
Të ardhurat totale të buxhetit 2026, 823.1 miliardë lekë
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në 823,1 miliardë lekë ose 29,6% e PBB-së, duke shënuar një rritje prej 52,9 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në 823,1 miliardë lekë ose 29,6% e PBB-së, duke shënuar një rritje prej 52,9 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2025.
Gjatë prezantimit sot në Kuvend të pr/buxhetit 2026, Malaj tha se të ardhurat nga tatimet dhe doganat pritet të arrijnë 531,1 miliardë lekë, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore rreth 197,9 miliardë lekë, si pasojë e rritjes së pagave dhe formalizimit të tregut të punës.
“Konkretisht, tha Malaj, për vitin 2026, të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat parashikohen të arrijnë në 531,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 31.5 miliardë lekësh, krahasuar me vitin 2025 .Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 6.3% dhe reflekton pritshmëritë pozitive për ecurinë e ekonomisë dhe efektet e politikave fiskale në fuqi.
Në të njëjtën linjë, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore parashikohen të jenë rreth 197,9 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 20,1 miliardë lekë ose 11,4% në krahasim me vitin 2025”.
Sa i takon të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, për vitin 2026 ministri informoi se, ato parashikohet të arrijnë në rreth 242,5 miliardë lekë, me një rritje prej 15,9 miliardë lekë më shumë se viti 2025.
Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin pritet të arrijnë në 65,1 miliardë lekë, me një rritje 4,7 miliardë lekë më shumë se sa viti 2025.
Tatimi mbi të ardhurat personale pritet të gjenerojë rreth 88,3 miliardë lekë, me një rritje 4,1 miliardë lekë, si rezultat i rritjes së pagave, formalizimit të mëtejshëm të tregut të punës dhe politikave mbështetëse për punësimin.
Ndërkohë tha ministri, shpenzimet buxhetore për 2026 parashikohen në 886,8 miliardë lekë (31,9% e PBB), me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh, krahasuar me vitin 2025. me fokus në forcimin e shtetit social dhe mbështetjen e sektorëve strategjikë.
Investimet publike do të jenë mesatarisht 6,5% e PBB gjatë 2026-2028, të përqendruara në projekte strategjike për infrastrukturën, digjitalizimin dhe energjinë e rinovueshme, si dhe projekte që janë pjesë e Planit të Rritjes së BE.
Ndërsa shpenzimet e personelit për vitin 2026 reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, koston e plotë të indeksimit të pagave në nivelin 2,5%, si dhe efektet e hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 50 mijë lekë në muaj nga 1 janar 2026.
Malaj tha se, “kostoja totale e rritjes së pagës minimale së bashku me indeksimin parashikohet rreth 10 miliardë lekë. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike në nivel qendror për 87,112 punonjës planifikohen në masën 140,1 miliardë lekë ose 5% e PBB. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2026 janë parashikuar në masën 81 miliardë lekë”.
Sipas tij në zërin e shpenzimeve operative është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si: skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajta e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe siguria kibernetike, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetja për arsimin dhe sportin.
“Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 2,45 miliardë lekë. Subvencionet shtetërore për vitin 2026 janë përqendruar në financimin e skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe në mbulimin e një pjese të shpenzimeve të aktivitetit hekurudhor”, theksoi ministri.
Malaj nënvizoi se ky buxhet synon stabilitet fiskal, rritje ekonomike dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për qytetarët, duke reflektuar prioritetet politike në veprime konkrete dhe shërbime publike cilësore.
Marrë nga ATSH



















