Revizionizmi i mbrapshtë i historisë legjitimon retorikën serbe ndaj Kosovës

Këto teza kanë filluar të shiten si analiza post-factum që synojnë të adresojnë në mënyrë të gjerë problematikat e mbartura të rajonit.


Nga Akri Çipa

Në botën e post- së vërtetës, nuk ka gjë më të lehtë se të ofrosh versione të ndryshme të leximit të historisë. Fatkeqësisht, këtë fenomen e gjen lehtësisht të përqafuar në raport me Ballkanin, jo vetëm te liderët lokalë, por edhe te një kastë revizioniste akademikësh perëndimorë dhe të ashtuquajturish ekspertë të Ballkanit. Në këtë përpjekje, rreth dy dekada pas rivendosjes së paqes, objekt sulmi nuk është vetëm historia e rishtë, por mbi të gjitha e ardhmja e afërt.

Ky është një objektiv i deklaruar nga Serbia zyrtare, e cila mantrën dhe argumentin se “të gjitha palët ishin fajtore” gjatë luftërave të viteve 90’ e ka ngritur në statusin e një politike zyrtare. Në këtë mision, Rusia ka qenë mbështetëse e dorës së parë, në disa raste duke tejkaluar me vrull edhe vetë Beogradin.

Për fat të keq, një sërë tezash të ndërlidhura po përqafohen dhe propagandohen në katedra universitetesh perëndimore dhe nga zëra që pretendojnë autoritet në opinionin publik. Megjithëse në analizat e tyre ata nuk marrin përsipër mohimin e drejtpërdrejtë të të vërtetave historike, sikurse bën në mënyrë banale Serbia dhe klasa e saj drejtuese, ata po përqafojnë shtrembërime të cilat ndikojnë jo vetëm te mënyra se si kuptohet e shkuara, por edhe se si duhet të formësohen politikat e ardhme.

Këto teza kanë filluar të shiten si analiza post-factum që synojnë të adresojnë në mënyrë të gjerë problematikat e mbartura të rajonit. Duke mos mundur të hedhin dot poshtë konsideratat morale, por edhe duke mos përqafuar në mënyrë të drejtpërdrejtë brutalitetin e alternativës historike që promovon sot Beogradi zyrtar, këta zëra kanë zgjedhur një rrugë tjetër.

Në një sens më makro, në mënyrë të shkujdesur ata po mbështesin pretendimin se ndërhyrja për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës në fund të shekullit të kaluar hapi dyert ndaj luftërave të mëvonshme të Amerikës. Referenca më e drejtpërdrejtë në këtë aspekt është ndaj luftës në Irak. Nëpërmjet kapërcimeve logjike pindarike, ky pretendim, që rrezikon të shpeshtohet në debatin publik perëndimor, ka një qëllim të mbrapshtë.

Lufta në Irak, e etiketuar si luftë pa mbarim, u ka kushtuar shumë Shteteve të Bashkuara. Pas gati dy triliardë dollarësh të shpenzuar dhe me mbi 4,500 ushtarë amerikanë të rënë në luftime, pa llogaritur kostot dhe dëmet indirekte, lufta në Irak ka fituar mërinë e pjesës më të madhe të amerikanëve dhe të establishmentit të politikës së jashtme.

Pikërisht prej këtij fakti, nuk është e rastësishme që realizohet një pranëvënie e luftës për ndalimin e gjenocidit në Kosovë si një event që shtroi rrugën për luftën në Irak. Përpjekja për të delegjitimuar ndërhyrjen ndaj Jugosllavisë, në këtë sens, nuk bëhet domosdoshmërisht duke sulmuar vetë veprimin, por duke i ngjitur atij pasoja dhe veprime të mëpasshme për të cilat nuk ka kurrfarë meritash të drejtpërdrejta.

Problemi është se një lidhje e tillë analitike, që injoron realitetin në terren dhe të gjitha kushtet që sollën rastin unik të ndërhyrjes ndaj Beogradit, rrezikon të përdoret edhe në të ardhmen për të avancuar politika të dëmshme, sikurse mund të jetë tërheqja unilaterale e trupave të NATO-s nga Kosova.

Pretendimi i dytë është disi më i ndryshëm dhe përpiqet të paraqesë një kritikë jo ndaj ndërhyrjes në vetvete, por ndaj qasjes amerikane si një politikë të gabuar për zgjidhjen e konfliktit. Nën petkun e përpjekjeve për të përmirësuar doktrinat e zgjidhjes së konflikteve, sipas këtyre mohuesve, gabimi amerikan nuk ishte dhe aq përfshirja në Ballkan, por mbështetja e Uashingtonit ndaj shqiptarëve.

Duke mbyllur sytë përballë makinerisë gjenocidale serbe, këta zëra përpiqen të njëjtësojnë shqiptarët e dhunuar, zhvendosur dhe vrarë me dhunuesit dhe vrasësit. Argumenti i tyre është se, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara mund të mos ishin (dhe të jenë) dakord me pretendimet e palës serbe, ata gjithsesi duhet ta merrnin (dhe ta marrin) parasysh perspektivën e saj. Në mënyrë të frikshme, argumente të tilla përpiqen të imponohen si analizë e ftohtë dhe jo, sikurse janë në të vërtetë, mendime që synojnë të zhvleftësojnë moralitetin në vendimmarrje dhe të degradojnë vijueshmërinë e kërkesës për drejtësi dhe për paqe të qëndrueshme.

Këta mohues janë domosdoshmërisht mbështetës dhe propagandues të idesë se Shtetet e Bashkuara duhet ta rikalibrojnë qasjen e tyre në raport me Serbinë dhe Kosovën drejt një pozicioni më neutral kundrejt palëve. Në radhë të parë, në çështjen e dialogut ndërmjet dy vendeve dhe rolit mbështetës amerikan në atë proces, por padyshim që këto kërkesa do të zgjerohen edhe në një rrafsh më të gjerë të politikës amerikane në gadishull.

Të dy këto argumente synojnë të ngrenë pikëpyetje mbi fushatën vrastare shtetërore serbe ndaj shqiptarëve dhe të delegjitimojnë luftën e shqiptarëve për vetëmbrojtje, me qëllim kontestimin e ekzistencës së sotme të Kosovës si një shtet sovran dhe i pavarur. Në njëfarë forme, këto janë plotësuese të retorikës së Beogradit, por edhe të fushatës agresive për të hedhur baltë dhe inkriminuar UÇK-në dhe, si rrjedhojë, luftën e saj.

Kostoja që shkaktohet nga normalizimi i diskurseve të tilla duhet parë përtej lenteve të efektit të menjëhershëm. Paaftësia e elitave politike dhe intelektuale në Tiranë dhe Prishtinë për t’a kuptuar rrezikshmërinë e këtyre shfaqjeve dhe për t’u kundërpërgjigjur me maturi do të ketë pasoja në periudhën afatgjatë.

Burimi: SBunker.net

Veliaj: TEDA Tirana prezantohet së shpejti në Samitin e Teknologjisë në Tokio

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato.

Global 360

Meloni: Marrëveshja me Shqipërinë për migrantët frymëzim edhe për vendet e tjera

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni interviste me gazetarin Maurizio Belpietro, në kuadër të eventit ”Il giorno della verita”

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Veliaj: TEDA Tirana prezantohet së shpejti në Samitin e Teknologjisë në Tokio

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato.