Kim: Shqipëria do të jetë gjithmonë brenda meje!

Ambasadorja e SHBA zhvilloi sot konferencën e fundit për mediet


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim, zhvilloi sot konferencën e fundit për mediet, në mbyllje të mandatit të saj si kryediplomate në Shqipëri.

Gjatë fjalës së saj, ajo evidentoi progresin e bërë nga Shqipëria në fushën e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit, rritjen e bashkëpunimit ekonomik, forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe fushën e sigurisë kibernetike.

“Gjatë 3 viteve e gjysmë kam pasur privilegjin që të isha si një ambasadore e re për të forcuar lidhjen e veçantë mes Shqipërisë dhe SHBA. Unë jam shumë mirënjohëse që kam pasur këtë mundësi dhe të njoh Shqipërinë, të vizitoj të 61 bashkitë e saj dhe të përpiqem të jap kontributin tim në demokraci dhe biznes”, tha Kim.

Duke folur për reformën në Drejtësi, ajo e konsideroi si një prej reformave më të vështira, por që po jep rezultate. Sipas Kim, reforma në drejtësi ishte elementi që i dha mundësi Shqipërisë për të çelur negociatat me Bashkimin Evropian.

“Shqipëria ka ndërmarrë reforma të vështira, sidomos në drejtësi që i dha vendit tuaj mundësinë që të hapte negociatat për anëtarësim në BE. E kam thënë shpesh se reforma në drejtësi po jep rezultate. Mos ndaloni, vazhdoni të ecni përpara dhe hap pas hap derisa të arrini qëllimin tuaj. SHBA do të jenë me ju në çdo hap të rrugës. Ne nuk do të lëkundemi kurrë në aspiratat e popullit shqiptar për të zënë vendin që i takon në tryezën evropiane”, garantoi Kim.

Për sa i takon sigurisë, Kim tha se “bashkëpunimi ynë në fushën e mbrojtjes ka arritur nivele të reja. Në vitin 2021, Shqipëria ishte organizatore e Defender 2021, stërvitja më e madhe ushtarake që nuk ishte mbajtur kurrë më parë. Shqipëria ndërtoi mbi suksesin e asaj veprimtarie për të mirëpritur Defender 2023. Aktivitetet amerikano-shqiptare në fushën e mbrojtjes janë 3-fishuar”, tha ambasadorja Kim.

Duke folur për sulmet kibernetike me të cilat u përball vendi ynë, ambasadorja Kim solli në vëmendje ndihmën që SHBA i dha vendit tonë.

“Sulmet kibernetike të Iranit që filluan në 2022, treguan kërcënime të reja me të cilat duhet të përballemi së bashku. SHBA i ka akorduar 50 milionë dollarë Shqipërisë për të forcuar sigurinë kibernetike, kjo është paketa më e madhe që i kemi dhënë për këtë fushë ndonjë vendi, përveç Ukrainës”, theksoi Kim.

Sipas saj, forcimi i bashëkpunimit ekonomik, ishte një prej objektivave kryesorë të punës së saj në Shqipëri.

“Lidhjet e biznesit po rriten mes dy vendeve tona. Ka ende vend për përparim, por përparimi po ndodh. Në tetor nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit. Këto investime do t’i mundësojnë Shqipërisë që të bëhet një qendër për shpërndarjen e energjisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në qershor 2022 nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit për telekomunikacionin. Investimet e huaja të SHBA-së arritën një nivel të ri prej 250 mln dollarësh në 2022 që është më shumë se dyfishi i asaj para 2022. Tregtia jonë dypalëshe është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Çështja e Reformës në Drejtësi, çrrënjosja e korrupsionit nuk është thjeshtë çështje morale, por është që të kemi Shqipërinë një aleat më të fortë”, theksoi Kim.

E pyetur nga gazetarët e pranishëm për marrëdhënien me Berishën, të shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Kim u shpreh se SHBA shohin gjithnjë nga e ardhmja.

“Mendoj se çdo ambasador përballet me sfidat. Por ka diçka lidhur me SHBA, ne shohim nga ardhmja. Çdo ambasador do të përpiqet ta drejtojë gjithnjë Shqipërinë drejt së ardhmes”, tha Kim.

Kryediplomatja e SHBA në Tiranë, po ashtu kujtoi se në detyrën e re që pritet të marri pranë Deparatamentit Amerikan të Shtetit, do të ketë në përgjegjësi edhe Shqipërinë.

“Për çfarë e keni fjalën për punën time të ardhshme në DASH. Në fakt në pozicionin tim të ardhshëm do të kem përgjegjësi për gjithë Evropën, dhe për Shqipërinë, mbase jo të gjithë do të jenë të kënaqur për këtë, por unë jam. E shpreha edhe më herët, jam prekur dhe kam ndryshuar nga përvoja ime këtu, nëse kthehem në Shqipëri ose jo, Shqipëria do të jetë gjithmonë me mua”, vijoi Kim.

Ajo gjithashtu bëri apel për të vijuar luftën ndaj korrupsionit, ndërsa kërkoi më shumë angazhim për çështjen e pronave. “Është e nevojshme të vijohet për të mbajtur këto reforma siç është çrrënjosja e korrupsionit, lehtësimi i procedurave për të drejtën e pronësisë”

Ambasadorja e SHBA, Kim, tha se largohet nga Shqipëria me respekt për tokën shqiptare.

“Ne kemi vlerësuar partneritetin tuaj në mbështetjen e Ukrainës dhe në përballje e pushtimit brutal të Rusisë. Anembanë botës, njerëzit u frymëzuan ndërsa kanë parë që shqiptarët kanë nxjerrë jashtë rrezikut, afganët e pambrojtur. Një shpalosje e jashtëzakonshme të traditës shqiptare mikpritjes dhe nderit. Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri s’kanë qenë kurrë më të forta. Kemi bërë progres historike në demokraci, mbrojtje dhe biznes. Vitin e kaluar përkujtuam 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të SHBA dhe Shqipërinë. Kemi bërë hapa të mëdhenj për partneritetin tonë. Kemi ende punë për të bërë, por shpresoj që përparimi i 3 viteve do të na inspirojë edhe më tej që të mos dorëzohemi. Unë do e lë Shqipërinë me respekt të thellë për historinë, traditat, këmbënguljen tuaj. Do iki me mirënjohje për dashamirësinë tuaj. Do të largohem me simpati dhe solidaritet për padurimin tuaj për një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj. Do të iki me një respekt për tokën tonë të shqiponjave”, tha Kim.

Lexo më shumë nga

Festivali i Kajakëve në Valbonë, Rama: 80 pjesëmarrës nga vende evropiane

Sporti i kajakut në lumenjtë e ndryshëm në Shqipëri po tërheq vëmendjen e turistëve vendas e të huaj.

Global 360

Komandanti i NATO-s për Evropën: Po shtojmë forcat në Kosovë

Cavoli vlerësoi se tensionet etnike në Bosnjë gjithashtu kanë potencial për të përshkallëzuar dhe destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shqipëria në NATO, një histori suksesi!

Fjala e mbajtur në Konferencën me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Festivali i Kajakëve në Valbonë, Rama: 80 pjesëmarrës nga vende evropiane

Sporti i kajakut në lumenjtë e ndryshëm në Shqipëri po tërheq vëmendjen e turistëve vendas e të huaj.