
Demo: Qeveria e gatshme për dialog, kush ushtron dhunë do të përgjigjet para ligjit
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se Policia e Shtetit ka detyrimin të respektojë dhe të mbrojë të drejtën kushtetuese për protestë, ndërsa theksoi se ndërhyrja e uniformave blu do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe e ligjshme për të parandaluar aktet e dhunës.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se Policia e Shtetit ka detyrimin të respektojë dhe të mbrojë të drejtën kushtetuese për protestë, ndërsa theksoi se ndërhyrja e uniformave blu do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe e ligjshme për të parandaluar aktet e dhunës.
“E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta respektojë dhe ta mbrojë atë.
Policia e Shtetit nuk do të jetë asnjëherë nxitëse e përplasjes me protestuesit. Detyra e saj është të garantojë zhvillimin paqësor të protestës, rendin dhe sigurinë e çdo qytetari. Ndërhyrja e Policisë do të bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe e ligjshme për të parandaluar apo ndaluar aktet e dhunës, për të mbrojtur jetën, punonjësit e Policisë, qytetarët dhe pronën publike e private, gjithmonë në respektim të parimit të proporcionalitetit”, u shpreh Demo.
Ai deklaroi se, protesta është një e drejtë demokratike. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë pjesë e saj.
Demo bëri të ditur se qeveria mbetet e gatshme për dialog me protestuesit për çdo shqetësim apo kërkesë që ata dëshirojnë të ngrenë.
“Qeveria mbetet e hapur dhe e gatshme për dialog me protestuesit, në çdo kohë dhe për çdo shqetësim apo kërkesë që ata dëshirojnë të ngrenë. Ne besojmë se dialogu, dëgjimi dhe komunikimi i drejtpërdrejtë janë rruga për të adresuar shqetësimet dhe për të gjetur zgjidhje. Asnjë derë nuk është e mbyllur për dialogun dhe asnjë akt dhune nuk mund ta zëvendësojë atë”, tha ministri.
Ai nënvizoi se përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale dhe se çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përgjigjet përpara ligjit.
“Përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale. Askush nuk mund të fshihet pas të drejtës për të protestuar për të justifikuar shkeljen e ligjit. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të përgjigjet përpara ligjit, pa përjashtim”, nënvizoi Demo.
Ministri theksoi se, “ne do të mbrojmë njësoj të drejtën për të protestuar, sigurinë e qytetarëve dhe autoritetin e ligjit”.
Burimi ATSH
















