
Rama: Për ekselentët të shqyrtohet me kujdes vijimësia e marrëdhënies së punës
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje situatës së studentëve ekselentë që punësohen për një vit në administratën publike dhe që, pas përfundimit të vitit, në disa raste mbeten jashtë sistemit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje situatës së studentëve ekselentë që punësohen për një vit në administratën publike dhe që, pas përfundimit të vitit, në disa raste mbeten jashtë sistemit.
I pranishëm në prezantimin e “Shkallës së Meritës”, Rama theksoi se duhet të shqyrtohet me kujdes vijimësia e marrëdhënies së punës për këta të rinj, veçanërisht për ata që kanë treguar rezultate të mira gjatë praktikës.
“Ajo që ndodh me ekselencën dhe ajo që ndodh me ata që hyjnë për të bërë një program njohjeje dhe për të hedhur një hap drejt administratës, të cilët në shumë raste, mbas t’ju mbarojë ai viti i punës, mbeten jashtë sistemit dhe përballen me një pamundësi për të vazhduar edhe në rastet kur janë shumë të mirë. Dhe kjo është diçka që duhet parë me kujdes, në mënyrë që të mos kemi një ndërprerje brutale të marrëdhënies, në pikën që shumëkush pastaj fillon edhe krijon idenë në kokë që kjo ndodhi si rezultat që s’kisha miq, që s’kisha kështu, që s’kisha ashtu”, u shpreh Rama.
Kryeministri u ndal edhe te roli i “Shkallës së Meritës” në krijimin e një sistemi më transparent për përzgjedhjen dhe përfshirjen e punonjësve në administratën publike.
Ai theksoi se inteligjenca artificiale do të jetë një aleat dhe mbështetës në këtë proces, duke mundësuar përdorimin më të gjerë të të dhënave për të vlerësuar ecurinë e proceseve dhe për të rritur transparencën.
“”Shkalla e Meritës” është një tjetër komponent i një sistemi të ri ku ne do të kemi aleat, partner, mbështetës inteligjencën artificiale dhe ku, përmes inteligjencës artificiale, do të mund të bëjmë shumë më tepër në funksion të transparencës dhe në funksion të mbledhjes së të gjitha të dhënave të proceseve që na japin të kuptojmë me saktësi se deri ku ne arrijmë, qoftë në thellësinë e informimit të njerëzve të interesuar për t’u bërë pjesë e administratës, qoftë edhe në garancitë për secilin dhe secilën që përpjekja për t’u bërë pjesë e administratës është një përpjekje e bazuar mbi meritën”, përfundoi Rama.
Marrë nga ATSH



















