
Ibrahimaj: T’i vësh flakën një institucioni nuk është protestë paqësore
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dënoi aktet e dhunës dhe vandalizmit të regjistruara pasditen e sotme në godinën e ministrisë, ku protestuesit i vunë flakën ambienteve, duke krijuar një situatë të rrezikshme për sigurinë e njerëzve dhe pronën publike.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dënoi aktet e dhunës dhe vandalizmit të regjistruara pasditen e sotme në godinën e ministrisë, ku protestuesit i vunë flakën ambienteve, duke krijuar një situatë të rrezikshme për sigurinë e njerëzve dhe pronën publike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Ibrahimaj i cilësoi të papranueshme aktet e djegies dhe shkatërrimit të ambienteve institucionale, duke theksuar se ato, përtej dëmeve materiale, rrezikojnë jetën e personave që ndodhen në godinë dhe cenojnë funksionimin normal të institucionit.
“Djegia dhe shkatërrimi i ambienteve institucionale përbëjnë akte të papranueshme, që përtej dëmeve materiale, krijojnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e personave që ndodhen në godinë, si dhe cenojnë funksionimin normal të institucionit”, thekson Ibrahimaj, e cila bën apel për qetësi dhe vetëpërmbajtje, duke kërkuar shmangien e akteve të mëtejshme të dhunës dhe të çdo veprimi që mund të përshkallëzojë situatën.
“Ruajtja e sigurisë publike dhe mbrojtja e institucioneve duhet të jenë përparësi në çdo rrethanë”, thekson Ibrahimaj.
“Institucionet publike janë pasuri e përbashkët dhe dëmtimi i tyre prek të gjithë qytetarët. Dhuna dhe vandalizmi nuk mund të jenë pjesë e asnjë forme të pranueshme të veprimit publik. Respektimi i ligjit, i sigurisë së njerëzve dhe i pronës publike është i domosdoshëm për garantimin e rendit dhe të interesit të përbashkët”, theksohet në postimin e ministres Ibrahimaj.
Marrë nga ATSH


















