
Forcim i marrëdhënieve tregtare mes prodhuesve francezë të verës dhe distributorëve shqiptarë
Aktiviteti u organizua nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri, me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri dhe të Kub France Tirana

Profesionistë të sektorit të verërave u bënë bashkë në kuadër të aktivitetit “Tastin’ France”, një nismë e Business France që synon të promovojë cilësinë dhe traditën e verërave franceze në tregjet ndërkombëtare.
Aktiviteti u organizua nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri, me mbështetjen e Ambasadës së Francës në Shqipëri dhe të Kub France Tirana, duke sjellë së bashku profesionistë të fushës në një takim të dedikuar degustimit dhe shkëmbimit të përvojave.
Në fokus të takimit ishte forcimi i marrëdhënieve tregtare mes prodhuesve francezë dhe importuesve, distributorëve shqiptarë. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të sektorëve të hotelerisë dhe gastronomisë. Përmes prezantimit të verërave të ndryshme, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihnin më nga afër traditat e rajoneve franceze të prodhimit, karakteristikat e produkteve dhe ekspertizën që e ka bërë Francën një prej vendeve më të njohura në këtë sektor.
Përveç degustimit, takimi krijoi hapësirë për diskutime mbi zhvillimet e tregut, tendencat e konsumit dhe pritshmëritë e reja të konsumatorëve, duke nxitur njëkohësisht kontakte të reja profesionale dhe mundësi bashkëpunimi mes bizneseve të të dy vendeve.
Përmes “Tastin’ France”, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Francë-Shqipëri vijon të mbështesë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, afrimin e bizneseve franceze dhe shqiptare dhe zgjerimin e pranisë së produkteve franceze në tregun shqiptar.
Burimi ATSH

















