
Koçiu: Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar, por të ndërtojë dhe të përparojë
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri thirrje sot për qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi, pas akteve të dhunës dhe përplasjeve gjatë protestës në Tiranë.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu bëri thirrje sot për qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi, pas akteve të dhunës dhe përplasjeve gjatë protestës në Tiranë.
Në një reagim, Koçiu ndau pamje nga dhuna e protestuesve, teksa kujtoi pasojat që ka sjellë kaosi në të kaluarën, duke theksuar se sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimi i pronës i kanë kushtuar vendit vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi.
“Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot”, shkroi Koçiu.
Ajo u shpreh se pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në kryeqytet tregojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi.
“Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari”, theksoi zëvendëskryeministrja.
Koçiu nënvizoi se vendi ka nevojë për zhvillim dhe mbrojtje të arritjeve, jo për shkatërrim.
“Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur”, deklaroi ajo.
Marrë nga ATSH


















