
Rama: 31 mijë familje të mbështetura me strehim social, projektligji i ri parashikon kredi me interes zero
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria ka mbështetur rreth 31 mijë familje në nevojë përmes programeve të strehimit social

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria ka mbështetur rreth 31 mijë familje në nevojë përmes programeve të strehimit social, ndërsa bëri të ditur se një projektligj i ri, që pritet të kalojë në Parlament, parashikon kredi me interes zero për blerjen e apartamenteve nga kategori të caktuara përfituesish.
Gjatë një komunikimi live në rrjetet sociale, Rama tha se qeveria ka reflektuar ndaj problematikave të strehimit dhe po përgatit masa të reja për të lehtësuar blerjen e banesave, veçanërisht për të rinjtë dhe familjet e reja.
Sipas kryeministrit, rreth 31 mijë familje janë mbështetur përmes formave të ndryshme të strehimit social, përfshirë subvencionimin e qirasë, kreditë e buta dhe përmirësimin e kushteve të banimit.
Këto shifra, theksoi ai, nuk përfshijnë ndërhyrjet për familjet e prekura nga tërmeti.
Rama bëri të ditur se projektligji i ri parashikon 2 mije kredi me interes zero për blerjen e apartamenteve nga kategori si profesionistët e rinj, studentët dhe çiftet e reja, ku interesat do të përballohen nga shteti.
Ai shtoi se skema do të përfshijë edhe 2 mije kredi kategori të tjera, si familjet e reja dhe emigrantët, të cilët do të mund të përfitojnë kredi me interes 3%.
Sipas Ramës, kushtet e përfitimit do të përcaktohen edhe në bazë të sipërfaqes së banesës dhe çmimit të saj.
“Kemi parashikuar mbështetje te për qerane 50% të vlerës së kontratës për 3 mijë apartamente me fokus studentët, familjet e reja profesioniste”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se masat e reja synojnë të zgjerojnë mundësitë për strehim dhe të lehtësojnë blerjen e një banese për qytetarët që përmbushin kriteret e skemave përkatëse.
/Burimi ATSH



















