Von der Leyen: 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar zgjerimin e Bashkimit Evropian si një domosdoshmëri strategjike për Evropën.


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar zgjerimin e Bashkimit Evropian si një domosdoshmëri strategjike për Evropën.

Gjatë fjalës së saj pas Samitit mes BE-së dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor, Von der Leyen u shpreh se procesi ka marrë një vrull të ri, duke theksuar se Bashkimi Evropian është në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur mbi 100 kapituj negociues brenda këtij viti.

“Sot, ky proces ka marrë një vrull të vërtetë. Nëse shohim të gjitha negociatat që kemi zhvilluar, jemi në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur mbi 100 kapituj negociues brenda këtij viti. Ky është një përparim i jashtëzakonshëm, i cili vjen në një moment vendimtar”, theksoi ajo.

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, ndryshimet e shpejta në zhvillimet ndërkombëtare e bëjnë edhe më të rëndësishëm forcimin dhe bashkimin e Evropës, ndaj ky moment duhet shfrytëzuar për të shënuar përparim konkret drejt anëtarësimit, përmes angazhimit të të dyja palëve.

“Bota përreth nesh po ndryshon me shpejtësi. Sa më e fortë dhe më e bashkuar të jetë Evropa, aq më mirë do të mund t’u përballojë sfidave. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë moment dhe ta kthejmë në përparim konkret drejt anëtarësimit. Për këtë nevojiten angazhime nga të dyja palët”, shtoi Von der Leyen.

Ajo vlerësoi përparimin e vendeve të rajonit në procesin e integrimit, duke veçuar Malin e Zi, që po i afrohet përfundimit të negociatave të anëtarësimit, dhe Shqipërinë, e cila, sipas saj, vijon të ecë drejt këtij objektivi me ritme mbresëlënëse.

“Po shohim përparime inkurajuese. Mali i Zi po i afrohet fundit të negociatave të anëtarësimit, ndërsa Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me ritme mbresëlënëse. Në fillim të këtij muaji, prezantuam udhërrëfyesit për të dyja vendet, të cilët përcaktojnë përparësitë dhe objektivat e qarta për punën që na pret. Dëshirojmë që edhe vendet e tjera të ndjekin të njëjtën rrugë”, nënvizoi Von der Leyen.

Në fjalën e saj, presidentja e KE-së theksoi se paralelisht me procesin e zgjerimit, Bashkimi Evropian po përgatitet edhe nga brenda, duke analizuar ndikimin që anëtarësimi i vendeve të reja do të ketë në institucionet, politikat dhe buxhetin e Unionit.

Sipas saj, procesi duhet të jetë i suksesshëm si për vendet aktuale anëtare, ashtu edhe për ato që synojnë t’i bashkohen BE-së.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e integrimit gradual dhe të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me qëllim që qytetarët dhe ekonomitë e rajonit të përfitojnë nga avantazhet e Tregut të Vetëm Evropian edhe përpara anëtarësimit.

“Megjithatë, nuk duhet të presim anëtarësimin për të afruar më shumë qytetarët dhe ekonomitë tona. Pikërisht kjo është arsyeja e integrimit gradual dhe Planit të Rritjes. Synojmë t’u japim vendeve të Ballkanit Perëndimor mundësi të përfitojnë nga më shumë avantazhe të Tregut të Vetëm Evropian përpara anëtarësimit”, u shpreh ajo.

Në këtë kuadër, Von der Leyen bëri të ditur se po hapen sektorë të caktuar të tregut për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa këto të fundit duhet të ndërmarrin reformat e nevojshme për të garantuar kushte të barabarta konkurrimi. Procesi mbështetet edhe përmes financimit të Bashkimit Evropian dhe, sipas saj, tashmë po jep rezultate konkrete.

Një prej këtyre rezultateve është përfshirja e katër partnerëve të Ballkanit Perëndimor në SEPA, Zonën Unike të Pagesave në Euro, e cila mundëson transferta parash më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

“Për këtë qëllim, po hapim sektorë të caktuar të tregut, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor ndërmarrin reformat e nevojshme për të garantuar kushte të barabarta konkurrimi. Ky proces reformash mbështetet edhe nga financimi i Bashkimit Evropian dhe tashmë po japim rezultate konkrete. Katër partnerë të Ballkanit Perëndimor janë tashmë pjesë e SEPA-s, Zonës Unike të Pagesave në Euro, e cila mundëson transferta parash më të shpejta dhe me kosto të ulët”, shtoi ajo.

Një tjetër nismë e përmendur nga presidentja e Komisionit Evropian është “Roam Like at Home”, e cila synon të mundësojë përdorimin e telefonisë celulare pa tarifa shtesë roaming.

Von der Leyen bëri të ditur se negociatat për këtë çështje kanë nisur muajin e kaluar me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Ajo i cilësoi këto si përfitime konkrete për qytetarët e rajonit, të cilat mund të realizohen edhe përpara anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Po ashtu, po përparojmë edhe në nismën ‘Roam Like at Home’, e cila synon të mundësojë përdorimin e telefonisë celulare pa tarifa shtesë roaming. Negociatat për këtë çështje nisën muajin e kaluar me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Këto janë përfitime konkrete për qytetarët, edhe përpara anëtarësimit në BE. Por synojmë të shkojmë edhe më tej. Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisim dialogë për integrimin gradual me secilin prej partnerëve, duke marrë parasysh veçoritë e secilit vend. Synimi është të identifikojmë mundësi të reja për përfshirjen e tyre në Tregun e Vetëm Evropian”, u shpreh Von der Leyen.

Duke u ndalur te zbatimi i Planit të Rritjes, presidentja e Komisionit Evropian theksoi se gjatë këtij viti procesi ka marrë një hov të konsiderueshëm.

Ajo bëri një krahasim të ecurisë së reformave, duke vënë në dukje se një vit më parë vendet partnere kishin përmbushur 38% të hapave të parashikuar, ndërsa sot kjo shifër ka arritur në 63%.

Sipas saj, reformat e ndërmarra sjellin ndryshime konkrete dhe mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme.

“Siç e theksova, integrimi më i thellë shkon paralelisht me reformat. Kjo më rikthen te Plani i Rritjes. Gjatë këtij viti, zbatimi i tij ka marrë një hov të konsiderueshëm. Një vit më parë, vendet partnere kishin përmbushur 38% të hapave të reformave të parashikuara. Sot, kjo shifër ka arritur në 63%. Bëhet fjalë për reforma që sjellin ndryshime konkrete. Ato mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët e ardhshme”, theksoi ajo.

Një tjetër element thelbësor i procesit të integrimit, sipas Von der Leyen, është forcimi i bashkëpunimit mes vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo vuri në dukje se në këtë drejtim janë shënuar përparime, duke përmendur rritjen e tregtisë brenda rajonit, njohjen gjithnjë e më të shpeshtë të kualifikimeve profesionale përtej kufijve, lehtësimin e komunikimit përmes shërbimeve rajonale të roaming-ut dhe përshpejtimin e shkëmbimeve tregtare përmes korridoreve të gjelbra.

“Por ekziston edhe një element tjetër thelbësor i këtij rrugëtimi: vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të afrohen më shumë edhe me njëra-tjetrën. Edhe në këtë drejtim po shohim përparime. Tregtia brenda rajonit është rritur ndjeshëm, njohja e kualifikimeve profesionale përtej kufijve po bëhet gjithnjë e më e zakonshme, shërbimet e roaming-ut rajonal po e lehtësojnë komunikimin mes qytetarëve, ndërsa korridoret e gjelbra po përshpejtojnë shkëmbimet tregtare. Këto zhvillime dëshmojnë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal”, u shpreh ajo.

Në përfundim, presidentja e Komisionit Evropian theksoi se suksesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian duhet të matet përmes ndryshimeve konkrete në jetën e qytetarëve, duke përmendur më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë mundësi zhvillimi dhe tregtimi për bizneset përtej kufijve, si dhe rritjen e besimit te e ardhmja.

“Ky është rezultati që duhet të sjellë projekti ynë evropian. Kemi një mundësi historike për ta bërë këtë realitet. Bashkimi Evropian është i gatshëm të japë kontributin e tij dhe jam e bindur se, së bashku, mund ta shndërrojmë vrullin e sotëm në përparim të qëndrueshëm. Ju faleminderit shumë”, përfundoi deklaratën e saj presidentja e Komisionit Evropian.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Von der Leyen: 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar zgjerimin e Bashkimit Evropian si një domosdoshmëri strategjike për…

Global 360

Arabia Saudite e para në botë për shërbimet qeveritare digjitale, përmbush objektivin e Vizionit 2030

Mbretëria renditet e para mes 194 vendeve dhe territoreve të vlerësuara nga OKB-ja për shërbimet qeveritare online dhe ngjitet në…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Liria e besimit nuk mbrohet vetë

Nga kujtesa e Hafiz Sabri Koçit te përgjegjësia për të ndërtuar institucione

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Von der Leyen: 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar zgjerimin e Bashkimit Evropian si një domosdoshmëri strategjike për…