
Ibrahimaj: Integrimi në Tregun Unik Europian të përkthehet në mundësi konkrete për bizneset
Në kuadër të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mirëpriti në Tiranë ministrat e ekonomisë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Komisionit Europian, në takimin ministror kushtuar iniciativës “Single Market Highway”.

Në kuadër të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mirëpriti në Tiranë ministrat e ekonomisë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Komisionit Europian, në takimin ministror kushtuar iniciativës “Single Market Highway”.

Takimi u fokusua në forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomive të rajonit, transformimin industrial, tërheqjen e investimeve strategjike dhe integrimin e bizneseve në zinxhirët europianë të vlerës.
Në fjalën e saj, ministrja theksoi rëndësinë e kalimit në një fazë të re, ku reformat të përkthehen në zhvillim industrial, rritje të konkurrueshmërisë dhe konvergjencë ekonomike me Bashkimin Europian.
Ibrahimaj propozoi ndërmarrjen e një projekti të përbashkët rajonal, në bashkëpunim me Komisionin Europian, për shfrytëzimin dhe përpunimin e lëndëve të para kritike, duke synuar rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe integrimin në zinxhirët europianë të vlerës.
“Ne duam që të bëjmë një projekt në të cilin ne të mos jemi më vetëm një vend që nxjerr lëndët e para dhe i eksporton ato, por t’i përpunojë, t’u shtojë vlerën dhe, pa diskutim, të integrohet me rrjetet e zinxhirit të vlerës europiane”, u shpreh Ibrahimaj.
Ajo nënvizoi se për Shqipërinë, zbatimi i iniciativës “Single Market Highway” mbështetet në katër prioritete kryesore, si forcimin e infrastrukturës së cilësisë; zhvillimin e partneriteteve industriale në sektorët strategjikë; reduktimin e barrierave administrative dhe lehtësimin e aksesit në tregjet europiane; përfshirjen aktive të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në instrumentet dhe rrjetet europiane të mbështetjes së sipërmarrjes.
Duke u ndalur në procesin e integrimit europian, Ibrahimaj ritheksoi objektivin e Shqipërisë për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, duke e cilësuar këtë vit si një vit zbatimi dhe rezultatesh të matshme.
Në këtë drejtim, prioritet do të mbetet harmonizimi i legjislacionit me atë europian, zhvillimi i infrastrukturës së cilësisë, avancimi i reformës së derregullimit dhe reduktimi i kostove administrative për sipërmarrjen.
Gjithashtu, ajo bëri të ditur se po punohet për një program, me mbështetjen e Komisionit Europian dhe partnerëve ndërkombëtarë, për informimin e bizneseve mbi standardet europiane dhe identifikimin e nevojave të tyre për investime dhe financim, me qëllim përmbushjen e këtyre standardeve.
Takimi ministror rikonfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe partneritetit me Bashkimin Europian për përshpejtimin e integrimit ekonomik, forcimin e kapaciteteve industriale dhe krijimin e mundësive konkrete për sipërmarrjen në Ballkanin Perëndimor.
Burimi ATSH


















