
Sejko: Forcimi i lekut pasqyron përmirësimet strukturore të ekonomisë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot se forcimi i lekut ka vijuar edhe gjatë kësaj periudhe,

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot se forcimi i lekut ka vijuar edhe gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se ky zhvillim është pasqyrim i përmirësimeve strukturore në bilancin e jashtëm të ekonomisë shqiptare dhe i rritjes së flukseve valutore që hyjnë në vend.
Gjatë raportimit në Komisionin e Kuvendit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Sejko u shpreh se “gjatë vitit 2025 bilanci i jashtëm është përmirësuar ndjeshëm, i mbështetur nga të ardhurat në rritje nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte, kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme, të cilat kanë sjellë miliarda euro në ekonomi”.
Guvernatori theksoi se, për sa kohë Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe ekonomia vijon të rritet me ritme rreth 3,8%, e mbështetur nga flukset natyrore valutore, është normale që monedha kombëtare të vijojë të mbiçmohet.
“Nuk mund të kemi parashikueshmëri të kursit të këmbimit, pasi funksionojmë me regjim të lirë të tij. Përvoja e vendeve të tjera evropiane tregon se gjatë procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, kur ekonomia rritet dhe flukset hyrëse valutore shtohen, monedha kombëtare ka prirje të mbiçmohet”, deklaroi Sejko.
Guvernatori vlerësoi se mbiçmimi i lekut ka efekte pozitive për ekonominë, pasi ndihmon në frenimin e inflacionit, objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë.
“Sigurisht që mbiçmimi i lekut ka efekte negative për eksportuesit dhe për qytetarët apo bizneset që i kanë të ardhurat në euro, por nga ana tjetër përfitues janë ata që i kanë të ardhurat në lekë. Çmimet do të ishin edhe më të larta nëse monedha kombëtare do të ishte zhvlerësuar. Nga pikëpamja makroekonomike, frenimi i rritjes së çmimeve përmes forcimit të lekut ka efekte pozitive për biznesin dhe qytetarët”, tha ai.
Sejko shtoi se një regjim me kurs fiks këmbimi do të sillte pasoja negative për ekonominë.
“Nëse do të kishim një kurs fiks të këmbimit, inflacioni nuk do të ishte 2,6%, por rreth 6%. Do të rriteshin këstet e kredive, niveli i kredive me probleme, papunësia dhe në tërësi treguesit makroekonomikë do të ishin më të përkeqësuar”, përfundoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë..
Burimi ATSH



















