
Eksperti kinez i pingpongut Feng Zhe nis programin e trajnimit për sportistët dhe trajnerët
Ceremonia prezantuese u zhvillua në Universitetin e Sporteve të Tiranës, në prani të ambasadores së Republikës Popullore të Kinës, Pang Chunxue, sekretarit të përgjithshëm të KOKSH, Gerti Shima, dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Pingpongut, Krenar Dila.

Me iniciativën e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe mbështetjen e Komitetit Olimpik Kinez, ka mbërritur në Tiranë eksperti i njohur kinez i pingpongut dhe ish-trajneri i ekipit kombëtar, Feng Zhe.
Misioni i ekspertit kinez është të sjellë në Shqipëri ekspertizë të specializuar për formimin e sportistëve dhe trajnerëve shqiptarë, duke kontribuar në zhvillimin e ping pongut.
Ceremonia prezantuese u zhvillua në Universitetin e Sporteve të Tiranës, në prani të ambasadores së Republikës Popullore të Kinës, Pang Chunxue, sekretarit të përgjithshëm të KOKSH, Gerti Shima, dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Pingpongut, Krenar Dila.
Kjo nismë vjen në vijim të bashkëpunimit mes dy Komiteteve Olimpike, i cili ka përfshirë mbështetje me bazë materiale dhe programe trajnimi të zhvilluara në Kinë, përmes bashkëpunimit mes presidentit të KOKSH, Fidel Ylli, dhe presidentit të Komitetit Olimpik Kinez, Gao Zhidong.
Sekretari i përgjithshëm i KOKSH, Gerti Shima, e cilësoi këtë një mundësi për formësimin profesional të sportistëve dhe trajnerëve shqiptarë.
“Ky nuk është thjesht një aktivitet për shkëmbim eksperiencash. Është një ekspertizë e drejtpërdrejtë dhe një formësim cilësor që trajnerët dhe sportistët tanë do të marrin nga mjeshtrat kinezë. Kjo iniciativë do të krijojë avantazhe të mëdha që këtë disiplinë sportive ta përfshijmë së shpejti edhe në projektin ‘Ekipet Sportive në Shkolla’”, u shpreh Shima.
Feng Zhe do të qëndrojë për një periudhë të gjatë në Shqipëri, ku do të zhvillojë stërvitje të posaçme me sportistët dhe trajnime të specializuara për trajnerët shqiptarë.
Nisma synon të kontribuojë në rritjen e nivelit teknik të ping pongut në Shqipëri dhe në përgatitjen e sportistëve e trajnerëve sipas metodave të ekspertizës kineze.
Marrë nga ATSH



















