
Miratohen kriteret për vlerësimin e kërcënimit dhe përcaktimin e dëmit në mjedis
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e kritereve zyrtare mbi bazën e të cilave do të bëhet vlerësimi i kërcënimit të menjëhershëm për dëm në mjedis, si dhe përcaktimi i dëmit mjedisor.

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e kritereve zyrtare mbi bazën e të cilave do të bëhet vlerësimi i kërcënimit të menjëhershëm për dëm në mjedis, si dhe përcaktimi i dëmit mjedisor.
Ky akt nënligjor, i propozuar nga Ministria e Mjedisit në mbështetje të ligjit “Për mbrojtjen e mjedisit”, synon zbatimin e masave të shpejta parandaluese dhe rehabilituese në mbarë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Vendimi i ri përcakton qartë kornizën ligjore për mbrojtjen e tri shtyllave kryesore mjedisore: habitateve dhe llojeve të mbrojtura, burimeve ujore (përfshirë ato detare) si dhe tokës.
Sipas dokumentit zyrtar, si “dëm” do të analizohet çdo ndryshim negativ i matshëm në një burim natyror ose cënim i shërbimeve të tij.
Në mënyrë të detajuar, vendimi kategorizon: Dëmtimin e habitateve dhe llojeve të mbrojtura, çdo ndikim negativ në statusin e ruajtjes së tyre, marrë parasysh gjendjen e mëparshme.
Dëmtimin e ujërave, çdo përkeqësim i konsiderueshëm në statusin ekologjik, kimik ose sasior të ujërave sipërfaqësore, nëntokësore dhe atyre detare.
Dëmtimin e tokës, çdo ndotje direkte apo indirekte me substanca ose mikroorganizma që krijon rrezik të provuar për shëndetin e njeriut.
Akti përcakton gjithashtu përjashtimet nga zbatimi, si rastet e konflikteve të armatosura, aktivitetet e mbrojtjes kombëtare, emergjencat natyrore apo incidentet e mbuluara nga konventat ndërkombëtare bërthamore e detare.
Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), e cila do të kryejë vlerësimet rast pas rasti, duke u bazuar në të dhëna teknike, inspektime në terren, analiza laboratorike dhe raporte vetëmonitorimi.
Për përcaktimin e lidhjes shkakësore mes veprimtarisë së një operatori ekonomik dhe dëmit të shkaktuar, AKM do të marrë parasysh afërsinë gjeografike, lidhjen kohore të emetimeve, si dhe praninë e rrugëve të përhapjes së ndotjes.
Sipas procedurës së re, lidhur me vendimmarrjen për kërkesat, AKM duhet të njoftojë palët brenda 10 ditëve punë mbi pranimin ose refuzimin e një kërkesë për veprim.
Pas përcaktimit të dëmit mjedisor dhe përpara miratimit të masave rehabilituese, AKM-ja, brenda 7 (shtatë) ditëve punë fton palët e përmendura, si dhe personat, në pronën e të cilëve do të zbatohen masat të paraqesin vëzhgimet e tyre. Këto vëzhgime merren në konsideratë gjatë vendimmarrjes.
Masat e marra nga AKM-ja nuk përjashtojnë dhe nuk kufizojnë përgjegjësinë e operatorit për dëmin mjedisor.
Çdo vendim i AKM-së për marrjen e masave parandaluese ose rehabilituese duhet të jetë i arsyetuar dhe të përcaktojë bazën faktike e ligjore mbi të cilën mbështetet. AKM-ja informon operatorin për të drejtën e ankimit, mjetet juridike dhe afatet përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Vendimi shton se masat e ndërmarra nga autoritetet shtetërore nuk e shmangin dhe as nuk e kufizojnë përgjegjësinë ligjore e financiare të operatorëve privatë apo publikë për dëmin e shkaktuar.
Zbatimi i këtij vendimi bëhet pa cenuar dispozitat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit, si dhe aktet e tjera nënligjore, të miratuara në zbatim të tij, për përgjegjësinë mjedisore, masat parandaluese dhe rehabilituese, përcaktimin e kostove dhe sigurimin e fondeve për kompensimin e dëmit në mjedis.
Burimi ATSH

















