
INSTAT: Eksportet e mallrave arritën 239 miliardë lekë, ulet deficiti tregtar vjetor
Eksportet e mallrave gjatë shtatëmujorit të këtij viti arritën vlerën 239 miliardë lekë, me një rritje prej 2,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë importet e mallrave u ulën në 515 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 2,1% me bazë vjetore

Eksportet e mallrave gjatë shtatëmujorit të këtij viti arritën vlerën 239 miliardë lekë, me një rritje prej 2,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë importet e mallrave u ulën në 515 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 2,1% me bazë vjetore
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin e tregtisë së jashtme për periudhën janar-korrik, ku njofton se deficiti tregtar për këtë periudhë ishte 276 miliardë lekë, me një ulje prej 5,8% krahasuar me 2024.
Sipas raportit të INSTAT, në muajin korrik 2025, eksportet e mallrave arritën në 35 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 5,7% krahasuar me korrikun e vitit 2024, por një ulje me 0,5% krahasuar me muajin qershor 2025.
Nga ana tjetër, importet arritën në 83 miliardë lekë, duke pësuar një ulje vjetore prej 2,4%, por një rritje mujore prej 9,1%. Si rezultat, deficiti tregtar i muajit korrik u llogarit në 48 miliardë lekë, 7,5% më i ulët se një vit më parë, por 17,3% më i lartë krahasuar me qershorin.
Sektorët që ndikuan në rritjen e eksporteve në korrik ishin: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 12,8 pikë përqindje; “Makineri dhe pajisje” me 1,2 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 0,8 pikë përqindje.
Ndërsa rënie e eksporteve u vu re në kategoritë “Materiale ndërtimi dhe metale” me 8,0 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 1,3 pikë përqindje.
Sa i takon importeve, u shënua ulje në grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” (-2,0 pikë përqindje), “Makineri dhe pajisje” (-1,7 pikë përqindje), ndërsa kontribuan pozitivisht grupet: “Ushqime, pije, duhan” (+0,9 pikë përqindje) dhe “Minerale dhe energji” (+0,7 pikë përqindje).
Tregtia e jashtme në muajin korrik reflekton një përmirësim të pozicionit tregtar të vendit në raport me një vit më parë dhe ritmet e rritjes i adresohen kryesisht sektorëve të industrisë.
/Burimi ATSH