
Mbahet dialogu rajonal në Strugë, bashkëpunim parlamentar për sigurinë klimatike

Deputetë, zyrtarë të lartë qeveritarë, përfaqësues të autoriteteve vendore dhe ekspertë të shoqërisë civile nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u mblodhën sot në Strugë për një takim shumëpalësh shkëmbimi, i pari i këtij lloji.
I mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Zyra e Koordinatorit të Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së (OCEEA), ky takim shkëmbimi u përqendrua në zbutjen e rreziqeve të përbashkëta mjedisore dhe sfidave të sigurisë të lidhura me klimën.
Në takimin e nivelit të lartë morën pjesë kryetarë dhe anëtarë të komisioneve parlamentare që mbulojnë çështjet e mjedisit, burimet natyrore dhe infrastrukturën. Së bashku me ta morën pjesë edhe përfaqësues të autoriteteve të zonave të mbrojtura dhe organizatave mjedisore të shoqërisë civile, për të trajtuar ndërthurjen mes ndryshimeve klimatike, degradimit mjedisor dhe sigurisë rajonale.
Në fjalën e tij hapëse, ambasadori Michel Tarran, kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi se diplomacia parlamentare përbën gurthemelin e sigurisë mjedisore. “Reagimet efikase ndaj rreziqeve klimatike e kanë pikënisjen te një qeverisje të shëndoshë të brendshme dhe forcohen përmes bashkëpunimit aktiv ndërkufitar”, tha ambasadori Tarran.
Ai theksoi gjithashtu se ndërsa presionet mjedisore po ndërthuren gjithnjë e më ngushtë me çështjet e qeverisjes dhe sigurisë, ekziston një nevojë urgjente për bashkërendim më të ngushtë institucional, mbikëqyrje më rigoroze parlamentare dhe strategji të zbatueshme në nivel vendor.
Sesionet e takimit u përqendruan te sfidat kryesore rajonale, përfshirë degradimin e pyjeve, prerjen e paligjshme të pemëve dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Pjesëmarrësit shqyrtuan presionet mbi përdorimin e tokës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore ndërkufitare, duke nënvizuar rolin e parlamenteve në nxitjen e llogaridhënies institucionale dhe forcimin e kuadrit ligjor ndërmjet juridiksioneve fqinje.
Duke cituar shembujt e praktikave më të mira, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ndau përvoja nga iniciativat e saj të vazhdueshme në rajonin e Shkodrës. Këto përfshijnë histori konkrete suksesi lidhur me lehtësimin e shkëmbimeve në terren dhe nxitjen e dialogut ndërinstitucional mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke ilustruar se si qeverisja vendore mund të adresojë në mënyrë efektive rreziqet ndërkufitare të sigurisë mjedisore.
Dialogu u mbyll me një udhërrëfyes për angazhimet e ardhshme, duke përfshirë shkëmbime tematike të specializuara, module të të nxënit mes kolegësh (peer-to-peer) dhe forcimin e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërparlamentar për rritjen e qëndrueshmërisë klimatike.
Kjo iniciativë shërbeu për të rikonfirmuar angazhimin e vazhdueshëm të OSBE-së për nxitjen e stabilitetit rajonal në Evropën Juglindore përmes përmirësimit të bashkëpunimit mes palëve lidhur me qeverisjen mjedisore dhe forcimin e qëndrueshmërisë kolektive ndaj ndikimeve në rritje të ndryshimeve klimatike mbi sigurinë.
Burimi ATSH



















