se 2100 evente turistike, mbi 145 mijë instalime nga pushues të ardhur prej 127 vendeve të botës dhe ku janë përfshirë 3.500 biznese që kanë ofruar shërbime”, tha Kumbaro.
Por, tha Kumbaro, teksa përmbyllim ditët e fundit të atij që quhet turizëm i plazhit, hyjmë në turizmin e vjeshtës dhe të dimrit me 80% të kapaciteteve hoteliere të rezervuara, sipas vetë konfirmimeve të sektorit privat dhe të tjera sfida na presin në turizmin natyror, sportiv, kulturor e të gastronomisë.
Nga ana tjetër, ministrja Kumbaro përmendi edhe projektet e mandatit të katërt të qeverisjes të mbështetura në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit 2025-2030 siç është projekti i përbashkët me Organizatën Botërore të Turizmit për të sjellë Akademinë Ndërkombëtare të Turizmit dhe të Mikpritjes si një bashkëpunim i Qeverisë Shqiptare dhe UN Tourism në Tiranë, Teknologjinë dhe Informacionin, Platformën e Integruar Digjitale të Turizmit, Regjistrin Kombëtar Digjital të Turizmit për të gjitha sipërmarrjet turistike, Platformën Digjitale e-Visitor për regjistrimin elektronik dhe gjurmimin në kohë reale të vizitorëve në strukturat akomoduese dhe çdo aktivitet tjetër të sektorit dhe një sistem të integruar të mbledhjes dhe analizimit të statistikave në sektorin e turizmit përmes “Sistemit Elektronik të të Dhënave në Turizëm”.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka sot të publikuar në regjistrin kombëtar të turizmit 972 guida turistike të certifikuara dhe 239 operatorë të turizmit detar të certifikuar.
/Burimi ATSH