
Duka: Përballja me Serbinë është thjesht një ndeshje futbolli
Në një intervistë për emisionin “Andale Sport”, Duka foli për organizimin për herë të parë në vendin tonë të një Kampionati Europian, objektivat për të ardhmen, kampionatin “Abissnet Superiore”, si dhe për ndeshjen e Kombëtares shqiptare ndaj Serbisë më 7 qershor.

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, deklaroi sot se përballja me Serbinë është thjesht një ndeshje futbolli.
Në një intervistë për emisionin “Andale Sport”, Duka foli për organizimin për herë të parë në vendin tonë të një Kampionati Europian, objektivat për të ardhmen, kampionatin “Abissnet Superiore”, si dhe për ndeshjen e Kombëtares shqiptare ndaj Serbisë më 7 qershor.
“Edhe kjo ndeshje e ka sensibilitetin, por edhe eksperiencën që ka Shqipëria në organizimin e ndeshjeve kundër Serbisë apo pak a shumë si ndaj Greqisë. Ajo që duhet përqendruar është rezultati sportiv sepse në këtë grup, çdokush që ndjek futbollin e projekton Anglinë si vendin e parë dhe kjo ndeshje na jep mundësinë të vazhdojmë të ëndërrojmë ose na e zbeh atë”, thekson Duka.
“Nga pikëpamja sportive vazhdoj të mendoj që është e vështirë dhe ka presion edhe për djemtë që luajnë. Kërkesat janë të larta dhe stadiumi do jetë i tejmbushur. Uroj mos të jetë presion që e ndrydh ekipin tonë, por të jetë një shtysë për t’i rritur drejt një rezultati pozitiv. Uroj që ekipi jonë ta shfrytëzojë pozitivisht”, vijoi Duka.
I pyetur mbi mundësinë e incidenteve në Tiranë.
“Ne bëjmë bashkëpunimin me institucionet organizative. Dhe i bëjmë thirrje gjithë mbështetësve ta shohin si një ndeshje futbolli. Të bashkëpunojnë me ne për të pasur një organizim pozitiv, me emocionet e një ndeshje futbolli. Incidentet nuk ndihmojnë askënd. Le të mbështesim skuadrën dhe të ecim përpara”, tha Duka.
Kreu i FSHF u shpreh se synohet dyfishimi i numrit të fëmijëve që luajnë futboll.
“Kjo është një nga objektivat kryesore që ka Federata, por edhe një sfidë e vështirë, pavarësisht se kemi bërë progres. Ka 2 arsye themelore. Fatkeqësisht ka më pak fëmijë në Shqipëri dhe e dyta ka infrastrukturë të mangët. Ne kemi përmirësuar nga ana kualitative, edhe impiantet stërvitore, por mungon inventari fizik i fushave të futbollit”, u shpreh Duka.
“Mungon futbolli i rrugës dhe e vetmja mënyrë është të ketë futboll të organizuar me strukturë të organizuar. Realisht mungon aty ku duhet të ketë më shumë, në qytetet me densitet të madh si Tirana.
“Sepse sipërfaqet e lira në Tiranë janë të limituara ose janë shfrytëzuar për ndërtime. Ne luftojmë për t’u rritur dhe kemi bërë projekte për ta shtuar inventarin, duke ofruar financime dhe grante edhe për çdo bashki apo individ që do të bëjë një fushë futbolli”, shprehet Duka.
I pyetur mbi emërimin e Igli Tares, si drejtor sportiv të Milanit, Duka tha se “(Tare) është me shumë vullnet dhe punon shumë. Ka punuar shumë. Kam besim dhe e ka treguar që atë detyrë e bën mirë. Kjo nuk është një krenari personale, por krenari për një shqiptar që bën sukses në arenën ndërkombëtare. Sukseset tona në arenën ndërkombëtare nuk janë të shumta që ne mos të krenohemi që kemi drejtorin sportiv të Milanit me origjinë shqiptare. Aq më shumë që unë në një lloj mënyre jam mbështetës i Milanit”.
Lidhur me organizimin e EURO-21 në Shqipëri, Duka tha se “kemi përgatitur çdo plan. Ka qenë faza e garimit për të marrë të drejtën e organizimit të kampionatit. Kemi përcaktuar stafin dhe jemi gati. Është më e vështirë se U17 sepse është i dyti për nga rëndësia e Europianit në UEFA. Niveli i vështirësisë është i lartë.
“Kemi përcaktuar ku do luhet, ku do bëhen stërvitjet, dhe vendet e akomodimit, dhe kemi 2 vjet kohë për ta përgatitur. Jam i sigurt që do ta bëjmë në mënyrën më perfekte të mundshme. Vendimi për të marrë një kampionat me Serbinë nuk është i lehtë. Ky është një organizim sportiv. Kampionatet do të luhen në 2 vende të ndryshme.
“Mesazhi për mua është pozitiv. Ne duhet të shohim përpara. Gjithë bota flet për marrëdhënie të paqta dhe zhvillim, ndaj edhe fëmijëve tanë nuk duhet t’u lëmë luftë, por paqe”, deklaron Duka.
Kreu i FSHF tha se është “propozuar të bëhet një paketë ligjore që mbështet futbollin, duke marrë shembull edhe nga vendet e tjera. Është e njëjta si ligji hungarez, i cili ka dhënë një rezultat të jashtëzakonshëm. Një ligj që parashikon të drejtën e financimit nga biznesi, ose të zbritjes së tatimit nga biznesi. E bën edhe Kosova dhe ka pasur sukses. Jo vetëm kjo, por siç edhe e thashë duhet edhe organizim më i mirë i vetë klubeve. Incentivimi, ngritja financiare e dërgon në një hap tjetër”.
“Ka një premtim që do të bëhet këtë vit dhe unë shpresoj shumë që të bëhet këtë vit. Nuk është thjesht një donacion për sportin apo futbollin. Është një investim, sepse futbolli t’i kthen lekët. Ne jemi dëshmitarë të tregut që krijon futbolli, ekonomisë që krijon futbolli. Sepse edhe sot futbolli ka impakt në ekonominë e vendit”, nënvizoi Duka.
Burimi ATSH