Arti në luftë!

Mbi 300 vizatime e fotografi të ekspozuara në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Kurator studiuesi Mehmet Gëzhilli.


Nga Alda Bardhyli
Drejtore e QKLL

Në 80-vjetorin e Çlirimit të vendit, më 25 nëntor, një ekspozitë interesante shpalosi një dimension tjetër të djemve që bënë luftën.

Mbi 300 vizatime e fotografi të ekspozuara në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dëshmojnë kulturën e pasionin për artin të figurave qendrore të Luftës.

Nacional-Çlirimtare. Ekspozita, e cila qëndron ende e hapur në mjediset e QKLL-së, vjen nën kujdesin e rrallë të të paepurit Mehmet Gëzhilli, në nderim për veprën e partizanëve dhe heronjve të luftës.

Të kuruara me kujdes dhe të ndara sipas autorëve, krijimet janë fotografi mbi veprat origjinale të partizanëve artistë, të njohur e të panjohur.

Nëpër stenda sheh se si një 22-vjeçar si Qemal Stafa ishte edhe pasionant pas muzikës, apo pikturës. Sheh nota të hedhura në pentagram prej tij nga opera “Rigoleto”, por për t’u veçuar janë disa vizatime, kryesisht portrete vajzash, si dhe një portret i Leon Tolstoit.

Vizitorët, që kanë qenë të shumtë në këto pak ditë nga hapja e ekspozitës, kanë parë një Qemal ndryshe, një hero artist të shumanshëm. Mes stendave mund të kundrosh krijime nga Vojo Kushi, Gjik Kuqali, Kristaq e Margarita Tutulani, për të mbërritur deri te mësuesi artist mes tyre, Jordan Misja.

Portretet e vizatimet e këtij të fundit, jo vetëm që të tërheqin vëmendjen, por duket se duhen vlerësuar më shumë nga një sy profesionist, pasi spikasin lehtësisht nëpër ekspozitë.

Nuk mund të mos përmendësh peizazhet e thjeshta të Sana Fullanit, disa portrete të mrekullueshme të Pali Priftit, vizatimet e para të Koço Çomçes, Vangjel Talos, Qeriba Derrit, Stiliano Badilli, Jorgji Dilo e Thoma Kalefi. Larmia e krijimeve të mahnit, që nga skicat e thjeshta, apo punime fëminore, deri tek portrete plot finesë apo tablo peizazhesh, që të lënë pa fjalë.

Dy stenda u dedikohen fotografive të bëra nga Prokop Sorra dhe Dino Kalenja, të cilat paraqesin portrete të afërmish, peizazhe fshati, deri tek portreti i kompozitorit të madh italian, Pietro Mascagni (bërë nga P. Sorra dhe autoportrete të tij), apo fotografia e Dino Kalenjës me nobelistin italian, Salvatore Quasimodo, si dhe autografi i tij.

Këto fotografi paraqesin botën e gjerë të tyre, shpirtin artistik dhe nivelin intelektual, që shpeshherë është harruar të përmendet. Ndërsa sheh këtë ekspozitë të veçantë, kupton punën vetmohuese të autorit Mehmet Gëzhilli, pasi dëften sakrificat dhe mundin dhjetëra-vjeçar për të bërë të mundur që këto krijime të shohin dritën e publikimit.

Falë kësaj pune mund të shohësh atë çka pakkush e dinte, se Qemal Stafa kishte pasion, jo vetëm muzikën se i binte violinës, por edhe vizatimin, apo kështu edhe Vojo Kushi. Sheh talentin e Kristaq Tutulanit për pikturën, apo të motrës së tij Margarita për qëndistarinë. Mehmeti, larg pompozitetit mediatik, rrëfen peripecitë e tij për ta ngritur këtë ekspozitë që në vitin e largët 1984, në Përmet.

Falë nismës së tij personale dhe punës së pandalshme, këtë krijim të tij, arritëm më pas ta shohim në Muzeun Historik Kombëtar, apo Kryesinë e Kuvendit Popullor, për të humbur më tej gjurmët.

Në këtë 80-vjetor të Çlirimit, autori i ekspozitës, mbështetur edhe nga Qendra Kombëtare e Librit, i solli Tiranës këtë pasuri, ndërsa zbulon se nga 16 dhjetori do të mund ta shohë kushdo në një album, me plot 340 fotografi nga krijimet e partizanëve.

Për të plotësuar punën e tij, për ta bërë të plotë hulumtimin, Mehmet Gëzhilli solli për publikun edhe librin “Ju kish lindur nëna për një botë të re”, me krijime poetike nga autorë të ndryshëm kushtuar heronjve e dëshmorëve tanë të Luftës Antifashiste.

Lexo më shumë nga

Begaj viziton Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku përcolli urimet e tij me…

Global 360

Osmani shpërndau parlamentin dhe njoftoi zgjedhjet e reja në Kosovë, reagon kreu i LDK-së

Pas konferencës për shtyp të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka bërë të ditur shpërndarjen e Kuvendit të…

Diplovista

Rama për “Türkiye Today”: Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, është edhe Shqipëria

Rama i inkurajoi lexuesit e “Türkiye Today” të vizitonin Shqipërinë dhe ta përjetojnë vendin nga afër

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë!

Fjala e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Begaj viziton Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku përcolli urimet e tij me…