
Rama: Jetike të dëgjojmë njerëzit, nisim përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, mblodhi sot në Pallatin e Brigadave deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, si dhe kandidatët për deputetë, për të festuar

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, mblodhi sot në Pallatin e Brigadave deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, si dhe kandidatët për deputetë, për të festuar fitoren.
Gjatë fjalës së tij Rama u dha socialistëve edhe 3 porosi. Së pari, Rama tha se Akademia Politike duhet të hapë në gjysmën e dytë të qershorit një sesion të posaçëm për deputetët që hyjnë për herë të parë në Kuvend, ku do të duhet edhe ndihma e deputetëve të vjetër.
“Na duhet një volum pune përgatitore i konsiderueshëm deri në shtator dhe po prek shumë përciptas disa pika që ju ftoj t’i pasurojmë në ditët në vijim me propozime të tjera. Së pari Akademia Politike duhet të hapë në gjysmën e dytë të qershorit një sesion të posaçëm për të gjithë deputetët dhe deputete që do të hyjnë për herë të parë në Kuvend ku do të duhet ndihma e kontributi i deputetëve dhe deputetëve me përvojë, pavarësisht se nëse do të jenë apo nuk do të jenë në legjislaturën e ardhshme në Kuvend dhe besoj se nuk do të mungojë gatishmëria për këtë ndihmë”, tha Rama.
Së dyti, Rama iu kërkoi socialistëve organizimin e mbledhjeve me në fokus dëgjimin dhe problematikat e qytetarëve.
“E dyta duhet të organizojmë disa mbledhje të mëdha pune 1 apo 2-ditore në Tiranë dhe jashtë Tiranës me grupet kyçe të interesit për suksesin e mandatit të katërt ku të ulemi shumë shtruar dhe të përpiqemi të marrim vesh sa më shumë, në mënyrë që të kuptojmë sa më shumë, se sa dhe ku dhe si duhet të vetëkorrigjohemi me protagonistë të botës së inovacionit teknologjik, me fermerët dhe agropërpunuesit, me përfaqësuesit e ndërmarrjeve prodhuese dhe me radhë lista është e hapur për propozime, por thelbi është një kohë e artë dhe është një nevojë jetike që ne dëgjimin e njerëzve që jetojmë përditë me problematikat që në përpiqemi t’i zgjedhim nga lart ta bëjmë shterues. Jam i bindur që do të mësojmë shumë dhe do të jemi më të sigurt në hapat që do hedhim më tej”, tha Rama.
Së treti, Rama kërkoi nisjen e përgatitjeve për zgjedhjet vendore.
“Së treti nën udhëheqjen e drejtuesve politikë duhet të nisim përgatitjen e hartave të veprimit për zhvillimin e qarqeve drejt Shqipërisë 2030 dhe duhet të nisim paralelisht punën për zgjedhjet e ardhshme vendore”, tha Rama.
Burimi ATSH