
Krasniqi: AMA shqyrtoi 241 raste për përmbajtjen e transmetuar, pirateria audiovizive vijon shqetësuese
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, prezantoi sot në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik raportin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2024, ku theksoi se “AMA ka shqyrtuar kryesisht 241 raste për përputhjen ligjore të përmbajtjeve të transmetuara”.

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, prezantoi sot në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik raportin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2024, ku theksoi se “AMA ka shqyrtuar kryesisht 241 raste për përputhjen ligjore të përmbajtjeve të transmetuara”.
Krasniqi tha se këto raste fokusoheshin në aspekte të tilla si: mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e papërshtatshme; gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi; barazia gjinore; shkeljet etike në përgjithësi; reklamat dhe komunikimet tregtare; përdorimi i gjuhës shqipe standarde të shkruar dhe të folur; respektimi i sinjalistikës paralajmëruese në fasha kohore të caktuara; tërësia programore të platformës së RTSH-së, në zbatim të kërkesave të Kontratës së Shërbimit, etj.
“Përveç përmirësimit të kapaciteteve në drejtim të mirëfunksionimit të brendshëm institucional, përparësia e angazhimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, ka qenë përafrimi edhe më shumë me standardet e një rregullatori, vend anëtar i BE-së, në favor të garantimit të një tregu audio/audioviziv me tipare edhe më transparente dhe plurale, duke ofruar për ndjekësit produkte të shumëllojshme dhe cilësore”, tha Krasniqi.
Krasniqi u ndal edhe tek bashkëpunimi me platformën TikTok, ku u arrit hapja një kanali të dedikuar raportimi, ku Autoriteti ndërmjetësonte reflektimin e ankesave të përdoruesve shqiptarë, për përmbajtje të dëmshme, me arsyetimet respektive ligjore mbi shkeljet që përmbajtjet kishin.
“Në funksion të kësaj AMA hapi paraprakisht një dritare të posaçme në faqen e saj web, e cila mundësonte dërgimin e ankesave nga publiku, referuar përmbajtjeve të dëmshme të publikuara në TikTok. Nga ky bashkëpunim, për periudhën gusht-dhjetor 2024, bazuar në raportimet e përdoruesve dhe bashkëpunimin e Platformës, u arrit të hiqeshin 286 video me përmbajtje të papërshtatshme, prej të cilave: 20 për akte dhune, 3 video për gjuhë urrejtje për shkak të orientimit seksual, 2 për urrejtje fetare, 31 për pamje veprash penale, 110 për ekspozimin e fëmijëve ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës, 107 video për nxitje dhune dhe urrejtje dhe 13 audio për gjuhë që tejkalon standardet morale dhe etike të shoqërisë”, theksoi Krasniqi.
Sipas saj, pirateria e produkteve audiovizive shqiptare rezulton fenomen shumë shqetësues.
“Për periudhën gusht-dhjetor 2024 u bllokuan nga Platforma TikTok, 1505 video dhe u mbyllën nga vete platforma 193 profile, të raportuara për pirateri. Për të njëjtën periudhë janë shqyrtuar në total nga ekipet e AMA-s, 743 video për përmbajtje të dëmshme dhe 1513 për pirateri”, tha Krasniqi.
Më tej Krasniqi “në 77 raste, AMA ka adresuar 62 “tërheqje vëmendjeje” për OSHMA-të dhe në 15 raste “sanksion me gjobë”.
Lidhur me respektimin e të drejtave të transmetimit, Krasniqi vuri në dukje se “AMA gjatë vitit 2024 ka kryer një numër të konsiderueshëm inspektimesh të subjekteve kabllore/IPTV/OTT në terren. Po ashtu, gjatë vitit 2024 ka pasur risi në mënyrën e kryerjes së kontrolleve, pasi specialistë të Drejtorisë së Inspektimit dhe Mbikëqyrjes kanë kryer dhe monitorimin e rrjeteve online, duke identifikuar një sërë rastesh të shitjeve në mënyre abuzive, të produkteve audiovizive”.
Pas identifikimit të këtyre shkelësve, vijoi Krasniqi, AMA, me prova zyrtare i ka raportuar ato pranë institucioneve të tjera ligjzbatuese, si Policia e Shtetit apo ne prokurori sipas specifikave te rastit.
“Pas një pune të mirorganizuar nga Policia, nisur edhe nga provat e vëna në dispozicion nga AMA, në muajin dhjetor 2024, u krye me sukses një operacion për kapjen e disa autorëve që tregtonin dhe prodhonin produkte audiovizive në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu të gjitha ankesat/kërkesat e operatorëve për ndërhyrje dhe mosrespektimin e të drejtës së transmetimit nga subjektet kabllore/IPTV/OTT, Autoriteti i ka trajtuar, duke iu dhënë përgjigje të gjithë subjekteve ankuese, si dhe duke marrë masat përkatëse në rast shkeljesh. Vlen të theksohet se, pjesa dërrmuese e ankesave për shkeljen e të drejtave të transmetimit, gjatë vitit 2024, lidhet me fenomenin e piraterisë televizive që kryhet nga subjekte të paautorizuara nga AMA për ofrimin e shërbimit audioviziv, kryesisht subjekte ISP (Internet Service Provider), të cilët nëpërmjet internetit kryejnë pirateri televizive”, nënvizoi Krasniqi.
Duke qenë një fenomen shqetësues, AMA, në shtator, nisi turin e bashkëbisedimit në të gjitha qarqet e vendit, me operatorët e ligjshëm.
“Fokusi i tryezave, ishte identifikimi i problematikave dhe shqetësimeve që kishin operatorët kabllorë si dhe ndihma e ndërsjelltë për luftimin e këtij fenomeni. Shqetësimet e operatorëve janë trajtuar nga Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes dhe falë inspektimeve në terren i grupeve të punës, është bërë i mundur identifikimit e një numri të konsiderueshëm operatorësh ISP, të cilët kryenin aktivitet audioviziv në shkelje të ligjit. Pas këtyre konstatimeve, AMA mori masa për mbylljen e më shumë se 20 serverave që transmetonin përmbajtje audiovizive pa të drejta, si dhe bëri të mundur sanksionimin e 3 subjekteve ISP që operonin në kundërshtim me ligjin 97/2013, të ndryshuar. Për vitin 2024 AMA, ka kërkuar nga rregullatori i komunikimeve elektronike marrjen e masave, për mbylljen e 346 faqeve online, të cilat kryenin shkelje të ligjit, pra shitje produkti pa të drejta”, theksoi Krasniqi.
Në lidhje me veprimtarinë inspektuese, Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes në AMA, gjatë vitit 2024, përmes grupeve të veta të inspektimit, ka ushtruar 393 kontrolle të aktivitetit të OSHMA-ve.
“Nga këto, 220 janë inspektime të kryera në bazë të ankesave të mbërritura nga mbajtësit e të drejtave të përmbajtjes audivizive dhe 173 janë monitorime kryesisht. Në përfundim të kontrolleve dhe shqyrtimit të procedurave përkatëse administrative, janë marrë 11 vendime për sanksione me gjobë ndaj subjekteve OSHMA, që janë konstatuar në shkelje të ligjit dhe për 9 raste të tjera është vendosur masa “Tërheqje vëmendje”. Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes, gjatë vitit 2024, në fokus të veçantë ka pasur dhe monitorimi për respektimin e të drejtës së transmetimit për filmat artistikë dhe eventet sportive, në platforma/programe të ndryshme me pagesë. Për vitin 2024 janë kryer 1,168 orë monitorime për të drejtat e transmetimit për filmat artistikë dhe eventet sportive”, tha Krasniqi.
Kryetarja e AMA-s u shpreh se “gjatë punës për mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregut audio/audioviziv, pas shkeljeve të konstatuara nga OSHMA-të, gjatë vitit 2024, AMA ka vendosur 48 masa administrative me gjobë dhe 107 “Tërheqje Vëmendje”.
Në kuadër të Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës, Krasniqi theksoi se AMA ka për detyrë të adresojë çështje si përqendrimi i tregut mediatik, rritjen e transparencës dhe matjen e audiencës, një nga prioritetet e vazhdueshme të institucionit.
“Angazhimi i AMA-s si autoritet rregullator në këtë drejtim është mbështetja e OSHMA-ve të tregut audioviziv shqiptar, në sigurimin e një procesi transparent. Pikërisht për të mundësuar Matjen e Shikueshmërisë në nivel institucional, AMA ka ndërmarrë iniciativën e nxitjes së këtij procesi. Konkretisht, në periudhën janar-shkurt 2024, AMA ka organizuar 3 tryeza me ofrues të shërbimeve mediatike audiovizive (OSHMA) dhe agjenci komunikimi e marketingu, me qëllim diskutimin e modaliteteve për realizimin e procesit të Matjes së Shikueshmërisë audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, tha Krasniqi.
Burimi ATSH



















