
Rama: Dyfishojmë ndihmën për fëmijët me aftësi speciale, nga 2026 rikonceptojmë Bonusin e Bebes
Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga takimi në Burrel për prezantimin e Paketave Sociale të qeverisë, deklaroi sot se varfëria në Shqipëri sipas ekspertizës së Bankës Botërore për vitin e kaluar ka shkuar në 21% nga 41% që ka qenë në vitin 2016.

Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga takimi në Burrel për prezantimin e Paketave Sociale të qeverisë, deklaroi sot se varfëria në Shqipëri sipas ekspertizës së Bankës Botërore për vitin e kaluar ka shkuar në 21% nga 41% që ka qenë në vitin 2016.
Rama tha se Banka Botërore është një nga institucionet më të besueshme botërisht për ekspertizën që ka dhe në raportet që bën për nivelet e varfërisë dhe sipas Kryeministrit Banka Botërore thekson në raportin e vitit të kaluar se në Shqipëri varfëria ka rënë në mënyrë domethënëse. “Dhe sipas Bankës Botërore, varfëria ka shkuar në 21%, nga 41% që ka qenë në 2016.
Dhe, thotë Banka Botërore, kjo ka ndodhur si rezultat i rritjes së fortë të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe parashikohet rënie e mëtejshme, ku në 2024 varfëria ka rënë nën 20%. Duhet të kemi parasysh që po të shikojmë një tjetër element që është konsumi, atëherë e parë nga një kënd tjetër varfëria është bërë shumë më relative seç ka qenë”, tha Rama.
Duke folur për nivelin e konsumit në rang vendi, por edhe në qarkun e Dibrës, Kryeministri u shpreh se konsumi i familjeve shqiptare në tërësi, në këtë periudhë të qeverisjes socialiste është rritur me afro 35%, ndërsa në qarkun e Dibrës konsumi është rritur me 11.2%.
“Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar që është themeli në sensin e parasë që ka vendi kur ne kemi marrë detyrën ka qenë më pak se 10 miliardë euro në total, në vitin 2024 ka arritur në 25 miliardë euro. Është dy herë e gjysmë rritje në një dekadë, duke pasur parasysh çfarë kemi hequr në mandatin e parë, që ishte mandati i nxjerrjes kokë nga gropa, jo i daljes, ky është një kapërcim historik”, u shpreh Rama.
Kreu i Ekzekutivit u ndal gjatë fjalës së tij edhe te buxheti i mbrojtjes sociale, që ka arritur në shifrën e 300 milionë eurove, ndërsa sipas Ramës kur qeveria socialiste mori detyrën kishte mbi 100 mijë familje në ndihmë ekonomike.
“Sot, numri i tyre ka rënë në afro 50 mijë, ndërkohë që fondi për ndihmën ekonomike është dyfishuar. I kombinuar buxheti i mbrojtjes sociale me shëndetësinë për vitin 2025 është 1 miliard euro. Po të vijmë te përbërja në rang vendi e familjeve në ndihmë ekonomike, kanë qenë mbi 15% dhe sot janë në 7%. Është një shifër ku ka akoma vend për ulje, sepse ka filluar kthesa edhe për një arsye tjetër, sepse një pjesë e këtyre që kanë dalë nga ndihma ekonomike jetojnë më mirë sot pasi janë të punësuar. Ne kemi hapur një rrugë punësimi duke ju thënë atyre që ja ku janë mundësitë e tua për punësim dhe trajnim”, nënvizoi Rama.
“Kemi bërë disa politika më specifike në ndihmën ekonomike, për familjet me tre dhe më shumë fëmijë. Ndihmën ekonomike e kemi dyfishuar për gratë kryefamiljare deri me dy fëmijë, për 5200 individë mbi 65 vjeç të vetmuar, dhe trefishuar për fëmijët pa kujdes prindëror dhe gratë viktima të dhunës dhe trafikimit”, cilësoi Kryeministri.
Sipas Ramës, familjet në ndihmë ekonomike kanë 28 lloje përfitimesh jo me para të drejtpërdrejtë, por me kompensim të energjisë elektrike, libra shkollorë falas, çerdhe dhe kopshte falas, me bursa për fëmijët nga familje në ndihmë ekonomike, etj.
“Këto janë disa të vërteta shumë të thjeshta, ashtu siç janë financuar nga Qeveria shqiptare 84 shërbime të reja sociale. Gjysma e vendit nuk kishte asnjë shërbim social. Këtu kur vije ishte vetëm statuja e Ahmet Zogut, gropa, pluhur dhe ferra. Sot, ndryshimi është shumë i ndjeshëm dhe shumë i dukshëm. Janë 32 shërbime për personat me aftësi të kufizuar, janë 19 shërbime për të moshuarit, janë 27 shërbime për fëmijët, 9 për viktimat e dhunës dhe 1 shërbim për personat LGBT”, vijoi Rama.
“Nënat e papuna me tre fëmijë e më shumë, shteti u paguan sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që mos t’i lërë pa pension. Do t’i thellojmë më shumë këto, nxitjen e punësimit dhe nxjerrjen nga ndihma ekonomike e të gjithë atyre që janë të aftë për punë. Do të dyfishojmë ndihmën për fëmijët me aftësi speciale dhe për nënat e tyre. E treta, do ta rikonceptojmë programin e Bonusit të Bebes nga viti 2026, në vend të ndihmës financiare me çek, do ecim me një tjetër skemë më të avancuar, me pagesa mujore, 2, 3 dhe 5-vjeçare sipas numrit të fëmijëve”, pohoi Rama.