Theksohet në Mynih roli i Kinës si një bastion i stabilitetit global

Konferenca e Sigurisë në Mynih është një forum ndërkombëtar vjetor i përqendruar në diskutimet dhe debatet lidhur me politikën globale të sigurisë.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Konferenca e Sigurisë në Mynih është një forum ndërkombëtar vjetor i përqendruar në diskutimet dhe debatet lidhur me politikën globale të sigurisë. Zakonisht mbledh zyrtarë të lartë, politikanë, ekspertë dhe udhëheqës nga vende të ndryshme, përfshirë kryetarët e shtetit, ministra të mbrojtjes dhe përfaqësues nga organizata ndërkombëtare. Ajo shërben si një platformë për trajtimin dhe shqyrtimin e sfidave të mëdha të sigurisë globale, si tensionet gjeopolitike, zgjidhjen e konflikteve, kontrollin e armëve dhe kërcënimet e reja. Zakonisht diskutimet në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC) reflektojnë gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kontribuojnë në formimin e politikave dhe strategjive në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.


Ministri Wang Yi në Konferencën e Sigurisë të Mynihut(Foto:MPJ)

Këtë vit MSC u zhvillua nga data 16 deri 18 shkurt, në një kohë tejet delikate, ku bota po ballafaqohet me tensione gjeopolitike në rritje dhe pasiguri ekonomike, ku konfliktet po transformojnë globalizimin duke fragmentuar më tej rrjedhat tregtare. Është një kohë trazirash ku kriza e Ukrainës vazhdon, konfliktet janë rindezur në Lindjen e Mesme dhe po dalin sfida të reja nga sferat e inteligjencës artificiale, ndryshimet klimatike, etj. Si një forum i rëndësishëm vjetor për politikat ndërkombëtare strategjike dhe të sigurisë me ndikim global, e quajtur ndryshe edhe “Davosi i mbrojtjes”, Konferenca vjetore e Sigurisë së Mynihut këtë vit mblodhi rreth 60 krerë shtetesh dhe mbi 180 zyrtarë qeveritarë, personel mbrojtës dhe ushtarak, si dhe ekspertë të sigurisë nga e gjithë bota.

Më 17 shkurt 2024, një mesazh nga Ministri i Jashtëm i Kinës u shpalos në Mynih si mesazhi i një kombi të përkushtuar për të qenë një forcë e qëndrueshme për stabilitet në një botë të dëmtuar nga turbulencat. Megjithatë, në mes të kësaj vorbulle, angazhimi është i qartë: Kina, si një vend i madh i përgjegjshëm, do të qëndrojë e palëkundur, me parimet dhe politikat e saj të qëndrueshme. Këto nuk janë thjeshtë deklarata, janë një vërtetim dhe një premtim për të qenë një bastion i stabilitetit në një botë që kërkon dëshpërimisht një dorë të qëndrueshme.

Fokusi u vendos në fjalët e Wang tek bashkëpunimi midis vendeve të mëdha, ku u ripërsërit një mesazh i thellë – konkurrenca midis vendeve kryesore nuk është tendenca e kohës. Sa më i paqëndrueshëm të jetë peizazhi ndërkombëtar, aq më e madhe është nevoja për koordinim; sa më të mprehta të jenë rreziqet, aq më e domosdoshme është nevoja për bashkëpunim.

Duke u fokusuar në vendet e mëdha, u vu në dukje se në 45-vjetorin marrëdhënieve diplomatike Kina-SHBA, është mirë të kujtohet se kur “gjigantët bashkëpunonin”, pati arritje të mëdha për kombet dhe botën. Në fjalët e Wang lexohet një thirrje për të ecur përpara në rrugën e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit të favorshëm.

Nga ana tjetër, u bë e qartë njohja e Rusisë si shteti më i madh fqinj i saj, si një marrëdhënie dypalëshe e bazuar në mosaleancë, moskonfrontim dhe refuzim për të shënjeshtruar ndonjë palë të tretë.

Dhe patjetër, Kina dhe Evropa, si forcat, tregjet dhe qytetërimet kryesore të botës, duhet ta shohin njëra-tjetrën si partnerë, duke injektuar energji pozitive në një botë të paqëndrueshme, vazhdoi Wang.

Theksi mbi bashkëpunimin midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe me Rusinë dhe Evropën, është një dëshmi e besimit se bashkëpunimi midis lojtarëve kryesorë mund të sjellë përfitime të jashtëzakonshme për të dy kombet dhe për të gjithë botën.

Adresimi i çështjeve të pikave të nxehta zuri vend qendror në fjalimin e Wang, me një qasje unike kineze që thërret për mosndërhyrje, paanshmëri dhe zgjidhje politike të konflikteve. Ndërmjetësimi i suksesshëm në pajtimin historik midis Arabisë Saudite dhe Iranit për shembull, u theksua jo vetëm si një arritje, por si një testament për zbatimin e një Iniciative të Sigurisë Globale.

Fjalimi u kthye në “padrejtësinë më jetëgjatë në botë” – çështjen e Palestinës. Qëndrimi i vendosur i Kinës në anën e duhur të historisë, përpjekjet e saj për t’i dhënë fund katastrofës humanitare dhe thirrjet për një shtet të pavarur të Palestinës nuk janë thjesht manovra diplomatike, por një qëndrim moral kundër padrejtësisë.

Për krizën në Ukrainë, angazhimi i palëkundur për të promovuar paqen dhe përpjekjet e palodhura për të lehtësuar bisedimet, nënvizuan përkushtimin e Kinës për zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e konsensusit për paqen.

Duke kaluar në qeverisjen globale, thirrja për të rigjallëruar multilateralizmin dhe për të forcuar rolin e Kombeve të Bashkuara pasqyroi një kuptim të thellë të nevojës për veprim kolektiv përballë sfidave globale.

Kontributet e Kinës, si përpjekjet paqeruajtëse për të mbështetur iniciativat për ndryshimet klimatike, shfaqën një komb të angazhuar aktivisht në ofrimin e të mirave publike globale. Angazhimi për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve, së bashku me një qëndrim të vendosur ndaj Tajvanit, i shtuan peshë thirrjes për një arkitekturë më të ekuilibruar dhe efektive të qeverisjes globale.

Në promovimin e rritjes globale, Wang trajtoi shqetësimet në lidhje me ekonominë kineze me një dëshmi të gjallërisë, elasticitetit dhe një angazhimi për zhvillim me cilësi të lartë. Refuzimi i shkëputjes dhe theksi mbi bashkëpunimin i bëri jehonë ndjenjës se ekonomia botërore ishte një oqean i ndërlidhur dhe jo liqene të izoluara.

Thirrja për të punuar së bashku, për të kërkuar skenarë të favorshëm dhe për të sjellë më shumë siguri në botë rezonoi jo vetëm si retorikë, por si një thirrjë e vërtetë për përpjekjet bashkëpunuese në formësimin e një të ardhmeje më të ndritshme për njerëzimin.

Wang Yi pati një vizitë tejet të ngjeshur në Gjermani pasi përveç fjalimeve dhe tryezave, u takua edhe me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell, Ministren e Jashtme kanadeze Mélanie Joly, kancelari gjerman Olaf Scholz, me Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba dhe Sekretarin e Shteti të ShBA-ve, Antony Blinken.


Ministri Wang takohet me Blinkenin (Foto:MPJ)

Vizioni i Kinës për stabilitetin dhe bashkëpunimin

Në një botë të karakterizuar nga turbulenca dhe sfida, është thelbësore të përqendrohemi në forcat pozitive që mund t’i shtyjnë marrëdhëniet ndërkombëtare drejt stabilitetit, bashkëpunimit dhe prosperitetit të ndërsjellë. Deklarata e fundit nga Wang si qëndrim zyrtar i Kinës në skenën globale, në sfondin e një peizazhi global që ndryshon me shpejtësi, përshkruan një vizion që jo vetëm përfshin nota pozitive, por gjithashtu shton mesazhe bashkëpunimi dhe përgjegjësie të përbashkët.

Një nga gurët themelorë të vizionit të Kinës është angazhimi i saj për të nxitur bashkëpunimin midis vendeve të mëdha. Duke njohur përgjegjësitë kritike që kombet e mëdha mbajnë mbi supe për stabilitetin strategjik global, Kina është për një koordinim të zgjeruar përballë një peizazhi të paqëndrueshëm ndërkombëtar. Duke theksuar respektin reciprok, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin me fitime të ndërsjella, Kina kërkon të ndërtojë ura dhe të nxisë marrëdhënie pozitive.

Qasja proaktive e Kinës për adresimin e çështjeve të nxehta nënvizon më tej angazhimin e saj për zhvillim global. Duke punuar në mënyrë aktive drejt pajtimit dhe stabilitetit, Kina dërgon një mesazh pozitiv për mundësinë e zgjidhjes së çështjeve komplekse ndërkombëtare përmes diplomacisë dhe bashkëpunimit.

Miratimi i qeverisjes globale dhe multilateralizmit spikat si një shtyllë tjetër e vizionit të Kinës. Në një kohë kur unilateralizmi dhe politikat e pushtetit tensionojnë sistemin ndërkombëtar, Kina ripohon rëndësinë e forcimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe të ruajtjes së parimeve të saj. Kina pozicionohet si një forcë konstruktive për të adresuar sfidat globale në mënyrë kolektive. Angazhimi për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe për të mbështetur bashkëpunimin ndërkombëtar për qeverisjen e inteligjencës artificiale e përforcon më tej aktivizimin e saj për një qasje bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse ndaj çështjeve madhore.


Këshilli i Sigurimit i OKB-së(Foto:VCG)

Roli i Kinës në promovimin e rritjes globale karakterizohet nga optimizmi dhe hapja e ekonomisë. Elasticiteti i ekonomisë kineze dhe kontributi i saj në një të tretën e rritjes globale pasqyrojnë jo vetëm aftësinë ekonomike të Kinës, por edhe angazhimin e saj për të qenë një forcë shtytëse në ekonominë globale. Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe duke hedhur poshtë nocionin e shkëputjes, inkurajohet një mentalitet që e sheh globalizimin ekonomik si një prirje të pakthyeshme. Ftesa për botën për të punuar së bashku, si pasagjerë në të njëjtën varkë, simbolizon një udhëtim të përbashkët drejt sigurisë dhe një të ardhmeje më të mirë për njerëzimin.

Duke vënë në dukje se ekonomia e Kinës mbetet jetike dhe elastike, Wang u zotua se Kina do të hapet më gjerë, do të sigurojë një mjedis më të mirë biznesi për kompanitë globale dhe do të ofrojë komoditet për shkëmbimet e personelit.

Shpeshherë në analizat ekonomike vendoset pyetja, kush do të jetë “Kinë tjetër, ose Kina e së ardhmes?” Në fakt, historia e suksesit ekonomik të Kinës ndër dekada ka nxitur projeksione se vende të tjera do të arrijnë shkallë të njëjtë e të lartë produktiviteti, zhvillimi, inovacioni, etj. Për vite të tëra është shkruar shumë mbi potencialet e Indisë, Indonezisë, disa vendeve afrikane, Brazilit, e shumë të tjera, por asnjë nuk është afruar në shkallë dhe në magnitudë të bëjë atë që ka arritur Kina ekonomikisht. Dhe, për të theksuar atë që është përgjithësisht e pranuar në komunitetin global të biznesit dhe në fjalët e Wang Yi në Mynih…”Kina tjetër, do të jetë sërish Kina.” Duke lenë të kuptohet se kapaciteti ekonomik, investues, inovues, konsumues dhe produktiviteti i Kinës është dhe do të mbetet injektuesja më e madhe e sigurisë ekonomike në rang global.

Si fundmi, vizioni i Kinës për një të ardhme të përbashkët kapërcen kufijtë dhe parashikon një botë ku mbizotërojnë forcat pozitive të bashkëpunimit, duke çuar në një të ardhme më të paqtë dhe më begatë për të gjithë. Mesazhi nga Ministri i Jashtëm i Kinës u shaplos në Mynih si mesazhi i një kombi të përkushtuar për të qenë një forcë e qëndrueshme për stabilitet në një botë të dëmtuar nga turbulencat. Mes kaosit të një aktualiteti ku ekonomitë globale janë tronditur nën peshën e proteksionizmit, ku keqpërdoren shqetësimet e sigurisë, ku unilateralizmi dhe “politikat e bllokut” kërcënojnë përditë rendin ndërkombëtar, zëri i Kinës u ngrit mbi zhurmën, luftën, konfliktet dhe ndasitë.

Burimi: CRI.CN

Gazheli: Porto Romano, pikë orientimi për tregun rajonal

Volumet e përpunuara për muajin prill, priten të arrijnë në 270 mijë tonë kargo të ngurta dhe në 120 mijë…

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Fjala është e para!

Na pëlqejnë fjalët e mençura dhe i marrim me vete! Ndaj fjala mbetet e para dhe e fundit si ajri…

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Gazheli: Porto Romano, pikë orientimi për tregun rajonal

Volumet e përpunuara për muajin prill, priten të arrijnë në 270 mijë tonë kargo të ngurta dhe në 120 mijë…