
Rama: Lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri, e pashembullt në rajon
Kryeministri Edi Rama, i cili po merr pjesë sot në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, që zhvillohet në Bruksel, deklaroi se lufta që po bën Shqipëria kundër korrupsionit, është një nga arsyet pse vendi duhet të konsiderohet një kandidat serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Edi Rama, i cili po merr pjesë sot në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, që zhvillohet në Bruksel, deklaroi se lufta që po bën Shqipëria kundër korrupsionit, është një nga arsyet pse vendi duhet të konsiderohet një kandidat serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në një komunikim për mediet në Bruksel, në prag të takimit të liderëve Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, pas mikpritjes nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Rama iu përgjigj pyetjes lidhur me hetimin nga SPAK të zyrtarëve të lartë, përfshirë ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe ndikimin që këto çështje kanë në procesin e integrimit evropian.
Kreu i Qeverisë theksoi se hetimet duhet të trajtohen përmes procedurave ligjore, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin.
“Ajo çfarë Shqipëria po bën në luftën kundër korrupsionit është e pashembullt në rajon, është arsyeja pse Shqipëria duhet të konsiderohet si një vend shumë serioz kandidat”, u shpreh Rama.
Rama tha se deri jo shumë kohë më parë Shqipëria shihej si një vend ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte e konsoliduar dhe korrupsioni ishte kthyer në sistem.
“Deri jo shumë më parë Shqipëria gjithmonë shihej si një vend ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte ngritur si e tillë dhe ku korrupsioni ishte sistem. Sot Shqipëria është një vend ku sistemi po e lufton tej mase korrupsionin”, deklaroi ai.
Rama nënvizoi se çdo çështje duhet të kalojë përmes procesit të rregullt ligjor, duke shtuar se në Shqipëri askush nuk është mbi ligjin.
“Korrupsion, jo korrupsion, gjithçka duhet të kalojë përmes procesit të rregullt ligjor, por është shumë e qartë që nuk ka më askush që nuk është mbi ligjin në Shqipëri”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama iu përgjigj edhe një pyetjeje lidhur me ambiciet tregtare të presidentit të SHBA, Donald Trump në Evropë.
Rama tha se “nuk di gjë për të. Di për tregun e përbashkët këtu dhe kjo është ajo çfarë pres me padurim”.


















