Kultura, bibliotekat, muzetë dhe interneti

Rrjeti duhet të trajtohet si një sistem biologjik. Tregu i krijimit të web-ve në Shqipëri tashmë është zhvilluar.


Nga Ndriçim Kulla

Rrjeti duhet të trajtohet si një sistem biologjik. Nëse 15-20 vite më parë një koncept i tillë shihej me dyshim e nënqeshje, sot ky fakt është pohuar dhe siguruar nga studiuesit më të mirë të këtij argumenti. Madje, edhe në analizat më të fundit e tepër teknike të topologjisë së rrjetit, thuhet se “ai nuk mund të përkufizohet ndryshe, përveçse si një ekosistem”.

Ndaj, të flasësh për “kultivimin” e Internetit nuk është aspak një provokacion apo një mënyrë të thëni. E kjo, për faktin se “shoqëria në rrjet” ngjan më tepër me atë agrikulturore sesa me “linearitetin” dhe homogjenitetin e epokës industriale. Edhe ky pohim është konfirmuar nga shumica e autorëve më të njohur të kësaj fushe.

Për shembull, John Perry Barlow, një filozof i njohur i rrjetit, shkruan në revistën “Wired” (një revistë-kult e qasjeve filozofiko-sociologjike mbi rrjetin) se “zakonet mendore të agrikulturës janë shumë më të përshtatshme për të kuptuar cilësinë në thelb biologjike të ekonomisë së informacionit, sesa mund të jenë atributet mekanike të vizionit industrial të botës”.

Në këtë kuptim, Interneti “është një ambient organik, të cilin duhet të dimë si ta kultivojmë”.

E të gjitha këto nuk janë vetëm konsiderata të rëndësishme filozofike dhe kulturore. Ato kanë një rëndësi të spikatur edhe praktike. Zhvillimi i rrjetit nuk është i tipit “linear” apo dixhital, ai rritet si një bimë. Kësisoj, zhvillimi i tij fizik është më tepër problem politikash sesa problem financiar; ai kërkon më tepër kulturë njerëzore sesa njohje teknike; më shumë kompetencë në komunikim sesa në elektronikë; më shumë vizion sesa njohuri në informatikë.

Në Shqipërinë e këtyre viteve, nga pikëpamja e infrastrukturës teknike të rrjetit, janë bërë hapa gjigante. Tashmë, shkollat dhe universitet janë të lidhura që të gjitha me Internet, edhe pse një domosdoshmëri për të qëndruar me hapin e kohës është lidhja – të paktën për universitetet – e brezit të gjerë. Mirëpo, si i janë përgjigjur këtij hapi cilësor faktorët ose strukturat kulturëformuese kryesore në Shqipëri?

Tema është e gjerë, por le ta nisim me strukturën kryesore, që mund të formojë produkt dhe bazë për kulturën tonë në Internet: bibliotekat – për ta nisur me emblemën e tyre – Bibliotekën Kombëtare. Si i janë përgjigjur ata sfidës së rrjetit? A e kanë parë ndonjëherë në vizionin e kultivimit të tij të vazhdueshëm? A e kanë konsideruar si një bimë që kërkon durim e përkujdesje për t’u rritur? Pse vallë të gjitha këto probleme të rëndësishme vizioni nuk janë pronë as edhe e debatit më të vogël të shoqërisë sonë, duke e lënë kështu pemën e Internetit dhe të “rrjetit organik” ende të pambjellë, e jo më të zhvilluar.

Që më 4 prill të vitit 2001, pas një pune të gjatë midis ekspertëve, janë formuluar të ashtuquajturat “10 parimet e Lundit” (vendi i takimit në Suedi)”, mbi cilësinë dhe përdorimin e web-ve kulturore, ku përfshihen të gjitha kriteret-bazë për të gjithë agjentët e kulturës (biblioteka, muze, arkiva, institute kërkimore-shkencore etj.), që duhet të jenë domosdoshmërish të pranishëm në rrjet.

Ka vite të tëra, që çdo institucion publik e privat i Evropës, qoftë edhe lindore apo ballkanike, kërkon të jetë në rrjet – sipas këtyre kritereve dhe parimeve – e jo më një Bibliotekë Kombëtare. Aq më tepër, që themelorja është se këto kritere janë në vetvete edhe udhërrëfyese të zhvillimit e të integrimit kulturor të çdo vendi drejt integrimit evropian, duke i dhënë më shumë rëndësi identitetit të tij kulturor, historik, etnografik e kështu me radhë.

Por, si një nga produktet më të para që duhet të ndërtonte çdo vend, ishte web-i kulturor i bibliotekave (me produkt dixhital ose të ndonjë lloji tjetër) në rrjet, në mënyrë që ai të shërbente si bazë për shumë sektorë të tjerë dhe për një zhvillim të mëtejshëm shërbimesh të qendërzuara te përdoruesi. Natyrisht që shërbimet on-line në Shqipëri tani për tani nuk janë të afrueshme, në cilësinë dhe përdorimin e standardeve të 18 shërbimeve-bazë të përcaktuara nga BE-ja (edhe pse shpesh spekulohet me termin on-line, por që, në fakt, nuk ka të bëjë fare me një term standard shërbimi on-line).

Ndaj kjo nuk mund t’i kërkohej as edhe Bibliotekës, pavarësisht se ajo duhej të ishte në pararojë të saj, pasi është – të paktën për një shërbim të thjeshtë – vendi më i posaçëm për të eksperimentuar. Vizioni i saj më embrional do të ishte një web kulturor model dhe shumë i pasur në të dhëna dhe metadata, për çdo libër, katalog apo strukturë, bazuar te parimet, kriteret e vlerësimit dhe të testimit që shoqërojnë “10 Parimet e Lundit”.

Kështu, në radhë të parë, ai do të ishte një produkt shumë i mirë për edukimin dhe mësimdhënien në shkollat tona, ku Interneti përdoret për shumë gjëra të tjera, përveçse për edukimin me produkt pedagogjik.

Së dyti, do të ishte produkt shumë i mirë për turizmin kulturor; së treti, do t’u shërbente sektorëve shkencorë dhe atyre studentorë për studime të mëtejshme, duke kaluar kështu një problem të madh social, atë të hendekut dixhital midis atyre që janë në rrjet dhe atyre që s’i kanë mundësi të tilla.

Por, tek e fundit, për një përfaqësim dinjitoz – jo mjeran – të kulturës e të identitetit tonë në rrjet. Detyrë e çdo biblioteke është shpërhapja e produktit të saj për të shkuar sa më pranë lexuesit. E ku është më mirë se në Internet që të mund të arrihet një gjë e tillë! Për sa i përket kësaj arritjeje, pra krijimit të web-ve kulturore, projekte të tëra pesëvjeçare, që nga viti 2001, në fillim me Kartën e Parmës, pastaj me Minervan, që vijoi me Minerva Plus, prodhuan dokumente e manuale bestseller në të gjitha vendet e Evropës, brenda ose jashtë Komunitetit Evropian, për mënyrën e implementimit të një biblioteke dixhitale, për praktikat dhe shembujt më të mirë, për mënyrën e reduktimit të kostove etj.

Shumë vende përfituan edhe nga projekte konkrete ndihmëse në skanimin dhe dixhitalizimin e materialeve të bibliotekave të tyre. E gjitha kjo tregon se ky problem, së pari është çështje vizioni, jo çështje parash, madje problemi i parave është fare, fare i pa konsiderueshëm edhe pse shpesh nxirret si preteks për të justifikuar mugesën e vizionit dhe të shpërdorimit të tyre pa prioritet. Ndërkohë që ka shumë qendra e firma të njohura botërore që në Shqipëri kanë ofruar ndihmë edhe për infrastrukturën e Internetit, kurse për produktet e tij lihen dhe anashkalohen.

Ku jemi pas 15 vitesh, kur në Evropë janë arritur të hidhen e të skanohen (jo më në format pdf), por të afrueshme në format digjital, me miliona libra në rrjet? Pse e kemi nisur me kaq vonesë këtë proces? Nuk e kemi kuptuar në kohë apo nuk e kemi vlerësuar me vizionin që kërkon? Ka libra të tërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, pra për historinë dhe albanologjinë, që ne(sidomos ne studiuesit) i gjejmë të skanuara dhe falas në rrjet nga kolosë të tillë si Google e Microsoft.

Ndërkohë që web-i kulturor i Bibliotekës sonë Kombëtare ekziston dhe është goxha i mirë dhe i organizuar, jo më me 10 kriteret ndërkombëtare, por as në nivelin e institucioneve tona publike; në një kohë kur ai duhet të ishte maja e diamantit për paraqitjen dhe përhapjen e vlerave shqiptare në rrjet. Mos ndoshta nuk ka të ardhura?!

Tregu i krijimit të web-ve në Shqipëri tashmë është zhvilluar dhe për shërbimin e jashtzakonshëm që kryen nuk është aspak i shtrenjtë. Në Internet gjithçka duhet të ishte e kapshme, e realizuar në mënyrë të thjeshtë për t’u kapur e përpunuar, jo siç është sot. Gjithçka do të ishte e kapshme për gjithkënd: për mësues, nxënës, studiues, madje edhe për ata me aftësi të kufizuar; e jo siç është sot: vetëm për ata që e gjejnë CD-në, apo për ata që duan t’ua japin atë. Sot sociologë e filozofë thonë prej vitesh që edhe shoqëria ka arritur të ngrihet në rrjet, e jo më një institucion i saj. Sot – për të perifrazuar Adam Smithin dhe “Pasurinë e tij të kombeve” – një rrymë e tërë filozofike thotë se “çdo komb tashmë duhet të zotërojë pasurinë e tij të rrjeteve” (duke u nisur nga bestselleri i Yokai Benkler, “Pasuria e rrjeteve”).

Ja se përse është urgjente nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Turizmit të ndryshojë njëherë e përgjithmonë ky vizion dhe të parashikohen urgjentisht madje mundësisht që në këtë vit projekte për to .Para dy viteve i paraqita nje projekt ide Ministrisë së Kulturës ti paraprinte duke parashikuar projekte të tilla, por nuk pata asnjë përgjigje dhe asnjë reagim mbi të.Ndjej keqardhje, por sërish kam mirkuptimin dhe dashamirësinë për ta zgjuar sërish këtë ide. Mjedisi informatik shqiptar thërret me forcë për mosaftësinë e thithjes së kapaciteteve të tij nga ana e këtyre institucioneve. Ja pse kultura jonë nuk ka pse të zvarritet më, pasi në epokë të tilla – që ndryshojnë shumë shpejt – kjo zvarritje kthehet në dënim. Ja pse pema e saj e moçme dhe e fortë – që u ka rezistuar shekujve – duhet t’i rezistojë edhe sfidës së botës së sotme dixhitale. Le ta mbjellim, ta rrisim dhe ta kultivojmë atë ashtu siç i ka hije kulturës sonë kombëtare.

Veliaj vizitë në Tokio, nga takimi me kryetaren e bashkisë, te prezantimi i “TEDA Tirana”

Kryebashkiaku i Tiranës nisi sot një vizitë në Japoni, ku do të përfaqësojë edhe rrjetin e qyteteve anëtare të B40-ës,…

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj vizitë në Tokio, nga takimi me kryetaren e bashkisë, te prezantimi i “TEDA Tirana”

Kryebashkiaku i Tiranës nisi sot një vizitë në Japoni, ku do të përfaqësojë edhe rrjetin e qyteteve anëtare të B40-ës,…