
Forumi ndërkombëtar FII në Tiranë, Rama: Mund të çelim epokë të pabesueshme edhe në Europë
Kryeministri theksoi se Shqipëria është partner strategjik i Bashkimit Europian dhe SHBA-së, por ka po ashtu partneritete të ngushta edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet e Gjirit.

Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot me një fjalë forumit ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), platforma globale që mbledh në Tiranë liderë politikë, drejtues të korporatave më të mëdha në botë për diskutimin e inovacionit, investimeve dhe të ardhmes së ekonomisë botërore.
Kryeministri theksoi se Shqipëria është partner strategjik i Bashkimit Europian dhe SHBA-së, por ka po ashtu partneritete të ngushta edhe me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendete Gjirit.
“Përpiqemi të përcjellim mesazhin se ky vend do më shumë dhe ka nevojë për më shumë njerëz që të na besojnë. E mira e Shqipërisë është se siç e shihni ne jemi miq të mirë me shumë njerëz. Ne duam që miqtë e të ftuarit të thonë se ne jemi partnerë strategjik të BE-së, SHBA-së, por jemi edhe mjaft të bekuar të themi se kemi partneritete të ngushta me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet e Gjirit. E shohim me admirim atë që po ndodh në këto vende, vizionin, shtysën e Madhërisë së tij të Emirateve të Bashkuara Arave, por po përpiqemi të mësojmë nga realitete të ndryshme, nga pjesë të ndryshme të jetës dhe të marrim më të mirën prej tyre”, tha Rama.
Kryeministri iu referua edhe organizimit në Tiranë të Samitit të VI të Komunitetit Politik Evropian, ndërsa u shpreh se kjo as nuk do të imagjinohej 10 apo 5 vite më parë.
“Kemi bërë një rrugë të gjatë tanimë, jemi dëshmitarë të rezultateve të ndryshimeve që po realizojmë dhe kjo është një gjë që ashtu që na jep kënaqësi dhe na tmerron se përgjegjësia është shumë më e madhe dhe kërkesa për të pasur rezultate në nivele më të larta. Dje zhvilluam një samit fantastik dhe kuptuam se sa e ndërlikuar është që të organizohet një eveniment kaq i madh por mendoj se ja dolëm mirë”, tha Rama.
Ndërkohë Rama tha se kohërat që jetojmë janë të ndërlikuara dhe Europa mund dhe duhet të mendojë të bëjë të pamendueshmen.
“Kontrollova fjalorin Webster ku fjala më e përdorur është polarizim. Për fjalorin Collins fjala numër një ishte epokë. Vazhdoj të besoj me të gjithë fuqinë time se kur Donald Trump thotë se Zoti e shpëtoi sepse ka një plan për Amerikën, ai thotë në fakt vetëm gjysmën e së vërtetës. Besoj se gjysma tjetër e së vërtetës është se Zoti e shpëtoi se ka një plan edhe për Europën”, tha Rama.
Ndërkohë Rama shprehu bindje se një epokë e artë mund të çelet edhe për Europën.
“Dua ta ndaj me ju këtë dhimbje që kur dëgjova presidentin e SHBA-së të fliste për një epokë të artë që po afronte ndjesia ime ishte që në fakt duke i uruar më të mirën SHBA-së, një epokë e artë mund të çelet edhe për Europën. Gjithçka do të varet nga sa shpejt do të mendojmë jashtë kornizës, sa do të veprojmë e kuptojmë se në këtë botë ku çdokush tjetër po bën të pamendueshmen, Europa ka vazhduar të mendojë njësoj siç mendonte përpara këtij momenti të shfaqur në jetën tonë. Europa mund dhe duhet të mendojë të bëjë të pamendueshmen dhe unë besoj se nuk është shumë e vështirë të kuptosh se si mund të duket kjo gjë e pamendueshme. Përvoja, kultura e ndryshimit duhet të fillojë dhe ne mund të çelim një epokë vërtetë të pabesueshme për Europën”, tha Rama.
Ndërsa vlerësoi se ky Forum i mbledhur sot në Tiranë është etaloni i përpjekjes për të menduar ndryshe, Rama shprehu përkushtimin ndaj gjithçkaje që do të dalë prej këtej e gjithkënd se mund të ketë ndjesinë se mund të kthehet në Shqipëri për të investuar e qëndruar.
Burimi ATSH