
Rama: Duar të huaja nxisin protestën përmes dezinformimit, s’ka serbë në polici dhe nuk kanë ardhur izraelitë
Kryeministri Edi Rama deklaroi se protesta frymëzohet nga duar të huaja.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se protesta frymëzohet nga duar të huaja.
Gjatë një komunikimi live në rrjetet sociale, Rama iu referua edhe deklaratave të një figure që e përshkroi si babai ideologjik i presidentit rus Vladimir Putin.
“Dje, në mënyrë të befasishme për shumëkënd, por jo për mua, foli babai ideologjik i Vladimir Vladimiroviç Putinit, udhëheqësi shpirtëror, justifikuesi i të gjitha agresioneve kundër demokracisë dhe Perëndimit, mistifikuesi i Rusisë imperialiste. Foli dhe tha: “Tani Shqipëria po tregon ngjyrën e vërtetë të saj, një popull kurajoz, një popull ortodoks, një popull sufistësh dhe ortodoksësh”, tha Rama.
Ai përmendi edhe Republikën Islamike të Iranit, duke e cilësuar dezinformimin si një element të rëndësishëm të kësaj situate.
“Ne kemi shumë të dhëna dhe vazhdojmë ta pasurojmë atë që kemi nisur që në krye të herës me ndërhyrjen në rrjetet sociale të atyre duarve të huaja, ku, krahas Rusisë, një tjetër aktor është Republika Khomeiniste e Iranit. Kulmi i dezinformimit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë kritikoi gjithashtu atë që e përshkroi si relativizim të dhunës nga disa aktorë politikë dhe komentues në media, duke thënë se kundërshtimi ndaj qeverisë nuk duhet të justifikojë sulmet ndaj institucioneve, policisë apo qytetarëve.
“Në darkë mblidhen kllounët që himnizojnë dhunën në sallonet e medias tradicionale, ndër të cilët shumë pak janë ata që thonë ndonjë fjalë kundër dhunës. Ndoshta janë të terrorizuar dhe nuk ua vë fajin, sepse erdhi momenti, por nuk ka për të ardhur kurrë dita që në Shqipëri njerëzit të terrorizohen rrugëve për atë që mendojnë; që gazetarët të shpallen shënjestra, politikanët të shpallen shënjestra nëse thonë një mendim që bie ndesh me planin e këtyre maskave, pas të cilave fshihen të gjithë dashakeqësit e Shqipërisë dhe ata që Shqipërinë e duan vetëm për vete dhe për të cilët Shqipëria është atdheu që duhet të lulëzojë vetëm kur e kanë ata pushtetin”, tha Rama.
“Ata që nuk duan PS në pushtet janë të prirur ta relativizojnë dhunën dhe mendojnë se kjo punë zgjidhet me dhunë dhe është çështje e ditës”, u shpreh Rama.
Ai i cilësoi lajmet për praninë e izraelitëve që, do të vinin në Shqipëri për ta mbështetur dhe për të dhunuar protestuesit, si pjesë të një fushate dezinformimi.
Rama theksoi se Izraeli është vend mik i Shqipërisë, njësoj si Katari, duke vënë në dukje se dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike mes tyre.
“Ata që nuk duan PS-në në pushtet janë të prirur ta relativizojnë dhunën dhe mendojnë se kjo punë zgjidhet me dhunë dhe është çështje e ditës. Duart e huaja, pse po përpiqen të krijojnë idenë që këtu kanë ardhur izraelitët, që këtu, siç thoshte një lajm i rremë i përhapur me shumë shpejtësi, zbresin çdo ditë 1 mijë izraelitë për të më mbështetur mua dhe për të rrahur e vrarë fëmijë? Kujt i intereson? Ky është një konglomerat antifa që frymëzon të rinj të frustruar me ekstremet politike karagjozë, një neokomunist tërësisht të lajthitur dhe një neoballist nga ana tjetër, që nxit dhunë, që paguan për të bërë dhunë dhe që nuk ndalet. Pas ekstremeve politike qëndron matufi që mbart të keqen e mbrapshtë që e përndjek Shqipërinë prej vitit 1912. Vijnë ekstremistët e fesë në një vend që s’ka pasur dhe s’do të ketë kurrë probleme fetare. Ky vend është më i fortë se kurrë në arenën ndërkombëtare. Izraeli është vend mik, siç është Katari. Këta të dy s’kanë marrëdhënie diplomatike”, tha Rama.
Kryeministri hodhi poshtë edhe pretendimet se në radhët e policisë shqiptare kishte shtetas serbë, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe fyese ndaj efektivëve që po përballen me sulme gjatë protestave. Qershia mbi tortë janë ushtarët serbë që na paskan ardhur këtu dhe na qenkan nën uniformën e atyre burrave që i kanë pagat sot më të ulëta se të shumëkujt në këtë shtet, që marrin gurë me breshëri, që digjen sikur të ishin armiq të këtij vendi dhe që dyshohen se qenkan edhe serbë. Kjo është një marrëzi, por jo kolektive, për fat të mirë, dhe nuk ka për ta përfshirë popullin shqiptar, as ata që janë kundër kësaj qeverie, sepse këtë film ne e kemi parë”, tha Rama.
Marrë nga ATSH


















