O sa mirë me qenë i varfër!

Është koha që të gjithë të dalin në protesta për të kërkuar rritjen edhe më të madhe të taksave dhe çmimeve!


Nga Lutfi Dervishi

Ata që mendojnë pasurinë, nuk ia duan të mirën vendit. Por ne jemi me fat që lideri dhe qeveria jonë e duan aq shumë këtë vend sa po bëjnë gjithçka për ta mbrojtur nga rreziqet që sjell pasuria.

Strategjia për një Shqipër të varfër po funksionon!

Ndërsa pjesa tjetër e botës po përpiqet për rritje ekonomike dhe prosperitet, ndërsa vendet futen në luftëra tregtare dhe luftëra të vërteta për burime, Shqipëria po ecën me vendosmëri në rrugën e varfërimit.

Historia, kjo mësuese e pagabueshme, na mëson se vendet e pasura shkojnë me këmbët e veta drejt rrënimit.

Të frymëzuar nga pësimet e perandorive më të mëdha të historisë, qeveria po bën gjithçka që Shqipëria të mos ketë fatin e Athinës së Perikliut dhe Perandorisë. Këto qytetërime u shembën jo për shkak të korrupsionit, jo për shkak të zgjerimit të territorit apo presionet e jashtme, por thjesht nga fakti se grumbulluan shumë pasuri.

Është e qartë se zgjidhja për të gjitha problemet tona dhe garancia që kombi të mbijetoj në këto kohë të trazuara është që të bëjmë çmos të mos pasurohemi.

Kush ka nevojë për rrugë, spitale e shkolla?

Vendet që janë bëra të pasur kanë investuar deri 30% të GDP për arsimi, ne bëjmë mirë që nuk investojmë as 3%.

Nuk është e lehtë për një vend si Shqipëria të mbetet vend i varfër! Pasuritë e shumta natyrore janë rrezik i vazhdueshëm. Të jesh i rrethuar me ujë, të kesh naftë, krom, dete e liqene, të jesh në Mesdhe, të kesh fqinjë qytetërimin grek e romak nuk është e lehtë të jeshi varfër.

Mjeshtria e kësaj strategjie qëndron te keqmenaxhimi në shkallë të lartë i fondeve publike.

Deri më tani e kemi ditur gabim se koncesionet, PPP, investitorët strategjike janë afera korruptive! Jo. Janë instrumente strategjikë që garantojnë stabilitetin e vendit.

Ta harrojmë njëherë e mirë investimin në arsim, shëndetësi, teknologji, inovacion apo në programet e mirëqenies sociale – këto janë qartazi kurthet në të cilat ranë Athina e Perikliut dhe Perandoria Romake.

Vendimi që fondet publike të përdoren për çdo gjë jo produktive është gjetje gjeniale.

Por keqmenaxhimi i fondeve publike është vetëm njëra anë e medaljes!

Në realizimin e objektivit: “sa më të varfër aq më mirë” qeveria po prezanton një sërë taksash të reja që sigurojnë që vendi ynë i dashur të mbetet në prag të varfërisë. Rritja e çmimeve dhe taksave janë provuar si instrumente efikase, por nuk mjaftojnë.

Dekurajimi i investimeve të huaja është efikas për të mos patur produktivitet dhe po jep rezultate të kenaqshme, por mund të bëhet edhe më shumë.

Ndërsa bota ecën përpara me shkencë, teknologji, me administrate publike të pavarur dhe profesionale, me rritje ekonomike,dhe investime të huaja qasja e qeverisë tonë që mendon strategjikisht është: në mos kthim prapa, asnjë hap para!

Në fund të fundit, pse duhet të shqetësohemi me gjëra të tilla si standardi i jetesës, punësimi, jetëgjatësia, dhe konkurrueshmëria globale?

Çështje të tilla të parëndësishme zbehen në krahasim me mundimin për të përballuar jetesën.

Pasuria të rrit kolesterolin!

Pasuria shkakton obezitet!

Pasuria të streson!

Pasuria të shkatërron!

Prandaj te ne qeveria kujdeset që të mos rriten rrogat, pensionet, asistenca sociale.

Përkushtimi i qeverisë për të na mbajtur të varfër është sa rraskapites aq edhe mahnitës. Por qytetarët nuk po bëjnë detyrën siç duhet. Qeveria ka mbetur e vetme.

Si përfundim, ne jemi vërtet me fat që kemi një qeveri dhe një lider që e kupton se çelësi i suksesit të një kombi nuk qëndron te prosperiteti, përparimi apo mirëqenia, por te kultivimi me plan të mirëmenduar i varfërisë. (Jo më kot, sot, studiuesit me në zë flasin për rrënimin e Perëndimit.
Strategjia brilante për keqmenaxhimin e fondeve publike, mbytjen e konkurrencës, uljen ekonomike dhe rritjen e korrupsionit po jep rezultate të dukshme dhe të prekshme për të gjithë.

Por për këtë duhet edhe kontributi i të gjithëve. Psh qeveria ka lajmëruar rritjen e takses së banesës.

Është koha që të gjithë të dalin në protesta për të kërkuar rritjen edhe më të madhe të taksave dhe çmimeve! Qeveria nuk ia del dot e vetme në betejën për të qenë të varfër. Duhet edhe ndihma jonë, ndryshe do të na prese fati i Perandorisë Romake. Shkatërrimi.

Lexo më shumë nga

Tirana mikpret ceremoninë e hapjes së Javëve Kulturore Ndërkombëtare

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri, plot me surpriza dhe stacione të reja

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Tirana mikpret ceremoninë e hapjes së Javëve Kulturore Ndërkombëtare

Javët Kulturore Ndërkombëtare nisin rrugëtimin e tyre të tretë në Shqipëri, plot me surpriza dhe stacione të reja