
Kumbaro: Arsimi i lartë 191 milionë euro në vitin 2027, 25 milionë euro për kërkimin shkencor
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se buxheti total për sektorin e arsimit në vitin 2027 do të arrijë në 93,7 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të lartë historik të financimit për këtë sektor.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se buxheti total për sektorin e arsimit në vitin 2027 do të arrijë në 93,7 miliardë lekë, duke shënuar nivelin më të lartë historik të financimit për këtë sektor.
Gjatë një interviste televizive, Kumbaro theksoi se “buxheti i vitit 2027 është 4,8% më i lartë krahasuar me vitin 2026. Buxheti total prej 93,7 miliardë lekësh përfshin edhe arsimin profesional, grantet për infrastrukturën shkollore që u akordohen bashkive, Shkollën e Magjistraturës, akademitë, si dhe të ardhurat që gjenerojnë vetë universitetet publike nga shërbimet dhe tarifat”.
Kumbaro u shpreh se “një ndër prioritetet kryesore të buxhetit të vitit 2027 është arsimi i lartë, ku përfshihen studentët, pedagogët dhe infrastruktura universitare”.
“Arsimi i lartë do të financohet me 191 milionë euro, shuma më e lartë e akorduar deri më tani për këtë sektor, ndërsa për kërkimin shkencor janë parashikuar 25 milionë euro. Ky zë shënon një rritje prej 28,2% krahasuar me vitin 2026”, tha Kumbaro.
Një tjetër risi e buxhetit të vitit të ardhshëm lidhet me rritjen e bursave për studentët që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike dhe sociale.
Sipas Kumbaros, mbështetja mujore për këtë kategori do të rritet nga 10 mijë, në 25 mijë lekë, ose rreth 275 euro.
“Kjo masë pritet të mbështesë rreth 11 500 studentë në sistemin e arsimit të lartë publik. Kumbaro sqaroi se bursa do të përfshijë edhe një bonus për qiranë e banesës, ndërsa përdorimi i kësaj mbështetjeje do të jetë në funksion të nevojave të studentëve. Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është zgjerimi i periudhës së përfitimit të bursës. Nëse deri tani mbështetja financiare jepej vetëm për ciklin e parë të studimeve, atë Bachelor, me buxhetin e vitit 2027 ajo do të vijojë edhe gjatë ciklit të dytë, në nivelin Master”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro theksoi se kjo masë synon të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve, veçanërisht të studentëve që ndjekin studimet larg vendbanimit, si dhe të nxisë vijimin e arsimimit në nivele më të larta.
“Mbështetja për studentët nuk ka vetëm karakter social, por synon edhe rritjen e mundësive të tyre për integrim në tregun e punës, pasi studimet Master ofrojnë specializim më të thelluar dhe mundësi më të mira punësimi. Krahas studentëve në vështirësi ekonomike, do të vijojnë të përfitojnë bursa edhe studentët që zgjedhin degët prioritare për zhvillimin e vendit, si peshkimi dhe minierat, si dhe ata që ndjekin studimet në programet e mësuesisë, në të gjitha profilet”, tha Kumbaro.
Për këto kategori, shtoi ajo, mbështetja mujore arrin deri në 50 mijë lekë, e barabartë me nivelin e pagës minimale.
Kumbaro theksoi se përmes këtyre mekanizmave synohet të rritet mbështetja për studentët, të nxitet zgjedhja e degëve me rëndësi për zhvillimin e vendit dhe të krijohen më shumë mundësi për përfundimin e studimeve universitare.
Burimi ATSH

















