“Trëndafila dhe qiparisa”: Eksplorim mjeshtëror i njerëzores

“Trëndafila dhe Qiparisa”, tregime, Ornela Musabelliu, “RL Books”, Bruksel, 2024


Nga Arbër Ahmetaj

***

“Frika! Frika! Frikë nga merimangat, frikë nga rrjetat e pasigurive, frikë nga… frikë se u dashurova edhe me mungesën sa me prezencën e tij, me hijet sa me dritën e tij, me tradhtinë po aq sa me besnikërinë…”
“Buzëqeshja jote – varreza e hirtë e fjalëve të mia.”

“Trëndafila dhe Qiparisa” është përmbledhja e parë me tregime e prozatores Ornela Musabelliu. Emri i saj ka qenë prezent në shtypin letrar që nga fundi i viteve ’90, ndaj dhe ardhja e saj me këtë vëllim tregimesh është bërë natyrshëm.
Tridhjetë e gjashtë tregimet e këtij libri tregojnë qartësisht pjekurinë e saj si tregimtare dhe një autore që i njeh mirë kodet narrative, arkitekturën e tregimit, njësinë e kohës, gjeografinë dhe aksionin, si dhe ngritjen progresive të tensionit dramatik brenda tekstit. Te disa prej tregimeve, mbyllja është aq e papritshme sa të krijon përshtypjen e gabuar se spontaniteti i rrëfimit është diçka e lehtë për t’u arritur, ndërkohë që, në të vërtetë, kërkon një mjeshtëri të jashtëzakonshme dhe dedikim.
Ka tregime, si: “Zemërimi”, ku duket sikur nuk ndodh asgjë, përveç një ndezjeje të brendshme, brejtjeve psikologjike të personazhit, që e ka të vështirë të pajtojë natyrën e lëkurës së vet, por ndez mijëra llamba alarmi përmes të cilave sheh botën përreth si një kërcënim të vazhdueshëm. Ekzagjerimi i egos së brendshme gjendet edhe në tregime të tjera, si: “Dua më shumë”, por me natyrë e përmbajtje krejt tjetër. Kjo gamë rrëfimesh tregon se luhatje të tilla psikologjike, kur shkruhen me mjeshtëri, sjellin gjendje me të cilat lexuesi identifikohet lehtësisht.

Një pjesë e madhe e interesimit të autores përqendrohet në subjekte që duken si “të huaja” për moshën e saj. Shumë tregime, si: “Këpucët”, “Trëndafila mes qiparisave”, “Pritja”, “Zonja Ryjkebys”, “Kujdes çfarë dëshiron”, “Komoja e plakushit”, “Çifti”, etj., kanë në përmbajtje problematikat e perëndimit të jetës, e moshës së njeriut, mënjanimit dhe vetmisë. Sidomos vetmisë, kjo diagnozë vdekjeprurëse, jo vetëm fizike, por shkatërruese edhe nga pikëpamja psikologjike, para se trupi të dorëzohet.

Musabelliu sjell me përkujdesje subjekte dhe personazhe melankolike e realiste, burra dhe gra, që pas një jete të tërë, ku kanë dhënë gjithçka për shoqërinë, përballen, përveç me gjëra të mira, si: sjelljet njerëzore me ta, përkujdesjet e vogla, gëzime dhe përjetime emocionale që hijeshojnë jetën e tyre, edhe me frikën dhe ankthin që ndjell afrimi i fundit. Te “Pritja” dhe “Çifti” kemi, përveç notave të theksuara humaniste, edhe një bashkëngjitje prekëse emocionale mes çifteve të moshës së tretë, ndërsa tek “Tatuazhi” i jepet rëndësi asaj që mund të quhet “lehtësia e domosdoshme e të pranuarit të moshës”.

Aty-këtu, autorja sjell grimca të shndritshme të fëmijërisë dhe rinisë, që kanë mbijetuar në shpirtin e këtyre burrave dhe grave të moshuar, duke kujtuar lexuesit se personazhet e saj kanë qenë të rinj para nesh dhe dinë një a dy gjëra më shumë për jetën.

Histori të mrekullueshme, po aq të trishta dhe ankthndjellëse, të afta të sjellin përjetime të cilat, prej vetë natyrës dhe errësirës së tyre vetmitare, janë të vështira për t’u përshkruar në tekste letrare, vijnë përmes tregimeve: “Dënimi”, “Lidhëset” dhe “Përdhunimi”. Misteri i vuajtjes dhe së keqes, fataliteti i qenies sonë si vdekatarë, dështimet dhe arritjet, ato shkëlqime të rralla emocionesh të dashurisë dhe përkujdesjes mes njerëzve, i japin jetës së personazheve arsye për të vazhduar.
Të tjera tregime përshkohen nga një lirizëm i thellë, që vjen përmes regjistrash të ndryshëm shkrimi, shpesh përmes afirmimit të lirisë individuale, por edhe ankthit që ngjall rrjedha e pamëshirshme e kohës apo ndonjë kujtim shkatërrues nga fëmijëria, si tek tregimi “Dita e Nënës”. Në disa raste, përmes një vegimi ëndërror, që vështirë se mund të pranohet si realitet i përjetuar, vijnë në tekst pasione përvëluese të cilave u jepet jetë veç në fantazi, si tek “Të panjohurit”, “Shën Valentini i kuq” dhe “Punishtja”.

Ajo që bie në sy në këto tregime është se shumë prej tyre duken sikur e kanë nisjen te një ngjarje e zakonshme dite – një ndarje, një aksident, një vrasje, një vizitë në varreza – por autorja e ka kapërcyer “zakonshmërinë e padobishme” të këtyre subjekteve dhe ka krijuar personazhe me individualitet të skalitur, me përjetime dhe pyetje të thella, që veprojnë me një natyrshmëri shpartalluese, larg çdo manjerizmi apo artificialiteti emocional.
Një fëmijë i dënuar, i mbyllur në banjë, të moshuar që s’dinë si t’ia bëjnë me ditët e vetmisë, njerëz të frustruar prej shpirtvogëlsisë, burra dhe gra në kërkim të pasioneve frymëzuese apo të lodhur prej marrëdhënieve që stërgjaten pa kuptim; një çift që zgjohet në një dhomë hoteli dhe secili për vete përpiqet të kuptojë se si ka përfunduar aty, apo dy tjerë që gabojnë tubetin e lubrifikuesit me një ngjitës, një vrasëse merimangash dhe një maniak i gjuhës shqipe, një vajzë që merr një të fejuar me qira, skenari “live” i një filmi që shkruhet dhe luhet në të njëjtën kohë, me pasoja tragjike, një vajzë që s’e kupton pse ka aq dhunë në familjen e saj dhe kërkon paqe në një shëtitje mes varresh; oborri i zonjës Ryjkebys, që hutohet nga zërat gazmorë të dy vogëlushëve dhe dhjetëra personazhe dhe rrëfime të tjera, që shpesh i afrohen fantastikes, të habitshmes, magjikes, pa iu larguar me ulërima realitetit të përditshëm.
Nga ana gjuhësore libri është, ndër më cilësorët në letërsinë e sotme shqipe, ku shfaqet edhe mjeshtëria e autores si redaktore e talentuar letrare, në botimet shqipe sot. Retorika nuk është aspak artificiale; dialogjet janë të natyrshme dhe gjuha e personazheve i shkon përshtat kastës, moshës dhe kultivimit nga vijnë.

Një pjesë e tregimeve janë metafora brenda metaforash dhe veç një lexim i vëmendshëm të bën të kuptosh se rrëfimi nuk është i rastësishëm, por i qëllimshëm e i strukturuar me durim, për të shmangur gjithçka që nuk i duhet tekstit.

Ky libër që do të merrni në dorë, do t’ju marrë për dore në një udhëtim ku do gjeni edhe veten.

***

“Trëndafila dhe Qiparisa”, tregime, Ornela Musabelliu, “RL Books”, Bruksel, 2024, ISBN ‎ 9782390690290.

***

Përmbledhja me tregime për të cilën bëra këtë shënim për lexuesit e gazetës ExLibris, gjendet te libraria Bukinisti në Tiranë, gjendet edhe te RLbooks.com, Amazon etj.

Ibrahimaj: Shqipëria po shihet si një platformë rajonale zhvillimi

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se Shqipëria po hyn në një fazë të re të transformimit…

Global 360

Osmani pret Begajn: Kosova e Shqipëria, gjithmonë pranë njëra-tjetrës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj

Diplovista

Rama mbron Shqipërinë në rrugën drejt BE-së: Krimi është problem kudo, edhe Brukseli nuk është më mirë

Në një intervistë për Euronews, kryeministri Edi Rama tha se vendi i tij e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

“Bashkë drejt integrimit evropian!”

Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot urimin e tij për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, në të gjitha trevat rajonale…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Ibrahimaj: Shqipëria po shihet si një platformë rajonale zhvillimi

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se Shqipëria po hyn në një fazë të re të transformimit…