
Linda Rama: Jam entuziaste, shqiptarët i besuan Edit një mandat shumë të fortë
Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, ka folur sot në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar

Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, ka folur sot në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar. “Shqipëria duhet të jetë në Europë, ja kemi dalë të krijojmë këtë nivel besimi”, tha ajo, duke shtuar se ka akoma shumë gjëra për të ndryshuar.
“Ka një frikë te brezat e prindërve tanë që është përcjellë, për të mos shkuar në bankë dhe për të mos marrë hua. Po të shihni raportin, ka ende një frikë nga qasja në bankë ndaj vazhdon të ketë një ekonomi me para në dorë dhe një drojë të shkosh në bankë të paraqesësh një projekt-biznes sepse nuk kemi punuar mjaftueshëm me këtë. Ne ende nuk jemi të aftë ta njohim rininë në mënyrën si është. Nëse do të shohësh median, skenat publike janë të mbushura me njerëz të moshës së mesme apo të madhe, por nuk sheh shumë të rinj. Sepse nuk i njohim, ama po t’i shohësh nga afër ata kanë një fuqi që ne nuk e kemi”, u shpreh Linda Rama.
Teksa vuri theksin te lobimi i saj i fortë për rritjen e angazhimit të të rinjve dhe grave në shoqëri, rrëfeu se është tejet e entuaziaste për këtë mandat të Edi Ramës.
“Unë mendoj se me të gjitha publikimet që kam nxjerrë, projekte e diskutime, por edhe duke ruajtur atë lloj trysnie timen mbi Edin, përpiqem të sigurohem që gratë, të rinjtë të marrin sa më shumë vëmendjw nga qeveria e politikbërësit. Më duhet të eksploroj më tej, Edi është tashmë në mandatin katërt. Jam shumë entuziaste, e mallëngjyer thellësisht sepse ndjeva sikur po lidhej filli mes prindërve tanë dhe asaj çka ëndërruam në ’92-in për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Duket sikur një fill po lidhet pas kaq shumë vitesh, shqiptarët i besuan Edit një mandat shumë të fortë. Një përgjegjësi e jashtëzakonshme, ndjej peshën për të mos zhgënjyer askënd nga ata që e ka dhënë këtë mbështetje dhe për të lejuar të rinjtë të çelin një shteg krejt të ri, me një nivel tjetër angazhimi.”
/tvklan.al