
Hita letër të hapur punonjësve të Policisë: Keni respektin dhe mbështetjen time të plotë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita në një letër të hapur drejtuar punonjësve të Policisë, shprehu mirënjohjen dhe mbështetjen ndaj tyre.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita në një letër të hapur drejtuar punonjësve të Policisë, shprehu mirënjohjen dhe mbështetjen ndaj tyre.
Hita tha se prej shtatë ditësh, punonjësit e Policisë po përballen me situata të vështira dhe akte dhune gjatë protestave, ndërsa vlerësoi angazhimin e tyre në krye të detyrës, duke shprehur solidaritet me punonjësit e lënduar dhe familjet e tyre.
“Sot dua t’ju shpreh personalisht mirënjohjen, respektin dhe mbështetjen time të plotë”, shkruan Hita.
Hita thekson se pas çdo uniforme qëndron një njeri, një prind apo një familjar që pritet me shqetësim në shtëpi, ndërsa dënon aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë.
“Asnjë sulm ndaj jush nuk është i pranueshëm. Asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet”, thekson ai.
Kreu i Policisë së Shtetit u bën thirrje efektivëve të vijojnë detyrën me profesionalizëm, qetësi dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari.
Ai u uron shërim të shpejtë kolegëve të plagosur dhe garanton se punonjësit e Policisë nuk do të jenë vetëm përballë sfidave me të cilat po përballen.
“Jam krenar për çdo punonjës policie që i shërben vendit me ndershmëri dhe përkushtim”, përfundon Hita.



















