
Kina: Qëndrueshmëria mjedisore mbështet zhvillimin e gjithanshëm cilësor
Doktrina aktuale më e rëndësishme e periudhës post moderne të globit, që njihet si Parimi Xi Jinping, ekzaktësisht “Ujërat e kthjellët dhe malet e harlisur janë ar dhe argjend”, është një doktrinë zhvillimore që përfshin parimet e zhvillimit të qëndrueshëm

Nga Dr. Enriko Ceko
Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm”
Doktrina aktuale më e rëndësishme e periudhës post moderne të globit, që njihet si Parimi Xi Jinping, ekzaktësisht “Ujërat e kthjellët dhe malet e harlisur janë ar dhe argjend”, është një doktrinë zhvillimore që përfshin parimet e zhvillimit të qëndrueshëm së bashku me idenë se mjedisi i shëndetshëm është pasuri ekonomike dhe se njeriu pa natyrën e humb gradualisht vetë-ekzistencën në mënyrë absolute.
Në thelb të kësaj ideje qëndron kushti se midis zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit nuk ka kontradikta dhe se të dyja mund të ecin në mënyrë paralele, duke mbështetur dhe përforcuar njëra-tjetrën.
Vinça me qafë të bardhë në Rezervatin Kombëtar Natyror të Deltës së Lumit të Verdhë në Provincën Shandong, më 18 tetor të vitit 2022/Xinhua
Deri dy a tre dekada më parë të tërë filozofët, ideologët, politikanët dhe ekonomistët më në zë në mbarë botën mendonin se tre burimet më të rëndësishme për zhvillim ishin burimet njerëzore, burimet financiare dhe lëndët e para, të para këto të treja vetëm në aspektin e shfrytëzimit të tyre, për të krijuar produktivitet, me anë të të cilit matej rritja ekonomike dhe jo në aspektin e mirëmenaxhimit, mbrojtjes dhe rinovimit të këtyre burimeve.
Në fakt, rritja ekonomike është vërtetuar se jo domosdoshmërisht përbën përmirësim të cilësisë së jetës, sepse është vetëm një nga indikatorët e shumtë të matjes së ecurisë ekonomike, të mesatares individuale të të ardhurave dhe prodhimit kombëtar.
Për të paktën dy dekadat e fundit për një shumicë njerëzish në mbarë botën, përfshirë edhe ekspertë të shumtë, është bërë e qartë se edhe kapitali natyror (uji i pastër, ajri i pastër, pyjet, biodiversiteti, flora, fauna, etj., në shërbim të njeriut në mënyrë shkencore) është po aq i vlefshëm sa kapitali njerëzor, financiar dhe lëndët e para.
Në lidhje me lëndët e para duhet theksuar këtu se ato vijnë kryesisht vetëm nga dy aktivitete njerëzore që janë veprimtaria bujqësore/blegtorale (që sjell rreth 95% të lëndëve të para në glob) dhe veprimtaria minerare (që sjell pjesën tjetër, 5%). Janë pikërisht këto lëndë të para që vijnë nga bujqësia/blegtoria dhe minierat, që përdoren si produkt i gatshëm apo si lëndë të para gjysëm të përpunuara apo të përpunuara tërësisht, për të bërë të mundur prodhimin e tërë pjesën tjetër të produkteve dhe shërbimeve që gjejmë në treg.
Dëmtimi i mjedisit, humbja e përkohshme dhe e përhershme e vetive të tij, sjell humbje ekonomike afatgjata, sepse kjo sjell shkatërrimin e mundësive për të gjetur, prodhuar dhe përpunuar burime të rëndësishme, nga të cilat varet edhe zhvillimi i sektorëve dhe industrive dhe zhvillimi i vetë njerëzimit.
Xi Jinping është ai që ndryshoi konceptin e zhvillimit nga “të prodhojmë sa më shumë edhe pse ndotim mjedisin sepse më pas kthehemi dhe e pastrojmë mjedisin”, në parimin themelor që “mjedisin e mbrojmë përgjatë procesit të zhvillimit si komb dhe si individë”. Kjo është arsyeja që tashmë në Kinë integrimi i aspekteve mjedisore në politikat e zhvillimit, planifikimit urban, industrial dhe bujqësor, është një praktikë dhe politikë standarde.
Fshati Yucun, Anji, Huzhou, Zhejiang, ku Xi Jinping e përdori për herë të parë shprehjen “Ujërat e kthjellët dhe malet e harlisur janë ar dhe argjend”. /Foto nga VCG
Xi Jinping e përdori për herë të parë shprehjen “Ujërat e kthjellët dhe malet e harlisur janë ar dhe argjend” në vitin 2005, kur ishte sekretar i partisë në provincën Zhejiang. Në atë kohë, për shkak të industrializimit të shpejtë, disa zona përballeshin me disa dukuri që kishin të bënin me ndotjen e shtuar, që vinte pikërisht për shkak të industrializimit të shpejtë.
Ai tha: “Asnjë zhvillim nuk justifikon shkatërrimin e mjedisit”.
Që nga ajo kohë si pjesë e politikave të Kinës për trajtimin e mjedisit si kapital, krahas atij njerëzor, financiar dhe lëndëve të para, janë bërë (1) Programi i pyllëzimit masiv (Great Green Wall of China) për të luftuar shkretëtirëzimin, (2) Mbyllja e fabrikave që ndotnin mjedisin dhe zhvendosja e tyre në zona me standarde më të larta teknologjike (3) Investimet në energji të rinovueshme (diellore, erë, hidrocentrale), për të zëvendësuar energjinë që emeton dioksid karboni.
Pra, në thelb, kemi idenë “dëshira për pasurim afatshkurtër nuk mund zëvendësojë natyrën, sepse natyra e shëndetshme është burimi kryesor i pasurisë afatgjatë”, ide që tregon rrugën unike të Kinës drejt zhvillimit me cilësi të lartë dhe të qëndrueshëm.
Por jo vetëm, kjo qasje sjell një strategji sistematike për pjesën tjetër të botës që edhe pse është e pasur me burime natyrore, njerëzore dhe financiare, që dukshmërisht është tepër e cenueshme nga ana mjedisore dhe që është në kërkim të transformimit ekonomik, ku transformimi i gjelbër është pjesa më e rëndësishme.
Dilema me të cilën pothuajse 25 vite më parë u përballën banorët e Fshatit Yucun (Provinca Zhejiang) për të mbyllur operacionet ndotëse të industrive dhe për t’u përqendruar në qëndrueshmërinë mjedisore dhe në transformimin ekologjik, frymëzoi ndryshime të ngjashme në të gjithë vendin, ndryshime që rezultuan si një model nxitës të fuqishëm për krijueshmërinë, inovacionin, qëndrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse.
Sanjiangkou, Qyteti Yibin, Provinca Sichuan, më 30 qershor të vitit 2022/Xinhua
Zhvillimi dhe transformimi i gjelbër tashmë janë pjesë e rëndësishme e agjendave kryesore kombëtare nw mjaft vende të zhvilluara dhe në zhvillim, përfshirë dhe (1) vizionin afatgjatë të zhvillimit të vendit, (2) planet pesëvjeçare të zhvillimit, (3) mekanizmat e politikave, (4) arkitekturën institucionale të Kinës, etj.
Vizioni i Presidentit të Kinës, Planet pesë vjeçare të zhvillimit, mekanizmat e politikave dhe arkitektura institucionale e Kinës kanë krijuar kushtet për (1) krijimin e zonave pilot të financimit të gjelbër (për të kanalizuar kapitalin drejt sektorëve me karbon të ulët), (2) miratimin e kornizave të ruajtjes së biodiversitetit, (3) ristrukturimin e politikave industriale (për të reflektuar përparësitë ekologjike), (4) miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Lumit Jance, (5) krijimin e një sistemi të unifikuar të parqeve kombëtare (6) hartimin e programeve ambicioze të ripyllëzimit në Kinën veriore, etj.
Tashmë pas 20 viteve të këtij vizioni kemi rezultate konkrete me ndikim të gjerë.
· Kina udhëheq botën në kapacitetin e instaluar të energjisë së rinovueshme.
· Është një nga tregjet e automjeteve elektrike me rritjen më të shpejtë.
· Mbikëqyr iniciativën më të madhe të pyllëzimit në nivel global.
· Ka mbjellë në dhjetë vitet e fundit mbi 68 milionë hektarë pyje të reja, duke u renditur e para në botë për sa i përket sipërfaqes pyjore të mbjellë rishtazi, dhe gjithashtu ka krijuar sipërfaqen më të madhe në botë të pyjeve të mbjella.
· Cilësia e ujit është përmirësuar gjithashtu ndjeshëm me 84.9% të seksioneve të ujërave sipërfaqësore.
· Kina po bën përpjekje për të ndërtuar sistemin më të madh të parqeve kombëtare në botë, ku jetojnë më shumë se 30% e specieve kryesore të jetës së egër.
· Kina ka dëshmuar një rënie prej 36.7% të emetimeve të dioksidit të karbonit, dendësia e PM2.5 ra me 57% dhe numri vjetor i ditëve me ndotje serioze të ajrit ra me 92%.
Janë pikërisht këto aspekte që jo vetëm tregojnë fuqizimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë mjedisore të Kinës, por e pozicionojnë Kinën si një kontribuuese kryesore në përpjekjet globale për qëndrueshmëri ekonomike dhe mjedisore.
Kopshti i çajit ekologjik të gjelbër Yanzike, qyteti Xingcun, qyteti Wuyishan, Provinca Fujian, më 6 maj të vitit 2022/Xinhua
Një mbështetje të rëndësishme në këtë proces ka dhënë edhe financimi i tranzicionit të gjelbër, si një mekanizëm thelbësor, paralelisht me harmonizimin e standardeve vendase me taksonomitë ndërkombëtare të financimit të gjelbër.
Duket qartë se kjo qasje ka ndikuar pozitivisht edhe në bashkëpunimin e Kinës në arenën ndërkombëtare, kryesisht me anë të Iniciativës “Një Brez, Një Rrugë”, Iniciativës për Zhvillim Global dhe Inciativës për Qytetërim Global, me anë të të cilave Kina ka nisur një rrugë të pandalshme partneriteti për zhvillim të gjelbër, duke mbështetur projekte të infrastrukturës së rinovueshme dhe promovuar miratimin e standardeve të gjelbra.
Zhvillimet e viteve të fundit në botë tregojnë se mekanizmat e tregut nuk mund të ofrojnë garanci mjedisore, qëndrueshmëria e ekosistemeve dhe ecuria ekonomike janë të lidhur ngushtë me ndjesitë lokale të qytetarëve pjesëmarrës në vendim marrje dhe qëndrueshmëria mjedisore duhet të jetë e pandashme nga barazia sociale dhe duket se në këto kushte arritjet e Kinës në fushën e qëndrueshmërisë mjedisore paralelisht me arritjet e mëdha ekonomike, kanë patur dhe do vazhdojnë të kenë një ndikim të padiskutueshëm.
Burimi CGTN