
Ambasadorja e BE në Shkollën e Magjistraturës: Integriteti dhe pavarësia, kontributi më i rëndësishëm
Në ceremoninë e hapjes ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, vuri theksin te rëndësia e shtetit të së drejtës në rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.

Kandidatët e rinj për magjistratë nisën sot vitin e ri akademik në Shkollën e Magjistraturës në Tiranë, ndërsa në ceremoninë e hapjes ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, vuri theksin te rëndësia e shtetit të së drejtës në rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.
Duke iu drejtuar kandidatëve të rinj, ambasadorja Moreira de Sousa theksoi se integriteti dhe pavarësia e tyre do të jenë ndër kontributet më të rëndësishme për qytetarët të cilëve do t’u shërbejnë në të ardhmen.
“Integriteti dhe pavarësia juaj do të jenë ndër kontributet më të rëndësishme për qytetarët të cilëve do t’u shërbeni”, u shpreh ajo.
Ambasadorja e BE-së nënvizoi gjithashtu nevojën për forcimin e mëtejshëm të efikasitetit të gjyqësorit, ruajtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe rritjen e llogaridhënies.
“Sistemi i drejtësisë duhet të forcojë më tej përpjekjet për të përmirësuar efikasitetin e gjyqësorit, për të ruajtur pavarësinë e tij dhe për të rritur llogaridhënien”, tha Moreira de Sousa.
Ajo theksoi se përparimi në forcimin e shtetit të së drejtës mbetet një element i rëndësishëm për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Pa përparim në forcimin e shtetit të së drejtës, procesi i anëtarësimit në BE nuk mund të ecë përpara. Bashkimi Evropian është këtu për t’ju mbështetur në arritjen e këtij qëllimi”, deklaroi ambasadorja.
Marrë nga ATSH



















