
Një ditë në shtëpinë e Aleksandër Meksit, studiuesit që bëri gurët të flasin dhe përkatësinë të dëshmojë
Pata privilegjin të jem pjesë e grupit të xhirimeve për emisionin “Koha Jonë Debat” të Nikoll Lesi

Një ditë në shtëpinë e Aleksandër Meksit, studiuesit që bëri gurët të flasin dhe përkatësinë të dëshmojë
Pata privilegjin të jem pjesë e grupit të xhirimeve për emisionin “Koha Jonë Debat” të Nikoll Lesi. Ishte një nga ato angazhime profesionale që nisin si një takim pune dhe përfundojnë si një përballje me historinë, kujtesën dhe madhështinë e heshtur të dijes.
Teksa udhëtonim drejt shtëpisë së Prof. Dr. Aleksandër Meksit, biseda me zotin Lesi rrëshqiste natyrshëm në kohën kur Meksi ishte Kryeministër, në vitet më të trazuara të Shqipërisë postkomuniste. Si dy bashkëkohës, ndamë jo thjesht kujtime politike, por edhe një vetëdije për barrën historike të atij kapërcyelli dramatik, kur shteti shqiptar po mësonte të ecte mbi rrënojat e një sistemi të shembur.
Por ne nuk po shkonim aty për politikën.
Nuk po shkonim të takonim ish-kryeministrin e Shqipërisë së viteve 1992–1997, periudhës së transformimeve brutale, krizave dhe përpjekjeve për të ndërtuar demokracinë mbi një terren të paeksploruar. Ne po shkonim të takonim studiuesin, arkeologun e kujtesës sonë arkitekturore, njeriun që jetën ia kishte kushtuar leximit të gurit, heshtjes së kishave dhe gjuhës së fshehtë të monumenteve.
Shkaku i këtij takimi ishte Kisha e Shën Llezhdrit, ose Kisha e Shën Aleksandrit, në Prullë-Spiten, një monument shpirtëror për të cilin dokumentet flasin që në vitin 1402. Një nga dëshmitë më të hershme të besimit katolik në ato troje, një tempull që mbart jo vetëm arkitekturë, por kujtesë shekujsh, lutje, rrënime dhe ringritje.
Dhe për të folur për një monument të tillë, duhej pikërisht ai, Aleksandër Meksi.
Sepse ai nuk është vetëm një figurë politike e historisë moderne shqiptare. Në thelb, ai mbetet një nga studiuesit më autoritarë të arkitekturës mesjetare shqiptare, veçanërisht të asaj bizantine dhe pasbizantine. Ai është ndër ata njerëz që nuk kanë studiuar thjesht monumentet, por kanë ndërtuar mënyrën se si ne i lexojmë ato sot. Ka bërë tipologjizimin, datimin dhe analizën strukturore të dhjetëra kishave, manastireve dhe fortifikimeve shqiptare, duke zbërthyer evolucionin arkitekturor nga bazilikat paleokristiane të shekujve IV–VI deri te kishat me kupolë të periudhës së vonë bizantine dhe ndërtesat kishtare të epokës osmane.
Studimet e tij mbi kishat e Gjirokastrës, Myzeqesë, Beratit, Voskopojës apo Dropullit janë sot pika referimi për çdo studiues të trashëgimisë kulturore. Veçanërisht puna e tij mbi Kishën e Shën Marisë në Labovën e Kryqit mbetet një gur themeli në interpretimin shkencor të këtij monumenti unik.
Por madhështia e tij nuk qëndron vetëm te bibliografia.
Aleksandër Meksi i përket asaj race studiuesish që nuk e kanë njohur dijen vetëm nga librat. Ai ka qenë njeri terreni. Si inxhinier ndërtimi, i diplomuar në Universitetin e Tiranës në vitin 1962, arriti të ndërthurte dijen teknike me intuitën historike dhe ndjeshmërinë estetike. Në restaurim mbronte me fanatizëm parimin e autenticitetit, ruajtjen e shtresëzimeve historike dhe refuzimin e falsifikimit estetik të monumenteve. Për të, restaurimi nuk ishte zbukurim, por përgjegjësi morale ndaj historisë.
Pak e njohur për publikun mbetet edhe puna e tij në kodikologji, në studimin e dorëshkrimeve të rralla kishtare. Ai është marrë me historikun dhe rëndësinë kulturore të kodikëve shqiptarë, përfshirë “Codex Purpureus Beratinus” dhe “Codex Aureus”, duke i trajtuar jo vetëm si objekte fetare, por si dëshmi të qytetërimit shkrimor shqiptar nëpër shekuj.
27 maj 2026
Kur mbërritëm, trokitjes sonë në derë iu përgjigj vetë ai.
Aleksandër Meksi.
Ishte një nga ato çaste kur realiteti të duket më i rëndë se imazhi që ke krijuar në mendje. Përballë nesh u shfaq një burrë shtatshkurtër, i thinjur dhe me barrën e viteve mbi supe, por me një energji të pazakontë. Asgjë demonstrative, asnjë gjest teatral, asnjë përpjekje për të imponuar praninë. Dhe pikërisht aty qëndronte forca e tij.
Na priti në studion e vet.
Një skrivani, dy kolltuqe me veshje lëkure, libra gjithandej. Rafte që nuk dukeshin si dekor intelektuali, por si një organizëm i gjallë pune. Çdo libër kishte vendin e vet. Çdo bllok shënimesh, çdo letër, çdo dokument dukej i vendosur nga një dorë që vazhdonte të jetonte në disiplinën e mendimit.
Shtëpia ishte modeste. Jo shtëpia e një ish-kryeministri, por e një intelektuali që ishte mjaftuar të kishte si pasuri dritën e dijes, diellin e mendimit, të blatuar për vetëdijen tonë identitare.
Po, Aleksandër Meksi reflektonte atë fisnikërinë e rrallë të njerëzve të ditur.
E kisha imagjinuar ndryshe takimin me këtë burrë të madh të politikës dhe dijes. Por asgjë nuk ishte më mbresëlënëse sesa të ndodheshe aty ku një mendje si e tij vazhdonte ende të punonte, me të njëjtin ngulmim dhe të njëjtën etje për të kuptuar e sistemuar faktet. Kishte diçka prekëse në mënyrën se si ai refuzonte t’i dorëzohej moshës, sikur puna intelektuale të ishte forma e tij e rezistencës ndaj kohës.
Dhe koha kishte trokitur gjatë në jetën e tij.
Tetëdhjetë e shtatë vite.
Por vitet nuk kishin arritur ta nënshtronin atë burrë.
Gjatë bisedës me Nikoll Lesin për Kishën e Prullit, ajo që të mahniste ishte kujtesa e tij e hekurt. Data, ngjarje, emra, toponime, referenca arkivore, detaje arkitekturore, gjithçka vinte me një saktësi thuajse matematikore. Ai fliste me qetësinë e dikujt që nuk ka nevojë të impresionojë askënd, sepse është i sigurt në territorin e dijes së vet.
Por mbi të gjitha, të impresiononte mënyra si mendonte.
Në analizat e tij nuk kishte dogmë. Kishte logjikë, krahasim, verifikim faktesh. Kishte gatishmëri për të pranuar korrigjime, për të ballafaquar hipotezat me prova të reja, me një pozitivitet shkencor admirues. Ai mbetej studiues edhe në mënyrën si dyshonte.
Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron madhështia e njerëzve të tillë: jo te pushteti që kanë pasur, por te aftësia për të mbetur të përulur përballë dijes.
Ndërsa largoheshim nga ajo shtëpi, më mbeti ndjesia se nuk kishim vizituar thjesht banesën e një ish-kryeministri. Kishim hyrë në një nga ato hapësira të rralla ku historia, kultura, kujtesa dhe mendimi vazhdojnë ende të projektojnë një dialog mes së shkuarës dhe të tashmes.
Ajo që më mbeti më shumë në mendje nga ai takim ishte një lloj papajtueshmërie e heshtur e Aleksandër Meksit për të folur mbi politikën, veçanërisht për Partia Demokratike e Shqipërisë, të cilën ai vetë e kishte themeluar dhe përfaqësuar në një nga periudhat më të vështira të historisë moderne shqiptare. Ishte një tërheqje që nuk vinte nga shmangia, as nga mungesa e mendimit, por nga një vetëdije e thellë për distancën që koha krijon mes idealit dhe realitetit.
Pyetjet këmbëngulëse të Nikoll Lesit për aktualitetin politik, për Partinë Demokratike, për zhvillimet dhe deformimet e tranzicionit, hasnin jo në refuzim të drejtpërdrejtë, por në diçka më të rëndë dhe më kuptimplotë, heshtjen.
Dhe ajo heshtje fliste.
Fliste përmes gjestikulacionit të duarve, përmes një buzëqeshjeje të lehtë, përmes një shikimi që dukej sikur kërkonte të shmangte jo pyetjen, por lodhjen e rikthimit në një territor ku ndoshta kishte thënë gjithçka që kishte për të thënë. Ishte një heshtje që nuk mbante indiferencë, por një lloj zhgënjimi të përmbajtur, fisnik, pothuaj asketik.
Sepse Aleksandër Meksi nuk mund të ishte jashtë realitetit politik shqiptar. Ai kishte qenë një nga protagonistët e tij. Kishte hyrë në politikë në një kohë kur Shqipëria po dilte nga terri i diktaturës komuniste dhe kur shumë intelektualë e ndienin si detyrim moral të bëheshin pjesë e një ëndrre kolektive për liri, pluralizëm dhe demokraci.
Roli i tij në atë kohë nuk ishte ai i politikanit klasik.
Ai nuk vinte nga laboratori i pushtetit, por nga biblioteka, terreni arkeologjik, studimi dhe kultura. Ishte, në thelb, një intelektual idealist që pranoi të hynte në vorbullën politike jo për ambicie personale, por sepse besonte se Shqipëria kishte nevojë për njerëz që mendonin dhe jo vetëm për njerëz që sundonin.
Dhe ndoshta pikërisht kjo e bëri gjithmonë disi të huaj në politikë.
Sepse politika shqiptare e tranzicionit, me brutalitetin, konfliktualitetin dhe kompromiset e saj, rrallëherë ka ditur të mbajë gjatë brenda vetes natyra të tilla. Në mënyrën si ai heshtte, krijohej përshtypja se e kishte kuptuar prej kohësh këtë papajtueshmëri mes idealit të tij dhe realitetit që mori forma të tjera.
Pozicioni i tij sot, disi në periferi të debatit publik dhe politik, dukej se mbante brenda vetes jo mllef, por një pranim të qetë të limiteve njerëzore dhe historike. Sikur të pranonte me dinjitet se përpjekjet e tij, sado të ndershme dhe serioze, nuk kishin qenë të mjaftueshme për të ndryshuar gjithçka që kishte ëndërruar.
Por kishte diçka madhështore edhe në këtë tërheqje.
Sepse ai nuk mbeti peng i politikës. Nuk u kap pas saj. Nuk u shndërrua në një figurë që kërkon pafund rikthim apo protagonizëm. Si njeri i punës dhe përkushtimit, zgjodhi të largohej në kohë për t’iu kthyer asaj që dinte të bënte më mirë dhe që e përmbushte më thellë: kërkimit, studimit, hulumtimit, dialogut me historinë dhe monumentet.
Dhe ndoshta aty qëndron forma më fisnike e mbijetesës së një intelektuali.
Të rikthehet te dija.
Të zgjedhë librin përballë zhurmës.
Të mbetet në anën e mendimit, kur politika konsumon gjithçka.
Ai burrë, në atë dhomë të rrethuar nga libra, me kamera përballë dhe me një qetësi pothuaj liturgjike në të folur, dukej sikur nuk bashkëbisedonte vetëm me ne. Kishte diçka prej auditoreve të pafundme në mënyrën si ndërtonte fjalinë, si argumentonte, si kujtonte. Dukej sikur fliste përpara kohës, jo përpara njerëzve.
Dhe ajo që e zgjeronte përmasën e tij nuk ishte autoriteti politik i dikurshëm, por drita e mendimit dhe kompetenca e një akademiku që kishte jetuar gjithë jetën në disiplinën e dijes.
Brenda asaj aureole përpiqesha të kuptoja njeriun.
Por në një pikë të caktuar ai pushonte së qeni thjesht njeri dhe merrte trajtën e një qenieje pothuaj mistike, si ato figura që dalin nga faqet e historisë dhe vazhdojnë të jetojnë në një kufi të ndërmjetëm mes reales dhe simbolikes. Nën hijen e atij ligjërimi të rrjedhshëm dhe të atij zëri të vendosur, ai dukej si një dëshmi e gjallë e një kohe kur mendimi kishte peshë morale.
Takimi nuk zgjati shumë.
Por ka takime që nuk maten me kohë.
Kur u larguam nga shtëpia e Aleksandër Meksit, morëm me vete jo vetëm kujtimin e një bisede, por përzemërsinë e një njeriu të përkorë, të thjeshtë, të bardhë në prani dhe në komunikim. Kishte diçka thuajse testamentare në atë ndarje të qetë, sikur po largoheshim nga prania e një monumenti të gjallë të përkatësisë sonë kulturore dhe historike.
Ai ishte pikërisht ashtu siç isha përpjekur ta imagjinoja, dhe njëkohësisht krejt ndryshe.
Një krijesë që dukej se kishte dalë nga librat, nga historia, nga kujtesa e thellë e këtij vendi. Një njeri që mbante brenda vetes idealistin, studiuesin, pasionantin, skrupulozin dhe një lloj shenjtërie të heshtur të së njerëzishmes, e cila nuk shpallej me pompozitet, por zbulohej ngadalë përmes fjalës, mendimit dhe mënyrës si kishte zgjedhur të jetonte.
Ai i përket atij brezi studiuesish që nuk prodhonin dije për dekor akademik, por për të ndërtuar një vetëdije kombëtare mbi themele shkencore. Çdo studim i tij është një përpjekje për të shpëtuar nga harresa gurin, kishën, afreskun, kodikun, kujtesën. Në këtë kuptim, puna e tij nuk ka qenë vetëm akademike; ka qenë edhe një akt i heshtur mbrojtjeje ndaj identitetit.
Trashëgimia e tij shkencore është e shpërndarë në disa prej veprave më themelore të studimeve shqiptare mbi arkitekturën dhe trashëgiminë kulturore. Dhjetëra artikuj të botuar në revista si “Monumentet”, “Studime Historike” dhe “Studia Albanica” mbeten ende sot referenca të domosdoshme për studiuesit e historisë, arkitekturës dhe restaurimit.
Ndër veprat më të rëndësishme të tij qëndron “Arkitektura e Kishave të Shqipërisë (shek. VII–XV)”, një monument studimor në vetvete, ku Aleksandër Meksi arrin të ndërtojë jo vetëm një katalogim të strukturave kishtare, por një lexim të tërë të ndikimeve kulturore dhe qytetëruese që kanë kaluar nëpër territorin shqiptar. Në atë vepër, Shqipëria shfaqet si një urë e madhe ndërmjet Lindjes Bizantine dhe Perëndimit Romanik, një territor ku format arkitekturore nuk janë thjesht teknikë ndërtimi, por gjurmë të qytetërimeve që kanë komunikuar me njëri-tjetrin përmes gurit.
Po aq i rëndësishëm mbetet edhe libri “Restaurimi i Monumenteve të Arkitekturës”, një manual teorik dhe praktik që hodhi bazat metodologjike të restaurimit shkencor në Shqipëri. Përmes kësaj vepre, Meksi artikulon një filozofi të qartë profesionale: monumenti nuk duhet zbukuruar sipas shijes së kohës, por duhet ruajtur në autenticitetin e tij historik, me gjithë shtresëzimet, dëmtimet dhe gjurmët që koha ka lënë mbi të. Për të, restaurimi nuk ishte rikrijim artificial i së shkuarës, por dialog i ndershëm me të.
Në bashkëpunim me Emin Riza dhe Pirro Thomo, ai kontribuoi edhe në veprën sintetizuese “Arkitektura Mesjetare në Shqipëri”, një nga produktet më serioze të periudhës së artë të Institutit të Monumenteve. Ishte koha kur studimi i trashëgimisë kulturore në Shqipëri kishte dimensionin e një misioni kombëtar dhe kur kërkimi shkencor ndërtohej mbi terrenin, matjen, dokumentimin dhe përkushtimin.
Këtë univers kërkimor e pasurojnë edhe monografi të veçanta si “Labova e Kryqit: Historia, Arkitektura dhe Restaurimi”, kushtuar një prej kishave më enigmatike dhe më të rëndësishme të Ballkanit, si dhe studimet mbi “Kodikët e Shqipërisë”, ku ai depërton në trashëgiminë dorëshkrimore bizantine jo vetëm si studiues objektesh, por si interpretues i një tradite të tërë shpirtërore dhe kulturore.
Dhe megjithatë, ajo që të trondit më shumë nuk është vetëm madhësia e kësaj vepre.
Është fakti se ai ende punon.
Në moshën kur shumica dorëzohen para kohës, Aleksandër Meksi ende përpiqet të hedhë në letër të vërtetën e përfshirjes së tij politike, nga hapat e parë të pluralizmit deri te largimi i tij në marsin dramatik të vitit 1997.
Dhe kështu, ndërsa largohesha nga ajo shtëpi, më krijohej ndjesia se kisha takuar një nga ata njerëz që nuk jetojnë vetëm në kohën e tyre. Ata mbeten si ura mes epokave. Si dëshmi se mendimi, puna dhe përkushtimi mund t’i rezistojnë harresës.
Aleksandër Meksi më dukej si një nga ata burra që e kanë kaluar jetën duke folur me gurët, kishat, kodikët dhe historinë, derisa vetë janë bërë pjesë e asaj historie që dikur studionin.



















