
Duka: Fitorja me Serbinë shijon sa Botërori
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën, deklaroi në një intervistë për Klan News, në prag të përballjes së Kombëtares shqiptare ndaj Serbisë se, ndeshja ka rëndësi të veçantë edhe për vendin e dytë në grup, i cili të dërgon në “play off” për kualifikimin e mundshëm në Botëror.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën, deklaroi në një intervistë për Klan News, në prag të përballjes së Kombëtares shqiptare ndaj Serbisë se, ndeshja ka rëndësi të veçantë edhe për vendin e dytë në grup, i cili të dërgon në “play off” për kualifikimin e mundshëm në Botëror.
Duka theksoi se fitorja ndaj Serbisë, do shijonte njësoj sikur Shqipëria të ishte kualifikuar në Botëror.
“Tani jemi me emocione për të pritur këtë ndeshje të rëndësishme. Çdo ndeshje e Kombëtares sjell emocione dhe ngarkesë. Ndeshja e sotme ndaj Serbisë është pak ndryshe. Është shumë e rëndësishme për këto kualifikuese. Jemi dy ekipe që pretendojmë për vendin e dytë. Rezultati i kësaj ndeshje, përcakton vazhdimin për të siguruar vendin e dytë apo edhe “play off” për Botëror. Dihet sa sensibël është. Shpresoj të mos e mbingarkojnë skuadrën me presion negativ. I gjithë ambienti i sotëm në stadium, ta shtyjë ekipin drejt fitores”, tha ai.
“Të gjithë kanë emocion para ndeshjes së Kombëtares, sepse ne e ndjejmë Kombëtaren. Një drejtues padyshim që ka më shumë përveç ndjenjës dhe tifozllëkut, ka edhe përgjegjësinë. Për organizimin e një eventi të një rëndësie të veçantë. Jam i emocionuar më shumë se herët e tjera, por edhe më shumë për rezultatin pozitiv apo edhe për mbarëvajtjen e ndeshjes. Ajo që i jep një mbyllje të lumtur është rezultati dhe shpresojmë ta marrim. Gëzimi që do të kisha nga rezultati i kësaj ndeshje, do të ishte i njëjtë me gëzimin që do të kisha për kualifikimin në Botëror”, tha Duka.
Presidenti i FSHF-së u shpreh se kualifikimi në Botëror është më i vështirë se ai në Europian, ndërsa do të kishte dashur edhe një short më të favorshëm.
“Botërorin nuk e kemi arritur asnjëherë. Dikur e kishim Europianin, por kualifikimi për herë të dytë na i ktheu në normalitet apo detyrë. Botërorin nuk e kemi shijuar. Është diçka ndryshe dhe më i vështirë. Mund të arrihet duke pasur të gjithë kompetentët, shtuar këtu edhe një short të favorshëm. Me një short ndryshe, ndoshta si ai i kualifikueseve të Europianit, ndoshta mund të na ndihmonte të shkonim nga vendi i parë”, theksoi Duka.
“Tani luajmë për vendin e dytë, ndaj një kundërshtari të vështirë. Në Europian kanë më pak eksperiencë se ne. Serbia mbetet një skuadër e fortë dhe me kualitete. Shpresojmë në një performancë pozitive. Shpresoj në një rezultat pozitiv”, deklaroi ai.
I pyetur për zërat se të Serbia nuk është situata e qetë, Duka tha me batutë se shpreson që të ketë përçarje tek ekipi kundërshtar, ndonëse shtoi se kanë nivel të lartë profesionalizmi.
“Niveli profesional apo i skuadrës apo stafit të Serbisë, është i lartë, pavarësisht se duket nga jashtë se ka konflikt. Unë uroj që të ketë përçarje të unitetit te Serbia. Në një ndeshje të kombëtares, me rëndësi të tillë, besoj se harrohen problemet nëse ka në skuadër. Unë nuk e di nëse kanë probleme. Unë jam i gëzuar që nuk kemi probleme të tilla. Shpresoj të udhëtojmë për Letoninë të gëzuar”, u shpreh Duka.
Presidenti i FSHF-së, theksoi se “është shtuar interesi për Kombëtaren, jo vetëm për derbin e Ballkanit. Edhe në ndeshjet e nivelit më të ulët, ka më shumë interes. Nuk e kishim parashikuar që do të kishte kaq shumë kërkesa, që të kishim një stadium më të madh. Jemi të detyruar të pranojmë ankesat për kërkesat për bileta”.
“Në futboll është e rëndësishme për të thënë për ndeshjen e radhës. Euro U-21 në 2027, është një ngjarje historike. Kemi dhënë prova për organizime të tilla. Jam i bindur se do e bëjmë mirë edhe atë”, deklaroi Duka.
Burimi ATSH