
Ambasadori Bushati takim me Zëvendësndihmëse Sekretare të Thesarit në SHBA
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara mbeten partnerë të ngushtë dhe aleatë, të bashkuar nga vlera dhe interesa të përbashkëta në shërbim të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit

Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, zhvilloi një takim në Departamentin Amerikan të Thesarit me znj. Jamie Kraut, Zëvendësndihmëse Sekretare, gjatë të cilit shkëmbyem mendime mbi prioritetet e përbashkëta në fushën e sigurisë kibernetike, stabilitetit financiar dhe mundësive për zgjerimin e investimeve amerikane në Shqipëri, duke e pozicionuar Tiranën si një pol rajonal që forcon praninë amerikane në Ballkan dhe krijon më shumë garanci për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e rajonit.
“Sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride, përfshirë përpjekjet e aktorëve shtetërorë për të ndërhyrë në proceset demokratike dhe për të nxitur paqëndrueshmëri politike, përbëjnë sfida gjithnjë e më komplekse për sigurinë tonë të përbashkët. Në këtë kontekst, mbrojtja e sistemeve financiare dhe forcimi i qëndrueshmërisë ekonomike janë elemente thelbësore për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin institucional.
Gjatë takimit theksova rëndësinë që Shqipëria i kushton partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe angazhimin tonë të përbashkët në luftën kundër pastrimit të parave, krimit të organizuar dhe rrjeteve financiare që mbështesin aktivitetet kriminale ndërkufitare.
Një vëmendje të veçantë i kushtuam mundësive për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të ekspertizës dhe zhvillimit të kapaciteteve në fushën e hetimeve financiare, si dhe sfidave që paraqesin kërcënimet e ndërlidhura kibernetike, hibride dhe financiare.
Vlerësuam se ruajtja e një dialogu të vazhdueshëm, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe identifikimi i mundësive konkrete për zgjerimin e dimensionit ekonomik e financiar të partneritetit tonë strategjik janë thelbësore për përballimin e sfidave të përbashkëta dhe mbrojtjen e sigurisë e stabilitetit tonë të përbashkët.
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara mbeten partnerë të ngushtë dhe aleatë, të bashkuar nga vlera dhe interesa të përbashkëta në shërbim të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit”, shkruan ambasadori Bushati.


















