
Ceremonitë e dekorimeve, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare dhe protokollare
Këshilli i Ministrave miratoi sot rregullat për organizimin dhe zhvillimin e ceremonisë së dekorimeve me urdhrat e medaljet e Republikës së Shqipërisë.

Ceremonitë e dekorimeve do të zhvillohen tashmë sipas një korpusi të standardizuar rregullash, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare e protokollare.
Këshilli i Ministrave miratoi sot rregullat për organizimin dhe zhvillimin e ceremonisë së dekorimeve me urdhrat e medaljet e Republikës së Shqipërisë.
Qëllimi i këtij vendimi është sigurimi i standardizimit dhe solemnitetit të ceremonisë së dekorimeve, në respekt të parimeve të dinjitetit dhe të prestigjit të dekoratave, si dhe garantimi i trajtimit të denjë të subjekteve përfituese gjatë ceremonisë së dekorimit.
Në rastet e dekorimit të personelit ushtarak të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe të personelit të shërbimeve ose njësive përgjegjëse për rendin e sigurinë publike, ceremonitë e dekorimit zhvillohen në përputhje me rregullat e veçanta të ceremonialit ushtarak dhe rregullat e ceremonialit, që zbatohet për ceremonitë e rendit e të sigurisë publike.
Vendimi parashikon se shtetasit shqiptarë të dekoruar me urdhra dhe medalje të shtetit shqiptar kanë përparësi ndaj shtetasve të huaj, kur këta të fundit janë mbajtës dekoratash apo vlerësimesh honorifike të ngjashme të dhëna nga shteti shqiptar.
Po ashtu dhe dekorimet për merita ushtarake dhe civile në kohë lufte kanë përparësi ndaj dekorimeve për merita ushtarake dhe civile në kohë paqeje.
Sipas këtij vendimi ndalohet zhvillimi i ceremonive të dekorimit në selitë e partive politike dhe të organizatave me karakter militant, politik ose prozelit, si dhe në faltore dhe vende kulti të dedikuara për shërbesa dhe ceremoni liturgjike.
Vendimi parashikon në mënyrë të detajuar organizimin e një ceremonie dekorimi duke nisur nga kodi i veshjes, formati i ceremonisë si dhe gjithë detajet protokollare të ndarjes së medaljeve.
Më poshtë rendi i detajuar për shkallën e përparësisë ceremoniale të dekoratave:
(1) Gjerdani i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(2) Ylli i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(3) Ylli i Madh i Urdhrit të Skënderbeut;
(4) Medalja e Artë e Meritës Ushtarake;
(5) Oficeri i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(6) Oficeri i Madh i Urdhrit të Skënderbeut;
(7) Medalja e Artë e Meritës Civile;
(8) Ylli i Madh i Lisit Akademik;
(9) Medalja e artë “Nënë Tereza”;
(10) Komandari i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(11) Oficeri i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(12) Komandari i Urdhrit të Skënderbeut;
(13) Komandari i Urdhrit të Lisit Akademik;
(14) Kalorësi i Urdhrit Suprem të Shqiponjës;
(15) Oficeri i Urdhrit të Skënderbeut;
(16) Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut;
(17) Kalorësi i Urdhrit të Lisit Akademik;
(18) Medalja e Artë e Mirënjohjes Publike;
(19) Medalja e Argjendtë e Meritës Ushtarake;
(20) Medalja e Argjendtë e Meritës Civile;
(21) Medalja e argjendtë “Nënë Tereza”;
(22) Medalja “Pishtar i demokracisë”;
(23) Medalja e Argjendtë e Mirënjohjes Publike;
(24) Medalja e Bronztë e Meritës Ushtarake;
(25) Medalja e Bronztë e Meritës Civile;
(26) Medalja e bronztë “Nënë Tereza”;
(27) Medalja e Bronztë e Mirënjohjes Publike;
(28) Medalja e Artë e Shërbimit Ushtarak;
(29) Medalja e Artë e Shërbimit të Rendit Publik;
(30) Medalja e Argjendtë e Shërbimit Ushtarak;
(31) Medalja e Argjendtë e Shërbimit të Rendit Publik;
(32) Medalja e Bronztë e Shërbimit Ushtarak;
(33) Medalja e Bronztë e Shërbimit të Rendit Publik;
(34) Medalje dhe shenja nderi të dhëna, sipas ndarjes në shkallë dhe sipas datës së dhënies, nga ministri përgjegjës për Forcat e Armatosura;
(35) Medaljet përkujtimore ushtarake dhe civile sipas datës së dhënies.
/Marrë nga ATSH



















