Zhvillimi i parqeve eko-industriale, bashkim i bizneseve në një hapësirë të përbashkët industriale

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i MEKI, Blendi Gonxhja dhe Menaxheri i Korporatës Ndërkombëtare të Financave (IFC) për Evropën, Javier Suarez


Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja dhe Menaxheri i Korporatës Ndërkombëtare të Financave (IFC) për Evropën Javier Suarez, në prani të Ambasadorit të BE-së Silvio Gonzato, nënshkruan sot, në Shtëpinë e Evropës, një marrëveshje që i hap rrugën zhvillimit të parqeve eko- industriale në Shqipëri.

Kjo nismë është pjesë e Planit Evropian të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt përshpejtimit të zhvillimit të qëndrueshëm industrial në Shqipëri, duke mbështetur vendin për përafrimin me standardet mjedisore të BE-së.

Parqet eko-industriale bashkojnë bizneset në një hapësirë të përbashkët industriale për të optimizuar përdorimin e burimeve, për të zvogëluar ndikimin mjedisor, si dhe për të rritur bashkëpunimin ekonomik.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Shqipëria do të përmirësojë kuadrin e saj politik dhe rregullator, do të përmirësojë kapacitetet për menaxhimin e qëndrueshëm të zonave industriale, si dhe do të nxisë një brez të ri të zhvillimit industrial me karbon të ulët dhe efikasitet të lartë të burimeve.

“Përmes konceptit të parqeve eko-industriale, Shqipëria po pozicionohet strategjikisht në zemër të tranzicionit të gjelbër, në përputhje me standardet e Kapitullit 20, duke mbështetur politikat industriale dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme brenda procesit të integrimit në BE.

Kombinati në Tiranë do të jetë një nga zonat kryesore ku do të marrë formë ky model i ri zhvillimi, një hapësirë me potencial të madh për t’u bërë një park eko-industrial që kombinon teknologjinë e gjelbër me ndërlidhjen efikase të biznesit dhe inovacionin.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe në partneritet me IFC-në, synojmë të ndërtojmë korniza më të forta ligjore, të rrisim kapacitetet institucionale dhe të nxisim investimet private në teknologjinë e qëndrueshme. Kjo është rruga për ta shndërruar industrinë shqiptare në një histori suksesi të tranzicionit të gjelbër në rajon”, tha ministri Gonxhja.

Bashkimi Evropian po mbështet përpjekjet e Shqipërisë drejt një transformimi industrial të gjelbër dhe të qëndrueshëm përmes Planit Evropian të Investimeve për Ballkanin Perëndimor 2022-2027, si dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillimin e parqeve eko-industriale në Shqipëri bëhet simbolikisht në të njëjtën ditë kur Shqipëria hap grup-kapitullin 3 të negociatave të saj të anëtarësimit në BE, me fokus te konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse. BE-ja po e financon këtë projekt për të mbështetur dekarbonizimin industrial të Shqipërisë.

Ne do të ofrojmë ekspertizë për krijimin e parqeve eko-industriale për të nxitur investimet e gjelbra dhe për t’i ndihmuar bizneset ekzistuese të kalojnë drejt praktikave më të qëndrueshme.

Reforma industriale – përfshirë tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital – është një element kyç i procesit të anëtarësimit në BE dhe BE-ja po e mbështet Shqipërinë në këtë rrugë”, tha Silvio Gonzato, ambasador i BE-së në Shqipëri.

E zbatuar nga IFC-ja, me mbështetjen e BE-së, kjo nismë do t’u ofrojë asistencë teknike autoriteteve shqiptare për përafrimin e politikave me standardet ndërkombëtare të parkut eko-industrial, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe hartimin e konceptit për një park të ri eko-industrial.

“Përmes modernizimit rregullator, ndërtimit të kapaciteteve dhe projektimit të zonave të reja industriale të qëndrueshme, ne po krijojmë kushtet për industri më të pastra, kanale më të forta investimesh dhe integrim më të ngushtë me tregjet globale.

Qëllimi ynë është ta mbështesim Shqipërinë që të bëhet lider në tërheqjen e investimeve të përgjegjshme brenda kësaj nisme në mbarë Ballkanin Perëndimor”, tha Javier Suarez, Menaxher i IFC-së për Këshillimin Vendor dhe Ekonominë për Evropën.

Ky bashkëpunim nxjerr në pah potencialin në rritje të Shqipërisë për të tërhequr investime të qëndrueshme, për të modernizuar sektorin e saj industrial, si dhe për t’u integruar më ngushtë në zinxhirët e vlerave evropiane dhe globale.

Në përputhje me politikat mjedisore dhe klimatike të BE-së, kjo nismë synon të mbështesë dekarbonizimin industrial dhe krijimin e zonave industriale të qëndrueshme dhe konkurruese.

Ajo financohet nga BE-ja përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor me një grant prej 3.6 milionë eurosh, me qëllim vlerësimin e fizibilitetit të parqeve eko-industriale përmes katër studimeve pilote.

Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) ka qenë shumë e rëndësishme për mbështetjen e projekteve të tilla në të gjithë rajonin.

Burimi MEKI

Lexo më shumë nga

e-Gate, sistemi modern i kalimit kufitar do të shtrihet edhe në Portin e Durrësit dhe Sarandës

Teknologjia moderne e kalimit elektronik të kufirit, e-Gate, që ka lehtësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve në Aeroportin e Rinasit, do…

Global 360

Siria njeh Kosovën

Siria është shteti numër 120 që njeh pavarësinë e Kosovës

Diplovista

Rama për “The Politico Berlin Playbook”: ‘AI’ për pastrim të legjislacionit nga mbivendosjet dhe në prokurimet publike

Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë një interviste për podcast-in “The Politico Berlin Playbook”, pjesë e revistës “Politico” në Gjermani,…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Fatos Nano i mundi të gjithë pa e kuptuar, siç mediat nuk e kuptuan edhe pse falë tij lulëzuan!

Racional, me sens humori, si një lider i vërtetë Fatos Nano i demokratizoi të gjithë, në fund edhe kundërshtarët e…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

e-Gate, sistemi modern i kalimit kufitar do të shtrihet edhe në Portin e Durrësit dhe Sarandës

Teknologjia moderne e kalimit elektronik të kufirit, e-Gate, që ka lehtësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve në Aeroportin e Rinasit, do…