
Rama: Sot Shqipëria është një emër dhe një flamur që e respektojnë të gjithë
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, ku foli për rolin e diasporës dhe ndryshimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, ku foli për rolin e diasporës dhe ndryshimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Rama u ndal te organizimi i samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të rolit që Shqipëria ka fituar në skenën ndërkombëtare.
“Nga ana tjetër, besoj që të gjithë e dini që Shqipëria është vendi ku do të zhvillohet samiti i ardhshëm i NATO-s dhe ku të gjithë liderët e aleancës më të fuqishme ushtarake të historisë së njerëzimit do të mblidhen në Tiranë për të diskutuar ecurinë e aleancës dhe për të vendosur hapa të mëtejshme”, tha Rama.
Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria, pavarësisht përmasave të saj ekonomike dhe ushtarake, sipas tij, ka fituar respekt në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Dhe Shqipëria që dikur trokiste në dyer që nuk i hapeshin, sot nuk pret më në korridor, por është pjesë e të gjitha atyre hapësirave ku duhet të jetë dhe pavarësisht se Shqipëria është një vend i vogël, Shqipëria nuk hyn tek vendet e pasura, Shqipëria nuk ka një forcë ushtarake që t’i imponohet kujtdo qoftë. Sot Shqipëria është një vend që jo vetëm jep respekt, por merr respekt dhe vlerësohet reciprokisht, siç i vlerëson të tjerët”, tha ai.
Sipas Ramës, një Shqipëri e fortë ekonomikisht, një Shqipëri e fortë demokratikisht dhe një Shqipëri e fortë shtetërisht është një Shqipëri që është sot në formim e sipër dhe është një Shqipëri që sot shikohet nga të gjithë si e tillë.
Një pjesë të fjalës së tij Rama ia kushtoi diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në SHBA janë një urë e rëndësishme mes vendit të origjinës dhe vendit ku kanë ndërtuar jetën.
Rama u shpreh se lidhja e diasporës me Shqipërinë vazhdon të jetë e fortë, pavarësisht largësisë.
“Një Shqipëri që është një trashëgimi e përbashkët e të gjithëve ne, ku secili në atë pjesë që i ka rënë për hise, jep kontributin e vetë, qoftë në Tiranë si kryeministër, qoftë në Detroit si një shqiptar që jeton me punën e vet të ndershme, i paguan taksa këtij shteti dhe kontribuon edhe për shtetin e amë, por ajo që besoj unë që është më e rëndësishmja është se Shqipëria sot nuk është më ajo që ishte fatkeqësisht deri dje. Vendi që linte zbuluar njerëzit e vetë në pamundësi për t’i mbrojtur ata. Sot Shqipëria është mburoja më e mirë e çdo shqiptari kudo që ndodhet.
“Sot Shqipëria është një emër dhe një flamur që e respektojnë të gjithë dhe sot Shqipëria është një identitet përballë të cilit ju jeni dëshmitarë vetë, të gjithë qëndrojnë me respekt dhe duke qëndruar me respekt ndaj këtij identiteti, respektojnë edhe çdo shqiptar, ndryshe nga deri dje kur të qenit shqiptarë ishte një arsye e gabuar, por sidoqoftë gjithmonë e pranishme për ta nisur një garë si të pabarabartë me të tjerët vetëm për faktin që ishe shqiptar. Sot askush nuk i tregon shqiptarëve fundin e radhës pse janë shqiptarë, por përkundrazi kur dëgjon që janë shqiptarë i vlerëson sepse çmon Shqipërinë”, tha Rama.
Sipas tij, ëndrra amerikane nuk i ka tharë rrënjët shqiptare brenda tyre.
“Duke provuar që rrënjët mund të ushqehen edhe nga shumë larg dhe madje të arrijnë dhe në mrekullinë që të japin fryte në të njëjtën kohë në dy vende të ndryshme, edhe në atdheun e nënës edhe në atdheun që ju ka adoptuar. Ka qenë viti 1926, 100 vjet më parë kur Faik Konica nisi rrugëtimin e tij në Washington. Ishte i dërguari i parë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, ambasadori ynë siç do ta quanim sot, edhe pse Ervin Bushati nuk na duket se është Faik Konica i ditëve tona, po ku i dihet mbas 100 vjet mund të vijë dikush këtu dhe të thotë që 100 vjet më parë këtu ishte Ervin Bushati.
“Faik Konica e nisi misionin e tij me një përulje tek varri i presidentit Wilson dhe pastaj vazhdoi në një maratonë takimesh në të gjithë Amerikën, sepse Amerika e kishte ndihmuar Shqipërinë që të mos zhdukej dhe ai erdhi dhe qëndroi këtu për t’i dhënë Shqipërisë një zë, për t’i dhënë një fytyrë, për t’i dhënë një adresë”, tha Rama.
Rama vijoi me tej se “sot 100 vjet më pas, janë qindra mijëra shqiptarët që i japin Shqipërisë zë, i japin Shqipërisë fytyrë dhe i japin Shqipërisë qindra mijëra adresa këtu, në Shtetet e Bashkuara”.
“Dhe sot Ervin Bushati e ka shumë më kollaj se Faik Konica, se erdhi, s’erdhi Ervin Bushati, janë qindra mijëra të tjerë që pa qenë të ngarkuar nga shteti si ambasador, bëjnë përfaqësuesin e denjë të shtetit të tyre. Dhe ju jeni ambasadoret e përditshëm të Shqipërisë. Sa herë që një shqiptar ngrihet këtu me punën e vet, të jeni të sigurtë që edhe Shqipëria ngrihet në sytë e Amerikës”, tha ai.
Rama shtoi se “ne 28.000 kilometra na kanë rënë për pjesë në këtë tokë si perimetri i atdheut tonë, por falë jush edhe falë plot e plot të tjerëve perimetri i Shqipërisë është shumë më i madh sot sesa ato 28.000 kilometra katrorë dhe më shumë se kurrë sot Shqipëria është edhe atje, por Shqipëria është edhe këtu. Shqipëria është edhe këtu, po është edhe atje”.
Marrë nga ATSH


















