
BSH rrit transparencën e tarifave të këmbimit valutor për pagesat me kartë dhe transfertat online
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot ndryshime në rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”, duke vendosur kërkesa të reja për informimin e klientëve mbi tarifat e këmbimit valutor.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot ndryshime në rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”, duke vendosur kërkesa të reja për informimin e klientëve mbi tarifat e këmbimit valutor.
Ndryshimet prekin veçanërisht transaksionet me karta bankare në ATM dhe POS, si dhe transfertat e kreditit të kryera online.
Konkretisht, kur një klient përdor kartën në një ATM ose POS dhe transaksioni përfshin konvertimin e valutës në Lekë ose anasjelltas, ai do të duhet të marrë informacion të qartë për kursin e këmbimit dhe tarifën që aplikohet, përpara se të kryejë transaksionin.
Një nga kërkesat e reja është që tarifa e këmbimit të paraqitet edhe si “mark-up” (diferenecë/ shtesë) mbi kursin e Bankës së Shqipërisë. Kjo do të thotë se klienti do të mund të shohë më qartë sa është diferenca mes kursit referencë të Bankës së Shqipërisë dhe kursit që i aplikohet atij në transaksion.
Për shembull, nëse një person përdor kartën shqiptare jashtë vendit ose kryen një transaksion ku bëhet konvertim valutor, para konfirmimit të pagesës do të ketë më shumë informacion mbi koston e këmbimit. Në këtë mënyrë, klienti mund të kuptojë më mirë se sa po paguan realisht dhe të mos përballet me një kosto të papritur nga kursi i këmbimit.
Informacioni për tarifat do të publikohet gjithashtu nga ofruesit e shërbimeve të pagesave, ndërsa klientëve do t’u dërgohen edhe njoftime elektronike përkatëse.
Ndryshimet përfshijnë edhe transfertat e kreditit online. Përpara se klienti të konfirmojë një transfertë në valutë, banka ose ofruesi i shërbimit të pagesave duhet ta informojë qartë për kursin e këmbimit, tarifat dhe shumën totale të transfertës.
Pra, klienti do të ketë mundësi të dijë paraprakisht jo vetëm shumën që po transferon, por edhe sa do t’i kushtojë në total transaksioni, përfshirë kostot e këmbimit valutor dhe tarifat e tjera përkatëse.
Sipas Bankës së Shqipërisë, këto masa synojnë të rrisin transparencën dhe krahasueshmërinë e tarifave, duke u dhënë qytetarëve dhe bizneseve mundësi të marrin vendime më të informuara përpara kryerjes së pagesave.
Ndryshimet lidhen edhe me zhvillimin e pagesave digjitale dhe synojnë të lehtësojnë automatizimin e tyre, duke përshtatur kuadrin rregullator me mënyrën gjithnjë e më të shpeshtë të kryerjes së pagesave përmes kanaleve elektronike.
Në thelb, rregullat e reja synojnë që klienti të mos zbulojë koston e këmbimit pasi ka kryer pagesën, por ta ketë të qartë paraprakisht se sa do të paguajë dhe çfarë tarife po i aplikohet.
Burimi ATSH



















