Shqipëria plan veprimi për zgjerimin e investimeve dhe përafrimin me BE-në
Miratimi i një plani veprimi për zhvillimin e sektorit të lëndëve të para kritike (ku përfshihen mineralet, teknologjitë, energjia), tërheqjen e investimeve dhe harmonizimin e legjislacionit me Bashkimin Europian është një nga objektivat që Shqipëria synon të realizojë brenda këtij viti.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se ky angazhim u diskutua me partnerët europianë dhe investitorët, në prag të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, ku në fokus ishte potenciali i Shqipërisë në këtë sektor.
“Brenda këtij viti synojmë të miratojmë një plan veprimi që adreson zhvillimin e sektorit, tërheqjen e investimeve dhe harmonizimin e legjislacionit me BE-në”, deklaroi Ibrahimaj.
Ajo theksoi se synimi është që burimet e vendit të shërbejnë si bazë për zhvillimin e një industrie me më shumë vlerë të shtuar në ekonomi, duke krijuar vende pune të kualifikuara dhe mundësi të reja për investime.
“Prioriteti ynë është krijimi i vlerës së shtuar brenda vendit, gjenerimi i vendeve të punës të kualifikuara dhe integrimi i industrisë shqiptare në zinxhirët europianë të vlerës”, u shpreh ministrja.
Përmes këtij procesi, Shqipëria synon të afrojë më tej politikat dhe kuadrin ligjor me standardet europiane, si dhe të rrisë përfshirjen e industrisë vendase në zinxhirët e vlerës të Bashkimit Europian.
Marrë nga ATSH