
Ministria e Financave nis përgatitjet për Eurobondin e ri
Ministria e Financave ka nisur përgatitjet paraprake për emetimin e Eurobondit gjatë vitit 2027, në një kohë kur treguesit makroekonomikë të vendit vijojnë të mbeten pozitivë.

Ministria e Financave ka nisur përgatitjet paraprake për emetimin e Eurobondit gjatë vitit 2027, në një kohë kur treguesit makroekonomikë të vendit vijojnë të mbeten pozitivë.
Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, bëri të ditur se gjatë një takimi me përfaqësues të Erste Group u diskutuan zhvillimet më të fundit makroekonomike, planet e qeverisë për huamarrje në tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe bashkëpunimi me partnerët financiarë.
Sipas Yzeirajt, dialogu me institucione financiare ndërkombëtare si Erste Group shërben për të prezantuar ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe për të forcuar besimin e investitorëve përpara emetimit të Eurobondit.
“Me përfaqësuesit e Erste Group, një konglomerat financiar austriak, i përqendruar në Evropën Qendrore dhe Lindore, diskutuam mbi zhvillimet më të fundit makroekonomike; Planet tona për huamarrje në tregjet ndërkombëtare të kapitalit; dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me partnerët ndërkombëtarë në ekonominë tonë”, deklaroi zëvendësministri i Financave.
Ekonomia shqiptare u rrit me 3,7% në tremujorin e parë të vitit 2026, ndërsa inflacioni mesatar për gjysmën e parë të vitit ishte 2,7%, duke mbetur pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Po ashtu, niveli i papunësisë zbriti në 8,4%, ndërsa të ardhurat buxhetore dhe aktiviteti ekonomik kanë vijuar ecurinë pozitive.
Në këtë kuadër, Ministria e Financave po përgatit daljen e radhës në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, me synimin për të siguruar financim në kushte sa më të favorshme dhe për të mbështetur menaxhimin e qëndrueshëm të borxhit publik.
Ministria e Financave e konsideron emetimin e Eurobondit një instrument me rëndësi strategjike, jo vetëm për sigurimin e burimeve financiare për buxhetin e shtetit, por edhe për ruajtjen e pranisë së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Dalja në këto tregje shërben gjithashtu si një tregues i besimit që investitorët ndërkombëtarë kanë ndaj ekonomisë shqiptare dhe stabilitetit të financave publike.
Shqipëria realizoi emetimin e saj të fundit të Eurobondit më 11 shkurt 2025, duke dalë për herë të shtatë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Instrumenti u emetua në vlerën 650 milionë euro, me një kupon prej 4,75% dhe një yield prej 5%. Eurobondi ka një afat maturimi 10-vjeçar, ndërsa shlyerja e tij është parashikuar të kryhet në shkurt të vitit 2035.
Sipas ministrisë, kushtet më të favorshme të arritura në emetimin e fundit u mbështetën nga përmirësimi i vlerësimit të kreditit të Shqipërisë, ecuria pozitive e treguesve makroekonomikë, administrimi i kujdesshëm i financave publike dhe i borxhit shtetëror, si dhe ritmet e qëndrueshme të rritjes ekonomike. Në forcimin e besimit të investitorëve kanë ndikuar edhe vlerësimet pozitive të institucioneve financiare ndërkombëtare, si FMN dhe Komisioni Evropian, si edhe progresi i vendit në procesin e integrimit evropian.
Marrë nga ATSH



















