Ismeti, “i çmenduri” i Cerenit

Ismeti ka një ëndërr tjetër, por që ai është i bindur që do ta realizojë…


Nga Lutfi Dervishi

Nëse shkruan në google fjalën Ceren, gjigandi i teknologjisë të shfaq edhe emrin Ismet, edhe mbiemrin Shehu.

Vegza shoqërohet me vendndodhjen e dy restoranteve bashkë me vlerësimet pesë yje të atyre që kanë drekuar, darkuar apo kaluar një aventurë aty.

Profili i 35 vjeçarit në rrjet duket i thjeshtë edhe pse gjatë 7 viteve të fundit ka dëgjuar shpesh t’i thonë: “i çmendur”.
E ka dëgjuar këtë epitet nga goja e nënës, nga shokët e ngushtë dhe nga të afërmit kur u ka treguar se çfarë kishte ndërmend të bëjë. Ishte veç një që nuk e quante të “i çmendur”, babai!

Jam i çmendur, por “in a good way”.

Ky është shpjegimi kryesor që ka sot ku anglishtja futet menjëherë në bisedë për shkak të tetë viteve që ka kaluar në shtetin ishullor.

Aty nuk mësoi veç gjuhën, por edhe idetë apo përvojën të cilat i solli duke hapur lokalin e pare në Ceren, (Surrel, Dajt) ku i mori para borxh edhe tezes për të paguar qiranë.
Ai kishte një pasion që e shndërroi në dashuri dhe profesion, ku të gjitha bashkë kombinuan një biznes mbi gatimin cilësor.

“Më jep disa erëza dhe barishte të freskëta dhe unë do të bëj mrekulli, thotë ndërkohë që lëviz duart me shpejtësinë e një adoleshenti që luan fortnite.

I veshur me një bluzë të bardhë, pantallona treçerekësh ngjyrë të gjelbër, atlete të bardha dhe në kokë një kapele ngjyrë kafe, ai ngjan më shumë me një të ri kurioz për ambientin në të cilin ndodhet, sesa me një sipërmarrës që ka ëndërr “ta njohë jo vetëm Diaspora dhe Shqipëria, por edhe bota”.

“Duhet të zgjedhësh nëse do të bëhesh kuzhinier për të kaluar jetën apo kuzhinier për ta shijuar atë. Nëse je te e para të mjafton vetëm piperi i zi”, kujton Ismeti këshillën që i ka dhënë pedagogu i tij në Londër, Martin Taylor.

Kur të gjithë studentët largoheshin pasi përfundonte praktika, djaloshi me origjinë nga Radomiri i Dibrës, qëndronte duke pastruar kuzhinën dhe ambientin e ndenjes. Një mbrëmje, gjatë pastrimit vullnetar, z. Taylor duke i rrahur lehtë shpatullat i tha:
“një ditë ti do të bëhesh dikushi”.
-A je ti sot dikushi?
-Mundet, thotë dhe nxiton të shtojë se sot të gjithë ata që e konsideronin të çmendur kanë shtuar krenarinë pak e nga pak ashtu siç hidhen erëzat në një gatim që do kohë për t’u përgatitur, por shijohet pafund.

“Unë eksperimentoj shumë, recetat i bëj vetë. Çdo natë përpiqem të bëj provëza me gatimet dhe nëna është ajo që pasi i shijon aromën, vendos buzën në gaz, ca nga kënaqësia po aq edhe nga meraku për orët e punës që hyjnë në kohën e gjumi”, thotë ai teksa vijon:

Po të njëjtën fjalë me buzë në gaz (“i çmendur”), ka pasur edhe kur i tregova vendin afër Dajtit, ku do të merrnim me qira lokalin e parë në vitin 2017, pak kohë pas kthimit nga Britania.

Në një vend që nuk ta mbushte syrin, unë i them nënës: “Do t’ia shohim hajrin” dhe që ditën e parë të hapjes së lokalit, parkimi plot, rruga plot… dhe sigurisht zemra plot nga lumturia”.

Por fjalët “Ti je i çmendur!”, do t’i dëgjonte sërish tri vite më vonë, në kohën e pandemisë (2020) kur vendosi të hapë lokalin e dytë “Ceren Kalaja” në Tiranë.

“Çmenduria” arriti nivele të tjera, dy vite më pas, kur vendosi të marrë një kredi 1.5 milionë euro dhe të hapë Kazerma-Ceren, ku sot janë punësuar mbi 100 vetë dhe në një ditë fundjave mund të drekojnë/darkojnë 1000 persona. Madje, mbase duket habi, por rezervimet i ngjajnë biletave të ndonjë koncerti.

I gjithë ky sukses nuk del papritur nga ibriku i kuzhinës së tij si të ishte xhind dëshirash. Kryefjala e jetës tij ka qenë puna.

Mê shumë se gjysmen e viteve të jetës së tij e ka kaluar duke punuar. Pasi u largua nga Shqipëria, pa mbaruar shkollën, 16 vjeç, nisi punën në Itali në ndërtim.

Pas aventurës një vjeçare përtej Adriatikut, nisi ajo drejt Anglisë ku gotat dhe pjatat që lante ishin miqtë e parë të cilëve u fliste për ëndrrat që kishte.

E kur ke ëndrrat, rrugët gjenden, kështu mundi të bëjë një shkollim 3 vjeçar për “Hospitality” që e nderuan me titullin shef kuzhine.

Peshën e këtij titulli e ndjeu akoma edhe më shumë kur si një 20 vjeçar i shërbeu Mbretëreshës Elisabet, duke shënjuar një tjetër ëndërr, nga ato që shihen pak herë në jetë, por mbahen mend pafundësisht.

“Kurrë nuk harroj që të falenderoj Zotin! Kurrë nuk harroj të përulem para klientëve që besuan e besojnë te unë. Kurrë nuk harroj të vlerësoj të rinjtë që më përngjajnë me veten time dikur dhe sot i kam si krah të djathtë dhe dua që nesër të jenë partner!”, thotë ai teksa shpesh përsërit lutjet për forcë dhe shëndet.

Një problem në zemër dhe shija e keqe që i la një biznesmen shqiptar, (nuk e pagoi për punën e kryer), bëri që 28 vjeçari të vendosë të bëhet zot i vetes në atë që e quan “jetë të dytë”. Për këtë, ngre dolli sa herë të mundet për dy kirurgët duarartë që ka vendi, Edvin Priftin dhe Altin Veshtin.

Pas daljes nga spitali këtu, babai shkoi të punonte në Itali që Ismeti të mos punonte më, por ndërkohë ai e kishte ndarë mendjen.
“U ktheva në vitin 2015 në atdhe jo për biznes, por për të qenë pranë familjes. Aty ku punoja, i thosha pronarit: “Nuk dua rrogë, por thjesht më vlerëso”, tregon Ismeti teksa heq një paralele edhe me punonjësit e tij sot.

“Përpiqem t’u ofroj atë që do të doja të më ofronin edhe mua kur gjendesha në pozitat e tyre. Përveç rrogës, u jap bonuse speciale. E di çfarë? Rroga ime më e madhe që kam marrë ka qenë 1400 paund, e ndërsa sot një kuzhinier tek unë merr dy milionë lekë”, rrëfen ai duke shpjeguar që pagat përpiqet t’i rrisë në varësi të performancës së secilit.

Biseda me Ismetin bëhet në një “orë të fjetur” të pasdites te stacioni i ri që ka vetëm katër muaj që e ka hapur, në lokalin më të fundit, Ins, përbri stadiumit Arena në kryeqytet.

Edhe aty duhet të presësh në radhë nëse do të shijosh një “brunch” apo drekë.

Unë kam marrë një shishe ujë, ndërsa ai ka nisur një dietë me një lëng që duket dardhe, por është një përzierje qitro, xhinxher dhe karrotë.

“Duhet të dobësohem. Kam qenë 95, tani jam 84. Të gjithë kuzhinierët janë të shëndoshë për shkak se provojnë ushqimet orar e pa orar.”

Lokalin e ri e ka hapur edhe si sfidë ndaj opinionit të fiksuar që “Ismeti di të gatuajë mirë vetëm mishin”.

Kur jam këtu, thotë, mendjen e kam te puna tjetër.

Puna tjetër? Ceren Surrel, Ceren Kalaja? Apo?
Është Kazerma – Ceren. Aty përveç restoranteve të përshtatura mbi rrënojat e një ish reparti ushtarak, ka ngritur edhe një bujtinë me 15 dhoma.

Një vizitë te Kazerma nuk mjafton për të përshkruar as vendin dhe aq më pak shijen dhe atmosferën që përcjell ambienti i kururar me kujdes. Në fundjavë duhet të kesh fat të gjesh vend. I them se sot është më lehtë, mund ta ndjekë punën pa qenë atje, përmes kamerave.

Por Ismeti nuk i hap kamerat sepse çdo moment e ka vetë një fotografi të asaj që ndodh në vendet ku ka projektuar ëndrrat e veta.

Enigma lidhet sa me të shkuarën e tij si adoleshent ashtu edhe me të tashmen e adoleshentëve që punojnë për të.
“Je i çmendur – më thonë disa shokë kur reagoj me buzëqeshje se “po vjedhin kamarjerët”. Nuk mund të kërkosh përgjegjësi nga një adoleshent. Si mund të shpenzosh kohë për një të ri që merr pesë mijë lekë? Dikur në Angli, kur edhe unë isha në këtë moshë, më jepte shefi i kuzhinës një pako djathë apo një fileto viçi për ta çuar në shtëpi. Është një përvojë që e kam kaluar. Më vonë, pas disa viteve, në një situatë tjetër kam thënë jo. Nuk kam pranuar të punoj në banak sepse e dija që aty është më lehtë të abuzosh. Nuk i gjykoj njerëzit aq më tepër të rinjtë. Nuk mund të kërkosh përgjegjësi nga një i ri. Është tjetër gjë kur dikush ka krijuar familje”

Planet për të ardhmen?

Ismeti nuk bën plane. Anglia e ka mësuar që të jetë me “këmbë në tokë” dhe të mos shohë se çfarë ka arritur tjetri. “Tetë vjet atje nuk e dija dhe kurrë nuk e mësova sa e ka rrogën shoku me të cilën punoja.

Klienti edhe këtu, edhe atje është Mbret, por këtu është dhe tekanjoz dhe i paduruar. Atje klientit i ofron një gotë birrë dhe ai të falenderon, buzëqesh dhe pret me qetësi. Këtu pasthirrma: “O djali”, shoqërohet edhe me ngritjen e dorës fërkimin e gishtit të shkurtër me gishtin e madh dhe…zhurma e prodhuar të kujton “krismën” e thatë të një pushke druri. Kemi problem me komunikimin”.

Ushqimi është kulturë. Jashtë rri edhe një orë në radhë. “Ne na mungon kultura e rezervimit”.

Në këtë moment Ismeti kujtohet për diçka dhe merr kohë duke pirë lëngun ngjyrë dardhe. Mbushet me frymë dhe në sytë e tij pikas një “fajtor”.

“I kërkoj ndjesë deri në përgjërim, njerëzve që kanë agjëruar dhe nuk kanë patur mundësi të hanë te Kazerma sepse ka qenë plot, por ata kanë shkuar pa rezervuar.”

Biznes i vështirë

Ismeti është i bindur se i është futur një biznesi të vështirë që e ndërton me muaj dhe vite, por mund ta shkatërrosh me minuta.

Sot ka tre “Ceren” dhe së shpejti do të hapë të katërtin, këtë radhë në Jug. Biznesi për të është bërë i vështirë jo vetëm për shkak të konkurrencës.

“Janë a nuk janë 250 mijë njerëz që mund të jenë klientë restorantesh. Këtu kemi shumë të pasur dhe shumë të varfër. Shresa e mesme po zvogëlohet. Ai kujton gjithashtu edhe çmimet në rritje. “Nëse para 4-5 vitesh një kg djathë nape e merrja 4500 lekë, sot është 10 mijë. Një kg mish qingji ishte 7 mijë dhe sot është 13 mijë. Unë e shes 13.500”, thotë Ismeti.

Mësimi më i madh që ka marrë është kur ka dështuar. Nisi një investim për një magazine frigoriferike dhe humbi. Në bisedë vjen natyrshëm thënia: “Nëse di si të rritesh limon, mos provo të bësh asgjë tjetër në jetë, as limonatë”.

Tek lista e dëshirave të tij është dhe një ëndërr e re. Në çdo qytet të Shqipërisë të ketë një Ceren. (Ceren është fshati në Radomir të Dibrës ku ka lindur babai dhe gjyshi)

Por kjo ëndërr e tij merr një grusht ujë të ftohtë.

“Këtu pastruesja ka turp që punon si pastruese. Kamarjeri nuk poston në rrjete sociale se i vjen zor që është kamarjer. Kuzhinjeri nuk ndihet mirë që është i tillë. Ne themi se jemi njerëz mikpritës. Por fjala nuk mjafton. Duhet që mikpritja të shprehet me zemër”.

Një tjetër ëndërr, por që është i bindur që do ta realizojë është të bëjë pushimet bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët. “Deri më tani pushojmë të ndarë sepse nuk e lëmë dot punën “vetëm” për asnjë moment. Ëndrrat e mëdha kërkojnë shumë punë.”

Çfarë mendon sot Ismeti për “biznesmenin” që nuk e pagoi për punën e kryer?
-Dua ta harroj dhe i kam thënë edhe nënës: “bëja hallall”.

Nuk mundem më tha nëna, por unë e binda. I thashë: “po të mos ishte ai me shpirtin e zi, unë nuk do të isha sot ky që jam”.

Për nënën flet më shpesh. Për babain i vetmi që nuk i ka thënë “i çmendur” flet më rrallë.

Ai i ka lënë një amanet: “Kam djersitur kaq vite larg familjes në Itali, Amerikë dhe Angli dhe dua që asnjë qindarkë të mos jetë haram”.

Njeri nuk të bën pasuria!- thotë Ismeti, “Sot unë mund të fitoj pak, por kur shoh lokalin plot e ndjej veten miliarder”.

-A e di çfarë kuptimi ka emri yt Ismet? – e pyes.
-Jo, nuk e di. Di që është emër turk. Lidhet diçka me fatin?
– Ismet do të thotë i drejtë, i lidhur me parime morale, i pastër i ndershëm, i mbrojtur nga Zoti për këto cilësi…
-Ahh atëherë marshallah. Nuk qenkam i “çmendur”!

Hoxha takim me ambasadoren franceze: Bashkëpunim për çështjet e sigurisë dhe migracionit

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zhvilloi sot bashkëbisedim me ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Hoxha takim me ambasadoren franceze: Bashkëpunim për çështjet e sigurisë dhe migracionit

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha zhvilloi sot bashkëbisedim me ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.