
Malaj: Të ardhurat u rritën me 13,3%, investimet nën plan në tremujorin e parë
Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se treguesit kryesorë ekonomikë për tremujorin e parë të vitit 2026 paraqiten me rritje pozitive.

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se treguesit kryesorë ekonomikë për tremujorin e parë të vitit 2026 paraqiten me rritje pozitive.
Sipas tij, rritja e të ardhurave, përmirësimi i administrimit fiskal, formalizimi më i lartë i ekonomisë, si dhe rritja e punësimit dhe e aktivitetit të biznesit janë tregues që konfirmojnë këtë ecuri.
“Këto rezultate reflektojnë jo vetëm një menaxhim më të kujdesshëm financiar nga qeveria, por edhe efektet konkrete të politikave që kemi ndërmarrë për të garantuar rritje të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare dhe për të mbështetur biznesin dhe qytetarët”, u shpreh ministri.
Misnitri theksoi se të ardhurat totale për periudhën janar-mars 2026 arritën në 205,1 miliardë lekë, ose rreth 2 miliardë euro, duke u realizuar në masën 105,8% të planit.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, tha Malaj, të ardhurat janë rritur me 13,3%, ose rreth 250 milionë euro më shumë.
Ndërkohë, në raport me planin, janë mbledhur rreth 110 milionë euro më shumë sesa ishte parashikuar.
Ministri vuri në dukje se kjo rritje nuk vjen si rezultat i rritjes së taksave, por si pasojë e përmirësimit të administrimit tatimor dhe doganor, si dhe zbatimit më korrekt të strategjisë afatmesme të të ardhurave.
“Peshën kryesore në të ardhura e zënë tatimet, të ndjekura nga doganat me 25,8% dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me 22,3%”, u shpreh Malaj.
Sipas tij, të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore arritën në 77,7 miliardë lekë, ose 7,1 miliardë lekë më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2025. Ndërkohë të ardhurat nga TVSH u realizuan në 25,2 miliardë lekë, me një rritje prej 19,4% krahasuar me një vit më parë. Dhe tatimi mbi fitimin u realizua në masën 115% të planit për këtë periudhë.
“Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale shënuan gjithashtu rritje krahasuar me vitin e kaluar. Nga ana tjetër, administrata doganore mblodhi 52,9 miliardë lekë, duke shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025”, deklaroi ministri.
Sa i përket kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, Malaj informoi se ato arritën në 45,7 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 37 milionë eurosh, ose 8,9% më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2025.
Sipas ministrit, kjo ecuri pozitive mbështetet nga zgjerimi i bazës së kontribuesve dhe rritja e pagave si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
Ndërkohë, ministri bëri të ditur se shpenzimet e përgjithshme publike për tremujorin e parë të vitit 2026 arritën në rreth 156 miliardë lekë, duke u realizuar në masën 92,9% të planit dhe duke qenë 5,9% më të larta, ose rreth 8,7 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Shpenzimet korrente arritën në 150,7 miliardë lekë, ose 95,4% të planit, ndërsa shpenzimet kapitale u realizuan në 5,3 miliardë lekë, ose 52,6% të planit.
“Realizimi këtu është pak më i dobët, por ritmi do të përshpejtohet në pjesën e dytë të vitit”, tha ministri Malaj, duke iu referuar ecurisë së shpenzimeve kapitale gjatë kësaj periudhe.
Marrë nga ATSH



















